E enjte, 2 Maj, 2024

TAKIMET KURTI-VUÇIQ NGA BRUKSELI BARTEN NË OHËR, DAUTI: UJDI E PANËNSHKRUAR

“Nënshkrimi nuk është bërë me siguri për shkak se kjo nuk është marrëveshje finale. Por, është sërish një kornizë, brenda së cilës, palët janë pajtuar që t’i vazhdojnë bisedimet”, thotë Dauti për KDP.mk.

Shkruan: Enis Shaqiri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të vazhdojnë negociatat për normalizim të marrëdhënieve më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Lajmin e ka konfirmuar edhe i dërguari i BE-së në këtë dialog, Mirosllav Lajçak, pas një takimi me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq.

Pas takimit të mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia siç duket kanë rënë dakord që t`i përmbahen propozim-marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes tyre.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, si dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të hënën në Bruksel, njoftuan se të ftuarit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq, e kanë pranuar “propozimin evropian” e që ndryshe quhej edhe si “propozimi franko-gjerman

Pas takimit, në deklaratën e tij, Borell tha se “nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave,” duke shtuar se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Siç edhe u mësua, ky propozim duhet të jetë korniza për negociata të mëtejshme mes dy shteteve. Por plani nuk është nënshkruar ende, dhe tani duhet të përcaktohet edhe plani i zbatimit.

Dauti: Neni i 7, pikë delikate për të dyja vendet

Në një prononcim për kdp.mk, gazetari dhe publicisti Daut Dauti thekson se plani franko-gjerman apo propozimi i Unionit Evropian i quajtur ndryshe si ‘Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit mes Kosovës dhe Sërbisë’, është finalizuar. Ai thotë se që të dy palët e dikurshme ndërluftuese, pra Prishtina dhe Beogradi, për shkak të konsumimit të brendshëm politik, e kanë quajtur marrëveshjen si fitore të anës së tyre.

Kjo është një marrëveshje si e pazakonshme për shkak se është pranuar, por nuk është nënshkruar, siç kërkojnë rregullat apo normat ndërkombëtare. Nënshkrimi nuk është bërë me siguri për shkak se kjo nuk është marrëveshje finale. Por, është sërish një kornizë, brenda së cilës, palët janë pajtuar që t’i vazhdojnë bisedimet. ‘Duhet ende shumë punë’ – ka deklaruar edhe kryesuesi i politikës së jashtme të Unionit Evropian, Josep Borrell, i cili është edhe ndërmjetësuesi kryesor, nën patronatin e të cilit zhvillohen këto bisedime të gjata që besohet se do të përfundojnë në fund të ketij viti“, thotë Dauti.

Propozim-marrëveshja që u bë publike pas rundit të dialogut nga Bashkimi Evropian, përfshinë 11 pika apo nene, ku palët do të duhet të zotohen për t’i respektuar dhe zbatuar. Ndërkaq këto nene sipas Dautit pak a shumë janë publikuar edhe më parë, dhe se nuk ka shumë elemente të reja në marrëveshjen në fjalë.

Në realitet nuk ka shumë elemente të reja në këtë marrëveshje. Neni 7 i marrëveshjes përmban temën për të cilën vazhdohet të flitet në media dhe qarqe politike. Këtu bëhet fjalë për atë që në zhargonin e mediave sociale quhet ‘Zajednicë’. Por në marrëveshje është përdorur shprehja ‘self-management’, që në shqip përkthehet si vetë-qeverisje e që është një term i gjerë. Po në këtë nen flitet edhe për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë. E tërë kjo është në rregull, sipas çdo interpretimi

Dauti për më tepër shtjellon problematikat që do të lindin në të ardhmen nga neni i 7, ku thuhet se palët do të duhet ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Sipas tij, kjo problematikë nuk do të jetë zgjidhje e lehtë pasiqë Beogradi do të insistoj që kjo shkallë të jetë sa më e lartë

Megjithatë, problemet do të lindin në të ardhmen dhe për arsyen se si do t’i kuptojnë dhe si do t’i interpretojnë palët këto dy çështje apo edhe pikat tjera. Me pak fjalë, sa pushtet ekzekutiv apo cila është shkalla e autonomisë për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe cili do të jetë statusi i Kishës? Kjo nuk do të jetë zgjidhje e lehtë për shkak se Beogradi do të insistoj që kjo shkallë të jetë sa më e lartë kurse Kosova kërkon që kjo të jetë sa më e ulët. Pra, çështjet e vështira kanë mbetur për t’u diskutuar dhe për të marrë vendime në të ardhmen“, thotë Dauti

Për fund, Dauti thotë se në të kaluarën Serbia ka dëshmuar se nuk i ka zbatuar marrëveshjet. Nga kjo përvojë, sipas tij, duhet të parashtrohet pyetja se pse pritet që Serbia ta ndryshojë qëndrimin? Natyrisht, përgjigjja varet nga fakti se sa është i gatshëm ndërmjetësuesi (Unioni Evropian, por edhe SHBA), t’i bëjë presion Serbisë.

Kujtojmë se propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili i është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë, është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takimin e së hënës mes Kosovës dhe Serbisë e cilësoi si hap të rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Siç njoftoi edhe Zëri i Amerikës, Escobar ka theksuar se, marrëveshja bazike për të cilën palët u pajtuan, vendos kushtet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre duke shfaqur besimin se marrëveshja do të zbatohet.

Dakliq: Të hënën në Bruksel, Kosova u pranua de-facto

Nga ana tjetër, analisti serb Radomir Dikliq për tv N1 ka komentuar takimin e ditës së hënë në Bruksel. Sipas tij, Serbia as nuk ka fituar, mirëpo as nuk ka kapitulluar, por de fakto është pranuar se Kosova është e pavarur, ndërsa kjo përmes zbatimit dhe me kalimin e kohës në një moment edhe do të zyrtarizohet me disa nënshkrime.

Të gjithë fituan dhe të gjithë humbën. Kapitulim ishte Marrëveshja e Kumanovës. Kemi një dokument që është një bazë e mirë, me kusht që asnjëra palë të mos tentojë ta anashkalojë me marifellëqe, zvarritje të ndryshme, duke krijuar hartën rrugore që është si rruga për në Hënë”, ka thënë drejtori i agjencisë së lajmeve Beta, Radomir Dikliq.

Radomir Dikliq

Dakliq mes tjerash ka shtuar se në nenin 7 shkruhet se duke përdorur përvojat evropiane, komunitetit serb do t’i sigurohet që të mund të komunikojë me autoritetet e Kosovës në kontekstin e vetadministrimit, por se nuk shkruan BKS.

Kurti do të detyrohet të pajtohet për BKS-në, vetëm se është ështje nëse do të jetë para ose në kuadrin e negociatave të mëtejshme. Sepse u pajtuan se nuk do të ketë parakushte. Nëse ne insistojmë së pari BKS, ky është parakusht”, transmeton kdp.mk deklaratën e Radomir Dikliç për televizionin N1.

Mësohet se, takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit, do të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

Burimet nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për agjencinë Maqedonase të lajmeve MIA, bëjnë të ditur se Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski është i gatshëm të jetë nikoqir i takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si pjesë e vazhdueshme e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit.

Të fundit