E enjte, 25 Prill, 2024

STRUGAR MITEVSKA: MBASE FALJA ËSHTË E PAMUNDUR, AMA KOMUNIKIMI ËSHTË I DOMOSDOSHËM

Regjisorja maqedonase Teona Strugar Mitevska flet për Al Jazeera për filmin “Njeriu më i lumtur në botë”, i cili sjell një këndvështrim mbi traumat e luftës dhe flet për rëndësinë e bisedës në procesin e pajtimit. Pas sukseseve të mëparshme me “Kur dita nuk kishte emër” dhe “Perëndia ekziston, quhet Petrunija”, regjisorja maqedonase Teona Strugar Mitevska bashkoi sërish forcat me skenaristen boshnjake Elma Tataragiq, duke vazhduar kështu me të bashkëpunimin shumëvjeçar. Suksesi nuk mungoi as këtë herë. Realizimi i tyre më i ri – filmi “Njeriu më i lumtur në botë” – pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Venecia, ku publiku e ndoqi filmin me ovacione të gjata. Pas një jete të suksesshme festivali, që pasoi, filmi “Njeriu më i lumtur në botë” do të mbërrijë më nëntë mars edhe në kinematë e Bosnjë e Hercegovinës.

Me këtë rast, transmeton kdp.mk, Strugar Mitevska foli për Al Jazeera për procesin e punës në këtë film, rëndësinë dhe domosdoshmërinë e ballafaqimit me të kaluarën, si dhe për bashkëpunimin me Elma Tataragiqin.

– Me çfarë emocionesh e pritni premierën e filmit këtu, sidomos nëse kemi parasysh se pjesa më e madhe e ekipit të filmit është pikërisht nga Bosnjë e Hercegovina?

– Kjo premierë është në njëfarë mënyre më e rëndësishmja për ne. Jemi shumë të emocionuar – edhe Elma edhe unë. Mendoj se kemi bërë një film shumë të rëndësishëm, veçanërisht në perspektivën e asaj që po ndodh në Ukrainë. E di që nuk do të jetë e lehtë për të gjithë ta shikojnë, por filmi është i përshkuar nga humori dhe në të ka shumë njerëzillëk, ndaj shpresoj që publiku do të reagojë mirë dhe do të shkojë ta shohë filmin.

– Cilat kanë qenë reagimet e deritashme të publikut?

– Në Venecia, për shembull, ishte shumë interesante. Pas shfaqjes, m’u afrua një burrë dhe më tha: “Ky film është historia ime”. Kur e pyeta se si, më shpjegoi se ishte plagosur dhe se Kryqi i Kuq e kishte çuar në Itali, ku edhe mbeti. Pastaj më tha se nuk e dinte si do të ndihej nëse do ta takonte njeriun që e plagosi, por pas rrëfimit prej pesë minutash për atë që i kishte ndodhur dhe analizimit të situatës, tha se “ndoshta nuk do të ishte keq,” sepse do të donte  t’i bënte disa pyetje në mënyrë që në fund të përfundonte se “do të donte shumë ta takonte”. Janë këto momentet kur kupton gjithçka.

Ne e bëmë këtë film për të filluar bisedën, sepse ajo luftë ndikoi shumë tek ne, ndryshoi rrjedhën e jetës sonë. Ndërsa ne kurrë nuk patëm mundësinë të flisnim, si për shembull njerëzit në Gjermani apo në Afrikën e Jugut. Dhe pikërisht me këtë ide e bëmë filmin, po shikojmë që  më në fund  të shikojmë njëri-tjetrin dhe të fillojmë të flasim. Pra, nuk është e thënë të biem dakord për gjithçka, por është e rëndësishme të flasim.

-I paralajmëruar si një film kundër luftës, me ndodhinë e vendosur në të tashmen, ju sillni një vështrim interesant mbi traumën e luftës të gërshetuar me humor të zi me kryeprotagonistin që në fakt kërkon falje. Sa na është kjo e domosdoshme që  të shkojmë përpara si shoqëri dhe në të vërtetë në çfarë rrethanash është realisht e mundshme?

– Mendoj se është thelbësore, se është e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të ndërtuar të ardhmen. Unë nuk jam psikiatre, as psikologe, por kemi bërë shumë kërkime gjatë shkrimit të skenarit dhe mendoj se përballja është e vetmja mënyrë. Falja mbase mund të jetë e pamundur, ama të bisedosh është e domosdoshme.

– Duke qenë se filmi bazohet në një histori të vërtetë (skenaristja e shndërroi historinë e vet intime në një skenar), sa ishte më e madhe përgjegjësia gjatë punës në film?

– Unë jam nga Maqedonia e Veriut dhe në fillim ky ishte një problem i madh për mua, pyesja veten “pse unë?” dhe “kush jam unë që ta tregoj këtë rrëfim”?. Përafërsisht, ajo njëfarë autocensure ishte pengesa ime më e madhe, m’u desh kohë të futesha thellë në problematikën e situatës, në mënyrë që në një moment thash: “OK, mund ta bëj këtë, lufta në ish-Jugosllavi është edhe në njëfarë mënyre edhe historia ime”.

Gjatë përgatitjeve për të punuar në këtë film, ne bëmë shumë kërkime dhe morëm dëshmi nga e gjithë Bosnja e Hercegovina, ky proces zgjati dy vjet. Teksa kridhesha thellë në tematikë, kuptova se sa shumë nuk e di, sa pak di për atë që ka ndodhur realisht dhe sa komplekse është e gjithë kjo tematikë, por Elma vendosi që nga të gjithë regjisorët, unë të mund ta tregoja atë histori. Është ky rrëfimi i saj dhe ajo ma dha këtë të drejtë. Atëherë kuptova se është kjo një dhuratë e madhe, është besim dhe përgjegjësi që diçka që është kaq private ta bësh në mënyrën më të përgjegjshme dhe më të ndershme.

Prandaj punuam shumë, kurse gjatë procesit shumë histori dhe dëshmi që i dëgjuam nga të gjitha pjesët e Bosnjë e Hercegovinës u integruan në vetë skenarin. Puna për këtë film ishte një bashkëpunim i pastër. Është historia e Zoranit dhe Asjes, por për të kuptuar kontekstin e rrëfimit, personazhet dytësore u bënë aq të rëndësishme, saqë përmes përvojave të tyre personale gjetën një pjesë në vetë skenarin.

-Nga lindi ideja që përmes konceptit ‘speed date’ këtë temë ta bëni edhe më të kapshme për publikun?

– Kur vendosëm të bënim filmin, në një moment menduam se çfarë është më universale, çfarë është ajo me të cilën kushdo në botë mund të lidhet, pavarësisht se nga është dhe ku jeton. Ka shumë filma me temën e luftës, kështu që dëshiruam të bëjmë diçka bashkëkohore, diçka me të cilën secili mund të lidhet. Atëherë Elma tha se tema e dashurisë është universale, të gjithë janë në kërkim të dashurisë dhe i lindi ideja  që kjo të jetë ‘speed date’. Dhe, ashiqare kjo është e vërtetë, përndryshe filmi nuk do të distribuohej në kaq shumë vende.

-Fjala është për vazhdimin e bashkëpunimit afatgjatë me Elma Tataragiqin. Cila është ajo gjëja kryesore që ju bashkon dhe si do ta përshkruanit procesin tuaj kreativ autorial?

– Gjetja e bashkëpunëtorit të vërtetë nuk është punë e lehtë, ashtu siç nuk është e lehtë të gjesh partnerin e vërtetë. Kujtoj se në punën tonë kryesore është që asnjëherë nuk bëhet fjalë për ego, por përherë punojmë mbi thelbin e idesë. Gjithçka që bëjmë është në funksion të filmit që në atë moment përpiqemi ta bëjmë.

Është gjithashtu interesante që ne gjithmonë dëgjojmë njëra-tjetrën. Përveç kësaj, ne krijojmë, shkruajmë, fshijmë, së bashku… Funksionojmë dhe punojmë në atë mënyrë që ndonjëherë nuk e dimë se çfarë është bërë nga cila. Ne plotësojmë njëra-tjetrën dhe mendoj se kjo është arsyeja kryesore e suksesit të bashkëpunimit tonë. Kemi një bashkëpunim vërtet të mrekullueshëm që siç po shihet do të thotë jetë.

– Filmi u realizua koproduksion të Maqedoni së Veriut, Kroacisë, Sllovenisë, Danimarkës, Belgjikës dhe Bosnjë e Hercegovinës. Sa të rëndësishme janë bashkëpunimet kreative  dhe koproduksionet nga rajoni dhe a e bëjnë ato më të fortë kinematografinë rajonale?

– Më herët nuk besoja në koproduksionet rajonale, por tani e kuptoj se kjo është thelbësore, se kjo forcon bashkëpunimin, forcon mirëkuptimin… Kur fillon të punosh me dikë nga rajoni, e kupton se sa të ngjashëm jemi, sa shumë mirëkuptohemi në çdo aspekt, dhe atëherë ky bashkëpunim është edhe më i fortë. Sigurisht, pyesniedhe pse u desh ajo luftë. Është shumë interesante se si arti shkon gjithmonë para politikës.

– “Njeriu më i lumtur në botë” tashmë ka fituar çmime në festivalet në Francë, Athinë, Portorozh dhe në SHBA. Çfarë përfaqësojnë ato për jetën dhe promovimin e mëtejshëm të filmit?

– Sa më gjatë që jam në këtë profesion, aq më shumë e kuptoj që më e rëndësishmja që filmi yt të shihet, kurse kinematografitë tona të vogla çmimet i ndihmojnë që filmi të distribuohet. Mendoj se është e rëndësishme që filmi të gjejë rrugën e tij drejt publikut dhe çmimet luajnë një rol të rëndësishëm në këtë. Por  merremi me art para së gjithash që këtë botë ta bëjmë më të mirë, jo për shkak të egos apo çmimeve, dhe këtu ky qëndrim ndaj shpërblimeve më duket pak problematik.

– Cilat janë planet tuaja të mëtejshme kur flasim për promovimin dhe distribuimin e filmit dhe cilat kur flasim për punën tuaj të mëtejshme?

– Tani jemi duke e promovuar filmin në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe pas kësaj shkojmë në një turne evropian në Francë, Zvicër, Danimarkë, Suedi, Itali, Gjermani… Paralelisht me këtë po punoj një film tjetër me Elma Tataragiqin, xhirimi i të cilit planifikohet vitin e ardhshëm.

Filmi “Njeriu më i lumtur në botë” ishte kandidati i sivjetshëm i Maqedonisë së Veriut për çmimin  Oscar.

Ekipin e aktorëve, të cilit i prijnë Jelena Kordiq-Kuret dhe Adnan Omeroviq, ndër të tjerë e përbëjnë Izudin Bajroviq, Vedrana Bozhinoviq, Irma Alimanoviq, Mona Muratoviq, Labina Mitevska, Ana Kostovska, Ksenija Marinkoviq, Sinisha Vidoviq, Nikolina Kujaça dhe Kemal Rizvanoviq.

Drejtore e fotografisë është Virginie Saint Martin, montazher Per K. Kirkegaard, kostumografe  Monika Lorber, skenograf Vuk Mitevski, ndërsa drejtore e kastingut Timka Grin./balkans.aljazeera.net/

Të fundit