E hënë, 29 Prill, 2024

ÇMIMET SI NË EVROPË, TË ARDHURAT MUJORE PESË HERË MË TË ULËTA

Ndërkohë që çmimet e produkteve bazë ushqimore janë përafërsisht të njëjta me vendet evropiane, të ardhurat mujore të qytetarëve, gjegjësisht kufiri i pagës minimale është përafërsisht pesë herë më i ulët në Maqedoninë e Veriut në krahasim me vendet evropiane. Sipas të dhënave më të fundit , paga minimale në Maqedoninë e Veriut është tri herë më e ulët se harxhimet mujore për një familje.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Sindikata dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut në 31 janar të vitit të shkuar arritën marrëveshjen për rritjen e pagës minimale nga 15,000 denarë (250 euro) në 18,000 denarë (300 euro), ndërkohë që vendimi do të hynte në fuqi nga muaji mars të po këtij viti dhe do të përfshijë 80.000 punëtorë të ndërmarrjeve të vogla, të sektorit të tregtisë dhe industrisë përpunuese.

Paga mujore minimale në Maqedoninë e Veriut është ndër më të ulëtat në rajon dhe gjithashtu është e barabartë me mëditjen ditore që e fitojnë punëtorët në shtetet më të zhvilluara ekonomike perëndimore. Gjithashtu, paga minimale prej 18.000 denarë apo prej 300 euro, në bazë të çmimeve stratosferike të produkteve ushqimore bazë, të energjisë elektrike etj, është tre herë më e vogël se harxhimet mujore të një familje që dëshmon edhe hendekun e madh midis nevojave dhe kërkesave, gjegjësisht të standardit të ulët të punëtorëve në Maqedoninë e Veriut që shumë pak iu paguhet mundi i tyre në raport me kolegët e tyre në perëndim.

Në vende të Europës, siç është Zvicra apo Gjermania, paga minimale është pesë herë më e lartë se në Maqedoninë e Veriut. Në Zvicër paga minimale është 3800 franga, ndërsa në Gjermani 1600 euro. Ndërkohë çmimet e ushqimeve bazë janë shumë më të volitshme se sa në vendin tonë ku paga minimale është 300 euro.

Në Maqedoninë e Veriut çmimet e ushqimeve bazë janë si më poshtë:       

1kg miell – 64 den, 1kg sheqer – 51 den, 1kg kripë – 33 den, 1l vaj – 137 den, 1kg mish viçi – 420 den, 1kg mish pule – 300 den.

Në Zvicër çmimet e ushqimeve bazë janë si më poshtë:

1kg miell – 1.50 fr, 1kg sheqer – 0.95 rap, 1kg kripë – 0.95 rap, 1l vaj – 4.95 fr, 1kg mish viçi – 29.90 fr, 1kg mish pule 23.30 fr.

Në Gjermani çmimet e ushqimeve bazë janë si më poshtë:

1kg miell – 60 cent, 1kg sheqer – 1 euro, 1kg kripë – 50 cent, 1l vaj – 3 euro, 1kg mish viçi – 10 euro, 1kg mish pule – 5 euro.

Nëse shikojmë çmimet dhe pagën minimale në të tre shtetet, Zvicra ka standardin më të lartë si nga paga minimale ashtu edhe çmimet e ushqimeve bazë janë të volitshme për këtë standard. Ndërsa nëse shikojmë Maqedoninë e Veriut në krahasim me Gjermaninë, çmimet e ushqimeve bazë janë pothuajse të njëjta edhe pse Maqedonia e Veriut ka pagën minimale shumë më të ulët (300 euro) se Gjermania (1600 euro).

Në bazë të këtyre parametrave krahasuese mund të krijohet gjithë peizazhi i standardit të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut që është shumë më e ulët se në vendet e Evropës. Ndërkohë që çmimet e produkteve bazë ushqimore janë përafërsisht të njëjta me vendet evropiane, të ardhurat mujore të qytetarëve, gjegjësisht kufiri i pagës minimale është shumë herë më i ulët në Maqedoninë e Veriut.

Kjo tregon se qytetarët jetojnë në kushte të vështira dhe me standard të rrënuar ekonomik dhe social.

 

Të fundit