E shtunë, 18 Maj, 2024

SIGUROHET ILAÇI “TRIKAFTA” PËR PACIENTËT ME FIBROZË CISTIKE

Bëhet e ditur se tetë pacientë me fibrozë cistike e që janë në gjendje kritike do të mund ta marrin këtë ilaç. Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti ka theksuar se në bashkëpunim me institucionet e tjera do ta sigurojnë ilaçin edhe për të sëmurët e tjerë. Drejtoresha e Klinikës për Fëmijë Stojka Fostiç ka theksuar se pas arritjes së ilaçit në klinikë, kanë filluar me pranimin e pacientëve që duhet të fillojnë me terapi.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Ilaçi i shumë kërkuar nga pacientët me fibrozë cistike arrin në vendin tonë, megjithatë jo me sasi të mjaftueshme. Këtë e ka bërë të ditur ministri i ri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili ka theksuar se TRIKAFTA këtë mëngjes ka arritur në klinikën për fëmijë.

Që nesër 8 pacientë me fibrozë cistike e që janë në gjendje kritike do të mund ta marrin këtë ilaç.

Ministri Mexhiti tha se në bashkëpunim me institucionet e tjera do ta sigurojnë ilaçin edhe për të sëmurët e tjerë.

“Dua të ju informojë se në Klinikën Universitare për Sëmundje e Fëmijë ka arritur ilaçi #TRIKAFTA për pacientët me fibrozë cistike. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me institucionet kompetente zgjidhi çështjen më urgjente të kësaj kategorie të pacientëve dhe presim me këtë terapi të përmirësohet ndjeshëm cilësia e jetës së pacientëve me fibrozë cistike”, u shpreh ministri Mexhiti.

Ndërkaq, drejtoresha e Klinikës për Fëmijë Stojka Fostiç u shpreh se pas arritjes së ilaçit në klinikë, kanë filluar me pranimin e pacientëve që duhet të fillojnë me terapi.

“Që nga mëngjesi i sotëm kemi pranuar 6 pacientë dhe 2 pacientë të tjerë do të referohen në Klinikën e Pulmologjisë. Presim të fillojnë terapinë këto ditë, disa prej tyre nesër, ndërsa 2 nga pacientët janë në gjendje kritike dhe ato do të trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë.

Nga 8 pacientët për të cilët ka arritur terapia, 7 janë të rritur mbi moshën 18 vjeçare dhe një fëmijë”, u shpreh drejtoresha Fostiç.

Kryetarja e Asociacionit të personave me Sëmundje Cistike Ivana Atanovska vlerësoi se institucionet kanë vepruar me vonesë, sepse tash një person humbi jetën.

“Mendoj se vdekja e pacientit ndikoi që të përshpejtohen procedurat e deri atëherë dëgjonim vetëm premtimet por nuk pamë ndonjë zgjidhje reale. Sigurisht që u vonuan edhe ne si asociacion u vonuam me protestat tona ndoshta duhej më herët të nisim gjithsesi një jetë u shua, kjo është më e rëndësishme që nuk arritëm të shpëtojmë. Shpresoj të mos ndodhin më gjëra këtilla”, u shpreh kryetarja Atanovska.

Meqë ilaçin e kanë siguruar me çmim më të lirë është kërkuar nga Fondi për Sigurim Shëndetësor që të prokurohet terapia edhe për 4 pacientë shtesë.

Në vendin tonë me këtë sëmundje aktualisht janë 130 persona.

Të fundit