E mërkurë, 24 Prill, 2024

REGJISORI SERB: PËR SERBINË S’KA RRUGË EVROPIANE PA NJOHJEN E KOSOVËS

Në Serbi duket se regjimi i presidentit Aleksandar Vuçiq, i gjetur përballë presionit në rritje të Perendimit, po përgatit oponionin publik për pranimin e propozimit më të ri franko-gjerman lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Sikurse transmeton kdp.mk, e përditshmja e pavarur serbe “Danas“ shkruan të hënën se aktualisht „politika e Vuçiqit është sikurse fatkeqësia në trafik të cilën nuk do të dëshironit ta shikoni“.

“Gjithçka që po bën Aleksandar Vuçiq, kreu i Partisë Progresive Serbe(SNS) në pushtet dhe ekipi i tij gjatë dhjetë viteve të fundit është tragjiko-komike. Në fakt, të gjithë këtë mund ta vëzhgojmë si një tragjedi që do të çojë, ose tashmë e ka çuar në prishjen dhe shkatërrimin e kësaj shoqërie” –  thotë për “Danas” regjisori Stevan Filipoviq.

I pyetur nëse regjimi aktual i Aleksandër Vuçiqit po përgatit opinionin publik për nënshkrimin e zgjidhjes evropiane paqësore për Kosovën, duke qenë se zyrtarët evropianë tashmë kanë paralajmëruar nënshkrimin gjatë muajit mars, ai thotë se “sikur të mund të distancohemi emocionalisht nga kjo, me siguri se të gjitha ngjarjet do t’i vëzhgonim si një komedi tepër bizare”.

“- Poenta është se ndoshta mund të gënjesh për një kohë, por nuk mund t’i gënjesh të gjithë njerëzit gjatë gjithë kohës. Kjo është politika që presidenti Vuçiq e ka ndjekur gjatë gjithë kohës. Vuçiq  dhjetë vjet e pompoi publikun vendor se Kosova është Serbi, se madje duhet të shkohet në luftë, por problemi është se bëhet fjalë për dy gjëra të ndara,” – shpjegon bashkëbiseduesi i “Danas”it dhe shton:

“- Ai i solli gjërat deri në vlim të plotë, kurse nga ana tjetër, i tha gjëra të ndryshme bashkësisë ndërkombëtare nga e cila jetojmë. Kur them bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash mendoj për Bashkimin Evropian. Nga 80 deri në 90 për qind të financave që i marrim në formë të ndihmës së pakthyeshme – i marrim nga BE-ja,” – thekson Stevan Filipoviq.

Serbia jeton nga paratë e BE-së, të cilat, nënvizon ai, fatkeqësisht shkojnë në xhepat privatë të SNS-së dhe klikave rreth tyre, dhe jo te qytetarët e Serbisë.

“- Tani si duket kësaj po i vjen fundi. Vuçiqi nuk do të mund të rrijë më në ato dy karrige dhe do të duhet të dalë nga kjo situata që krijoi. Kjo duket si një lloj fatkeqësi trafiku që nuk dëshironi ta shikoni, por vetëm mundoheni që disi ta kaloni sa më shpejt dhe të mos shihni asgjë…,”- shprehet figurativisht regjisori i njohur serb.

Sipas tij, kështu duken të gjitha paraqitjet dhe përpjekjet e Vuçiqit për t’i zhbërë gjithë ato dhjetë vjet gjatë të cilave shqiptarët e Kosovës u quajtën  “Šiptari”, disa ustashë, nëpër tabloidë të cilët, thekson ai, në fakt nuk janë gjë tjetër veçse media të regjimit, shtetit dhe ato tradicionale, si mjeti kryesor i politikës së SNS-së.

“- E kjo nuk mundet. Për shkak se Vuçiqi e ka forcuar të djathtën në atë masë sa që ajo të  do të metastazohet vet, të hyjë në diçka shumë më problematike dhe do të vazhdojë të na shkaktojë probleme në të ardhmen. E majta, nga ana tjetër, nuk ekziston, kurse e gjithë opozita nuk shoh që ka një axhendë evropiane që do të mund të na ndihmojë në kuptimin e unanimitetit – të dënojë edhe agresionin rus kundër Ukrainës dhe gjithçka me rradhë…,” – vlerëson Stevan Filipoviq. Sipas tij, aktualisht Vuçiqi është i vetmuar në përpjekjen për të marrë një vendim i cili nuk ka lidhje me interesat e këtij shteti, por me përpjekjet e tij për të qëndruar në pushtet.

Përtej kësaj, Filipoviq është i bindur se njëfarë zgjidhje duhet të gjendet:

“- Dhe këtu mendoj se BE-ja dhe SHBA-ja do ta kuptojnë se nuk mund t’i lejojnë diktatorët e vegjël që kudoqoftë të jenë partnerë të tyre, sikurse ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, që e lejoi Aleksandar Vuçiqin për dhjetë vjet. Kjo në fund, siç e pamë – u kthye në Putin. Është e nevojshme të vendoset demokracia në të gjitha vendet të cilat kanë çfarëdo pretendimi evropian, ose do të mbetemi gubernë ruse,” – thotë ai.

Stevan Filipoviq tërheq vërejtjen se për Serbinë nuk ka rrugë evropiane pa njohjen dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e cila u humb në vitin 1999 me kapitulimin e Slobodan Millosheviqit.

“- Me luftën dhe krimet që ai drejtoi dhe që rezultuan me auto-frigoriferët nëpër  Batajnicë…,por edhe me nacionalizmin dhe separatizmin shqiptar, që duhet përmendur, gjithësesi. Kjo tani është një zvarritje që po zgjat dhjetë vjet dhe që na lë në këtë proces të kalbjes, ndërkohë që nga kjo përfitojnë njerëzit në pushtet. Shpresoj në fundin e kësaj”- transmeton kdp.mk deklaratën e regjisorit Stevan Filipoviq për të përditshmen e pavarur serbe “Danas”.

Të fundit