E hënë, 6 Maj, 2024

IDEOLOGJIA E PARTIVE: KRONIKË E HYRJE-DALJEVE NË QEVERI

Çfarë duhet bërë? Është kohë rirreshtimesh dhe rigrupimesh, pra një moment ideal për definimin ideologjik të partive. Pa një set vlerash dhe parimesh të njëjta politike, nuk mund të lidhen koalicione afatgjate. Vetëm interesi konkret politik, jo vetëm që sjell shpërbërjen e shpejtë të koalicioneve, por njëkohësisht nxit klientelizmin politik dhe tkurr numrin e votuesve.

Shkruan: Xhelal Neziri

Që nga rotacioni i pushtetit në vitin 2017, kur LSDM-ja mori mandatin për të formuar Qeverinë pas 10 viteve të kaluara në opozitë, pallati i bardhë i stilit barok në rrugën “Ilindenska p.n.” në Shkup i ka ngjarë shumë shtëpisë së “Big Brother”-it. Jo për nga forma apo orenditë, por për nga mënyra e funksionimit.

Partnerët e koalicionit qeverisës hyjnë dhe dalin njëjtë sikurse edhe banorët e shtëpisë së “reality show” –ut më të famshëm në opinionin tonë publik. Intrigat, prapaskenat, skenarët, klanet dhe paqartësitë kanë krijuar dramaticitete që kanë mbajtur të gozhduar shikuesin/dëgjuesin/lexuesin.

Të shkojmë me radhë. Në vitin 2017 u formua qeveria që u votua nga 62 deputetë, aq sa numëronin partitë partnere në pushtet – LSDM, BDI, ASH. Një vit më pas, ASH, që kishte tre deputetë, e braktisi qeverinë dhe në vend të saj në pushtet hyn Alternativa. Kjo parti sapo ishte formuar, pas një çarje të brendshme të Lëvizjes BESA, e cila doli në skenë në vitin 2015.

Nuk kaluan dy vite, Alternativa ngeli jashtë qeverisë, ndërkohë që pjesë e saj u bë Lëvizja BESA. Ajo kishte lidhur koalicion parazgjedhor me LSDM, i cili i solli një rezultat të kënaqshëm, duke fituar madje katër deputetë.

Nga zgjedhjet e 2020, LSDM me 46 dhe BDI me 15 deputetë të fituar mbërrijnë në shumicën bazike parlamentare, me të cilën votohet Qeveria, por nuk funksionon Parlamenti. Pjesë e këtij pushteti ishte edhe PDSH-ja me një deputet.

Një vit më pas, sërish ndryshime: BESA braktisi qeverinë, në vend të saj u rikthye Alternativa. BESA doli me tre deputetë pasi një tashmë ia kishte marrë LSDM nga lista e përbashkët e zgjedhjeve parlamentare, pas zgjedhjes së Bilall Kasamit kryetar i komunës së Tetovës. Alternativa hyri me 4 deputetë, aq sa kishte marrë në listën e përbashkët me ASH-në, me të cilën garuan bashkë në zgjedhjet e fundit parlamentare. BESA deshi ta rrëzojë qeverinë duke bashkëpunuar me VMRO-DPMNE dhe ASH, Alternativa e shpëtoi. Shpëtimtar doli edhe Kastriot Rexhepi, deputet i BESA-s, i cili në momentin e fundit votoi në favor të qeverisë.

Pas këtyre manovrave, shumica e re parlamentare numëronte 64 deputetë: 44 të LSDM-së, 15 të BDI, katër të Alternativës, një i PDSH dhe një i pavarur.

Dramë e madhe sërish në fillim të vitit 2023. ASH rikthehet në pushtet, Alternativa del jashtë! ASH tash hyn si një partner më me rëndësi pasi ka tetë deputetë, kurse Alternativa me katër duket e panevojshme. Pesha e ASH-së rritet edhe për shkak të tendencës së “Grupit të Zjarrit” për t’u shkëputur nga BDI, duke e rrezikuar ta pakësojë shumicën parlamentare për tre deputetë.

Kjo tollovi politike është rezultat i mungesës së një ideologjie të qartë te partitë politike shqiptare, e cila do të shërbente si busull që do t’i shpinte në drejtimin e duhur. Pa këtë busull politike këto parti do të vazhdojnë të ecin duke u udhëhequr nga interesat e grupeve të caktuara në momente të caktuara, pa një strategji të qartë afatgjate.

Çfarë duhet bërë? Është kohë rirreshtimesh dhe rigrupimesh, pra një moment ideal për definimin ideologjik të partive. Pa një set vlerash dhe parimesh të njëjta politike, nuk mund të lidhen koalicione afatgjate. Vetëm interesi konkret politik, jo vetëm që sjell shpërbërjen e shpejtë të koalicioneve, por njëkohësisht nxit klientelizmin politik dhe tkurr numrin e votuesve. Në të njëjtën kohë duhet parë se si ka për të kaluar në tregun politik ideja për “Frontin Evropian” e lansuar së fundmi nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Është evidente se afrimi i zgjedhjeve kërkon edhe një ofertë që do të jetë e kapshme edhe për votuesit e të gjitha shtresave, pa harruar se problemet e mprehta të vendit kërkojnë edhe ngjeshje radhësh e jo vetëm retorikën e njohur.

Të fundit