E premte, 26 Prill, 2024

INSPEKTORATI NË TERREN, ÇDO SHKELJE E VENDIMIT PËR ÇMIMIN E BUKËS DO NDËSHKOHET

Disa subjekte tregtare tashmë janë gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të qeverisë për çmimin e bukës. Ditëve të fundit Inspektorati Shtetëror i tregut ka qenë më aktivë në terren për të kontrolluar respektimin e çmimit të bukës. Bëhet e ditur se përgjithësisht shitësit me pakicë dhe shumicë respektojnë vendimin e qeverisë. Nga  Inspektorati Shtetëror i Tregut theksojnë se do të vazhdojnë të zbatojë intensivisht kontrollet dhe mbikëqyrjet pas vendimeve të qeverisë dhe se nuk do të lejojnë të ketë devijime dhe kushdo që tenton të shkelë në çfarëdo mënyre këto vendime do të ndëshkohet.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Inspektorati i tregut ka kryer mbi 250 kontrolle në territorin e gjithë Maqedonisë. Ajo që është konstatuar nga mbikëqyrjet dhe kontrollet është se një numër më i madh i tregtarëve respektojnë vendimet e qeverisë. Buka shitet me çmim nga 28 deri në 33 denarë, varësisht nga pesha dhe qyteti ku janë kryer kontrollet dhe mbikëqyrjet, ndërsa shitësit me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore në përgjithësi e respektojnë obligimin për prodhimin dhe nxjerrjen në treg të bukës që mbulohet me Vendimin e Qeverisë, në një sasi prej të paktën 80% të prodhimit të kësaj buke në muajin dhjetor 2022.

Aty ku janë konstatuar kundërvajtje janë lëshuar gjithsej 6 urdhërpagesa për kundërvajtje në vlerë prej mbi 960,000 denarë.

Inspektorati Shtetëror i Tregut do të vazhdojë të zbatojë intensivisht kontrollet dhe mbikëqyrjet pas vendimeve të qeverisë. Nuk do të ketë devijime dhe kushdo që tenton të shkelë në çfarëdo mënyre këto vendime do të ndëshkohet.

Bëjmë apel tek tregtarët që çmimi dhe dërgesën e bukës ta përshtatin sipas vendimeve, sepse në të kundërtën do të përballen me gjoba shumë të larta, që variojnë nga 800 deri në 10,000 euro, në varësi të madhësisë së subjektit ekonomik dhe nën juridiksionin e ligjit mbi tregtinë.

Të fitohet në kurrizin e qytetarëve, në këtë kohë, kur të gjithë duhet të tregojmë solidaritet, kjo sipas meje është diçka më e keqe që mund ta bëjë cilado kompani, kështu është shprehur kryeministri Dimitar Kovaçevski duke e komentuar vendimin ekzekutiv për ngritje të çmimit të bukës në 33 denarë. Kovaçevski thotë se kompanitë tashmë me ligj janë të obliguar që të prodhojnë 80% të sasive që kanë prodhuar në dhjetor të vitit të kaluar, në mënyrën që mos të ketë mungesë të bukës.

“Qeveria tashmë ka marrë vendim shtesë, me të cilin i obligon kompanitë 80% të sasive që i kanë prodhuar në dhjetor, me patjetër t’i prodhojnë edhe tani dhe t’i shpërndajnë te tregtarët”, tha mes tjerash Kovaçevski duke shtuar se autoritetet do të jenë vigjilente për të kontrolluar nëse do të respektohet vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës si dhe vendimi për prodhim të vazhdueshëm të së njëjtës.

Gjithashtu reagim ka pasur edhe nga kreu i VMRO-DPMNE-së, i cili është shprehur se në vend se të flasim për inteligjencën artificiale dhe zhvillimin teknologjik, në shekullin 21, ne flasim se si të sigurojmë bukë. Ai fajëson qeverinë për situatën e krijuar.

“Kjo është një zgjidhje ad-hoc sot për nesër, nuk është zgjidhje që mund të sigurojë një çmim të pranueshëm për qytetarët. Qeveria duhet t’i mbështesë të gjithë ata që e prodhojnë këtë produkt bazë që qytetarët ta blejnë me çmim më të lirë. Ne sot, për fat të keq, thyejmë rekorde për inflacion dy herë më të lartë se ai në BE, nuk kemi asnjë politikë ekonomike, kryeministri dhe ministrat bëjnë reklama boshe duke u fotografuar nëpër markete me dy copa bukë në dorë, në vend se ta zgjidhin problemin”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

 

Të fundit