E diel, 19 Maj, 2024

NDËRTIMI I KORRIDORIT 8 DHE 10-D, PROJEKTI I LIDHJEVE EUROPIANE DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK

Mendi Qyra: “Me këtë i jepet qasje direkte çdo ekonomie dhe shërbimi transporti që kalon nëpërmjet RMV-së duke u kryqëzuar për Detin e Zi apo Adriatik, ku në këtë moment, shumë transportues dhe kompani ndërkombëtare e shfrytëzojnë vetëm portin e Selanikut si mundësi më e mirë me infrastrukturë adekuate dhe moderne. Gjithashtu e kemi edhe elementin kombëtar, ku përmes këtij projekti realizojmë qëllimet gjeostrategjike për lidhshmëri ekonomike të trojeve shqipfolëse

Artan Grubi: “Ky projekt është vetëm një fillim i mbarë i një pune të madhe, më e madhja që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut

Ejup Rustemi: “Kjo është një Marrëveshje për gjeneratat e ardhshme, sepse me fillimin e ndërtimit të katër autostradave: Tetovë-Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep -Manastir, fillon të realizohet projekti më i madh në infrastrukturën rrugore në vendin tonë. Përfitimet do të jenë të shumëfishta për zhvillimin ekonomik, për ndërlidhje më të mira rrugore me rajonin dhe Evropën, për udhëtime më të shpejta dhe më të sigurta për të gjithë në komunikacion.”

Shkruan: Enis Shaqiri

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mërkurën, është nënshkruar marrëveshja historike për realizimin e projektit “Korridorit 8″ dhe “10-D, ” në vlerë prej 1.3 miliard eurosh.

Kjo marrëveshje u firmos nga Qeveria dhe konsorciumi “Bechtel&Enka” ku do të përfshihet ndërtimi i pjesëve të autostradës së korridorit 8 dhe 10-d, në një gjatësi prej rreth 110 kilometrash.

Me projektin “Korridori 8” është planifikuar ndërtimi i autostradave: Tetovë-Gostivar, Kërçovë- Bokujçani Strugë – Qafëthanë, në kufirin me Shqipërinë në një gjatësi prej 68 kilometrash. Ndërsa “Korridori 10-D” do të lidhë Prilepin me Manastirin në një gjatësi prej 40 km autostradë. Siç edhe mësohet, autostradat do të jenë me nga gjashtë korsi, ndërsa projekti pritet të finalizohet në periudhë prej 6 viteve që nga fillimi i punimeve. Paratë për këtë projekt infrastrukturor do të ndahen nga buxheti i shtetit, nga 250 milionë euro në vit.

Autoritetet qeveritare, nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë e shikojnë si investim historik, sepse sipas tyre do të ketë efekte pozitive në rritjen e tregtisë dhe investimeve me vendet fqinje si dhe do të lehtësojë trafikun për qytetarët e RMV-së.

Në prezantimin e projektit zv/kryeministri Artan Grubi u shpreh se ky projekt është vetëm një fillim i mbarë i një pune të madhe që nga pavarësia e vendit.

Jam i lumtur që qëndroj këtu para jush si udhëheqës i Komitetit për Realizimin e Negociatave për Ndërtimin e Projektit Korridori 8 dhe 10 D. Falënderoj kolegët ministra, sidomos ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që qëndron gjithmonë pas projekteve dhe ideve tona, partnerët tanë mbikëqyrës dhe gjithë bashkëpunëtorët që marrin pjesë në këtë projekt. Ky projekt është vetëm një fillim i mbarë i një pune të madhe, më e madhja që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut”, tha Grubi.

Sipas tij, projekti në fjalë do të kushtojë 1.3 miliardë euro, ose 12 milionë euro për kilometër dhe do të shtrihet nga Tetova deri në Qafë-Thanë.

Bëhet fjalë për ndërtimin e 110 km autostradë. Nga korridori Tetovë deri në Gostivar do të kemi tri korsi në anën e majtë dhe të djathtë. Në pjesën nga Gostivari në Kërçovë do të lidhet me autostradën që po ndërtojnë kinezët. Pas Trebenishtës do të ndërtohet një autostradë tjetër. Nga ana e Shqipërisë tashmë po ndërtohet, ndaj ky projekt do të na lidhë me Tiranën, Durrësin dhe portin e thatë në Durrës”, tha mes tjerash Artan Grubi.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se ndërtimi i autostradave ka një rëndësi të veçantë për ngritjen e cilësisë së infrastrukturës rrugore; se kjo e bën vendin një pikë kyçe dhe portë të Evropës përmes lidhjes së Detit të Zi me Adriatikun. “Në këtë mënyrë ndërtohet e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut por edhe e fqinjëve të saj”, tha ai.

Ndërsa Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugë Shtetërore”, Ejup Rustemi në prani të kryetarit të Qeverisë z. Dimitar Kovaçevski, Zëvendës kryetarit të parë të Qeverisë z. Artan Grubi, ambasadores së SHBA-ve znj. Angela Ageeler, si dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve z. Blagoj Boçvarski, marrëveshjen e nënshkruar e quajti si moment historik pasi që bëhet fjalë për projektin më të madh infrastrukturor deri më tani në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kjo është një Marrëveshje për gjeneratat e ardhshme, sepse me fillimin e ndërtimit të katër autostradave: Tetovë-Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep -Manastir, fillon të realizohet projekti më i madh në infrastrukturën rrugore në vendin tonë. Përfitimet do të jenë të shumëfishta për zhvillimin ekonomik, për ndërlidhje më të mira rrugore me rajonin dhe Evropën, për udhëtime më të shpejta dhe më të sigurta për të gjithë në komunikacion.”

Rustemi mes tjerash tha se dinamika e ndërtimit do të respektohet në maksimum.

Ndërtimi i këtyre dy korridoreve evropiane do të ndikojë jashtëzakonisht në zhvillimin më të shpejtë ekonomik, lidhjet më të mira me fqinjët dhe korridoret evropiane”, ka theksuar Ejup Rustemi.

Nga ana tjetër Mark Allison, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Bechtel&Enka” gjatë nënshkrimit të kontratës në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut tha se “Bechtel&Enka ka një histori të gjatë në ofrimin e projekteve, veçanërisht të atyre komplekse. Ne morëm përgjegjësinë që të sigurojmë standardin më të lartë që është shumë serioz për këtë projekt.

Nga ana tjetër, kritikët shprehin dyshime për këtë projekt, bisedimet për të cilin kanë zgjatur më shumë se çduhet. Kryetari i OEMVP- së z. Mendi Qyra në një prononcim për kdp.mk thotë se projekti i korridorit 8 dhe 10-D është vonuar, ngase siç thotë ai, përfitimet potenciale që RMV i posedon, i ka lëshuar përgjatë viteve që e ka neglizhuar projektin në fjalë.

QYRA: MIRATIMI I i KORRIDORIT 8 DHE 10-D, I RËNDËSISHËM, NJËKOHËSISHTË EDHE I VONUAR.

Korridori 8 si projekt vlerësojmë se është i vonuar ngase përfitimin potencial që vendi ynë e ka lëshuar përgjatë këtyre viteve të mos realizimit dhe ndërtimit të saj, është shumë i madh. Në anën tjetër, ne si vend kemi krijuar reputacion të keq të infrastrukturës rrugore për shkak të investimeve minimale në këtë drejtim derisa shtetet fqinje investonin qindra miliona apo miliarda euro duke e përshpejtuar ekonominë dhe rritjen e tyre,” thotë Qyra.

Sipas tij, arsyeja pse ky korridor është i rëndësishëm, është se në RMV kryqëzohen dy korridore të mëdha panevropiane, korridorit 8 dhe 10-D, duke i dhënë kështu qasje çdo ekonomie dhe shërbimi transportues që kalon në Maqedoninë e Veriut.

Me këtë i jepet qasje direkte çdo ekonomie dhe shërbimi transporti që kalon nëpërmjet RMV-së duke u i kryqëzuar për Detin e Zi apo Adriatik, ku në këtë moment, shumë transportues dhe kompani ndërkombëtare e shfrytëzojnë vetëm portin e Selanikut si mundësi më e mirë me infrastrukturë adekuate dhe moderne. Gjithashtu e kemi edhe elementin kombëtarë ku përmes këtij projekti realizojmë qëllimet gjeostrategjike për lidhshmëri ekonomike të trojeve shqipfolëse”, thotë ai.

Qyra për më tepër shtjellon edhe benefitet që do të dalin nga korridori 8 dhe 10-D, në rast se ndodhë realizimi i shpejtë i këtij korridori.

Në rast të realizimit të shpejtë të këtij projekti, bizneset do të kenë qasje më të shpejtë dhe më të mirë në detin Adriatik apo portin e Durrësit por edhe në Detin e Zi, kështu duke kursyer kohë, e me çka si rrjedhojë arrijnë deri tek përshpejtimi i veprimtarisë së tyre afariste. Çrrënjosja e konceptit monopol të portit të Selanikut është e rëndësishme për shkak të kostove më të lira qoftë në aspekt financiar, por edhe në aspekt kohor, është segmenti më i rëndësishëm ndoshta i cili do të ndjehet pas realizimit dhe vënies në përdorim të këtij projekti infrastrukturor, por duke mos harruar mjetet prej mbi 1.2 miliardë euro të cilat do të shpenzohen e që do të gjallërojnë ekonominë e vendit në përgjithësi,” thotë kdp.mk Qyra

Ndryshe, zëvendës kryetari i Qeverisë, Artan Grubi në një prononcim për Euronews Albania ka folur për sfidat dhe historikun e Korridorit 8. Sipas të njëjtit ky projekt është “sfiduar” dy herë në gjykatën Kushtetuese. Grubi mes tjerash siguroi se gjithçka do të shkojë mirë, dhe kjo do të shkurtojë edhe më shumë diferencën mes Shkupit, Durrësit po edhe Vlorës.

Më 22 prill vendoset gur-themeli dhe fillimi i punimeve. Jemi në bisedime me Qeverinë shqiptare për ndryshimin e pikës kufitare, nga Qafë Thana në Ladorishtë. Projekti I dytë është ndërtimi i hekurudhës nga Kërçova në Pogradec”, ka thënë Grubi.

Të fundit