E premte, 26 Prill, 2024

GODET JURISTI SERB: NUK DUHET FIRMA E VUÇIQIT, MARRËVESHJA E BRUKSELIT DHE ANEKSI I OHRIT JANË OBLIGUESE

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, Zoran Ivosheviq, ka ka deklaruar se sipas Konventës së Vjenës për të drejtën e kontratave, janë të vlefshme të gjitha marrëveshjet, pavarësisht nëse janë nënshkruar apo janë pranuar verbalisht, përcjell KDP.

Ivosheviq i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve “Beta” se deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se ai nuk ka nënshkruar asgjë në Bruksel dhe Ohër tregon se ai ka bërë diçka që nuk është dashur ta bëjë:

“Në nenin 3 të Konventës së Vjenës për të drejtën e kontratave thuhet se në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare që nuk janë lidhur me shkrim, kjo nuk cenon vlerën juridike të këtyre marrëveshjeve. Kjo do të thotë se marrëveshjet gojore janë të vlefshme dhe të detyrueshme”, – ka thënë Ivosheviq, duke komentuar deklaratën e presidentit Vuçiq se në Bruksel dhe Ohër ka pranuar Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve me Kosovën dhe Aneksin për zbatimin e saj, por se këto dokumente nuk i ka firmosur.

Ivosheviq ka rikujtuar deklaratat e ndërmjetësve në negociata, Jozep Borellit, Miroslav Lajçakut dhe Gabriel Escobarit, se është arritur pëlqimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe se ky pëlqim është në tekstin e Marrëveshjes së Brukselit.

“Tani është koha për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Vuçiq  këtë nuk e kontestoi. Nëse zbatimi i referohet arritjes së asaj që është rënë dakord, atëherë është e saktë ajo që kanë thënë ndërmjetësit në ballë me Borellin”, – ka vlerësuar juristi serb.

Sipas tij, për shkak të protestave të qytetarëve të Serbisë kundër Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve me Kosovën, presidenti Vuçiq, pas kthimit nga Brukseli dhe Ohri, filloi të “arsyetohet” para publikut vendor.

“Vuçiq pohon se asnjëherë nuk ka dhënë pëlqimin për hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe për njohjen reciproke. Megjithatë, në Marrëveshjen reciprokisht të pranuar thuhet se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Është e qartë se Vuçiq me këtë Marrëveshje e ka pranuar edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara,”-  ka vlerësuar Ivosheviq.

Sipas tij, nuk duhet besuar fjalëve të Vuçiqit, sepse “nëse shkon në zbatim, atëherë kjo konfirmon se është pajtuar me të gjitha pikat e marrëveshjes”:

“Vuçiq po mashtron edhe publikun edhe veten. Me siguri ka hedhur disa hapa që nuk guxonte,e që tani mund t’i pengojnë. Rejtingu i tij po bie dhe ai tani po përpiqet të “arsyetohet,” – ka thënë ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë.

Ivosheviq thekson se ekziston mundësia që Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës juridikisht edhe të anulohet:

“Nëse pala kosovare nuk e përmbush obligimin për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe sipas ujdisë nga Marrëveshja e Brukselit, atëherë mund të bisedohet seriozisht për prishjen e asaj marrëveshjeje. Sipas Konventës së Vjenës për Traktatet Ndërkombëtare, në nenin 60 thuhet se një kontratë ndërkombëtare mund të ndërpritet për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve dhe pastaj çdo gjë kthehet në gjendjen e mëparshme,”- ka shpjeguar Ivosheviq.

Po sipas tij, Marrëveshja e Brukselit për Serbinë është jokushtetuese, sepse pushteti në Serbi  ka pranuar që të gjitha elementet e shtetësisë së Kosovës t’ia dorëzojë Prishtinës:

“Për Serbinë do të ishte shumë e rëndësishme që të anulohet Marrëveshja e Brukselit”- ka thënë Zoran Ivosheviq për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”./danas.rs/

Të fundit