E enjte, 2 Maj, 2024

STUDIUESI BRITANIK: VUÇIQI E KURTI JANË TË VETËDIJSHËM SE DUHET TË BËJNË KOMPROMIS

Eric Gordy, profesor në University College London dhe ekspert për Evropën Juglindore, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, janë të vetëdijshëm se duhet të bëjnë  kompromis në negociatat e filluara për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe uljen e tensioneve. Sikurse transmeton kdp.mk, studiuesi britanik  ka thënë për tëpërditshmen e pavarur serbe “Danas” se BE-ja është e gatshme që të mos i kërkojë Vuçiqit ta njohë pavarësinë e Kosovës përderisa ai “premton” se nuk do të krijojë probleme. Gjithashtu ai është deklaruar se  nuk është “optimist se shtetet e rajonit do të bëhen anëtarë të BE-së, madje as Maqedonia e Veriut, sepse nuk ka shumë entuziazëm për zgjerim midis anëtarëve të Unionit”.

I pyetur të komentojë zhvillimet kritike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nëse ka  një zgjidhje të mundshme në formën e pranimit të dokumentit franko-gjerman, Gordy përgjigjet:

“- Ai dokument është i mirë si model për të ecur përpara. Është i ngjashëm me modelin e Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, kështu që Serbia dhe  Kosova nuk duhet të njohë pavarësinë e njëra-tjetrës, por duhet të bien dakord që të mos sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë, do t’ua kujtoj se kjo nuk ishte as për Gjermaninë, por sigurisht që është më e mirë se përshkallëzimet periodike. Pavarësisht se çfarë deklarojnë Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti, të dy janë të vetëdijshëm se duhet të bëjnë kompromisin. BE-ja është e gatshme ta shikojë Vuçiqin nëpër gishta dhe të mos i kërkojë njohjen e pavarësisë së Kosovës përderisa ai premton se nuk do të krijojë probleme. Është e pazakontë që themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe po shtrohet si pyetje tani, pasi ajo është dakorduar  më herët. Mendoj se është e qartë se Serbia përfundimisht duhet të bëjë një kompromis dhe të vendosë një lloj sundimi të së drejtës në veri të Kosovës. Kosova tash një kohë e ka mbështetjen e SHBA-së dhe Evropës, me përjashtim të kohës kur Donald Trump ishte president, ndaj pushteti kosovar  në ballë me Kurtin çmon e nuk ka pse të bëjë kompromise me Serbinë.

– Por Vuçiq është në pushtet në Serbi për më shumë se një dekadë. Pse BE-ja priti kaq gjatë që, si të them, ta mbërthejë pikërisht tani?

– Përgjigja më e shkurtër – për shkak të Ukrainës. BE-ja e kuptoi se duhe të zgjidh të gjitha mospajtimet,përkatësisht konfliktet, në mënyrë që të mund t’i kundërvehet Rusisë.

– Në këtë rrafsh, a do t’i vendosë Vuçiq sanksione Rusisë?

– Mendoj se ka llogaritur me mend, dmth ka bërë llogaritë – rri dhe pret se kush do të ketë epërsi. Nuk vendosi sanksione, ndërsa SHBA-të dhe BE-ja e tolerojnë, sepse e dinë se Vuçiqi ka vështirësi për shkak të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Mendoj se edhe ai e di që në fund do t’i vendosë sanksione Rusisë, por që për shkak se priti kaq shumë nuk do të marrë një minus nga BE-ja, por do të lavdërohet.

– Çfarë e ardhmeje e pret BeH-në, a do të mbetet brenda këtyre kufijve?

– Me siguri po. Unë mendoj se njerëzit nuk do të lejojnë kthimin e dhunës në Bosnje e Hercegovinë. Problemi kryesor në BeH është mungesa e kushtetutës. Kur Joseph Biden u bë president i SHBA-së, shumëkush në Uashington mendoi se ai do të vendoste fuqinë e tij në politikën e jashtme pasi, si të thuash, ai ishte i dobët në politikën e brendshme dhe se BeH mund të ishte vendi ku ai do ta bënte atë. Nuk deshi ta “prek” Kosovën. Gabim i madh që po bën bashkësia ndërkombëtare në Bosnje është se injoron shoqërinë civile, duke menduar se duke ndikuar te liderët politikë mund të ndryshojnë situatën në atë vend. Mënyra e vetme për të miratuar kushtetutën në Bosnje dhe Hercegovinë është përfshirja edhe e sektorit civil dhe që liderëve politikë t’ju propozojë njëfarë modeli. Gjithashtu, këtë po e vëshirëson momentalisht edhe Përfaqësuesi i Lartë në BeH.

– Nacionalizmi vazhdon të rritet në rajon. A mund të arrihet pajtimi?

– Nuk jam optimist se shtetet e rajonit do të bëhen anëtarë të BE-së, madje as Maqedonia e Veriut, sepse nuk ka shumë entuziazëm për zgjerim midis anëtarëve të Unionit. Mendoj se është më realiste që shtetet e rajonit të kenë një marrëdhënie të përafërt me BE-në sesa t’i bashkohen asaj. Forcimi i partive të djathta në Serbi dhe vende të tjera është një histori e vjetër. Megjithatë, prapëseprapë viteve të fundit ka punë pozitive, si fitorja e koalicionit “Mundemi” në Kroaci dhe marrja e pushtetit në Zagreb, si dhe hyrja e koalicionit “Mundemi” në parlamentin e Serbisë. Në Sarajevë ka një koalicion të ngjashëm, në Slloveni Jansha u mund… Prapëseprapë po shihen ndryshime në të menduarit e njerëzve dhe gjeneratave të reja.

– Së shpejti do të bëhet një vit nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. U befasuat nga pushtimi?

– Isha i befasuar, edhe pse njerëzit me muaj të tërë flisnin për këtë. Nuk kishte kuptim që Rusia të bënte diçka të tillë kur ajo tashmë kishte marrë të gjitha, për shembull, fakt është se Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. Rusia nuk është fuqi globale pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por mund të themi se është fuqi rajonale. Miti se është fuqi globale është shkatërruar, për shembull ai për ushtrinë e pamposhtur ruse. Në fakt, ka korrupsion në ushtrinë ruse, probleme serioze në zinxhirin komandues… po përdorin grupin Wagner dhe çeçenët, sepse nuk kanë besnikërinë e ushtarëve të tyre.

– E shihni fundin e luftës?

– E kam të vështirë të imagjinoj që Rusia të dorëzohet, kurse ndihma që po merr Ukraina nga Perëndimi është e madhe. Është e vështirë të parashikohet e ardhmja, por nëse nuk ndodh diçka vërtet dramatike, mendoj se lufta do të zgjasë shumë.

– A mund të ndalet Putini?

– Madje edhe sikur ai të mos jetë më në këtë pozicion, me siguri se do ta zëvendësonte ndonjë edhe më radikal.

Të fundit