E shtunë, 18 Maj, 2024

MIRËPRITET RRITJA E BURSAVE, KËRKOHET PËRMIRËSIMI EDHE I KUSHTEVE TJERA

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se për rreth 2700 studentë në universitetet publike dhe private do të ketë rritje të shumës së bursave nga 3300 denarë në 6050 denarë. Përfaqësuesit e studentëve në vend e mirëpresin këtë vendim, mirëpo theksojnë se shteti do të duhej të punojë edhe në rrafshe tjera për ta ngritur standardin studentor.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Shpesh i kemi dëgjuar nëpër media anëtarët e kësaj nomenklature politike se standardi studentor është top prioriteti i tyre. Ndërsa studentët në anën tjetër kanë shfaqur ankesa për mungesë kushtesh për të studiuar.

Para disa ditësh Ministria e Arsimit dhe Shkencës paralajmëroi se do të ketë rritje të shumës së bursës studentore prej 33 për qind për 2700 studentë të universiteteve publike dhe private në vend.

Përfaqësuesit e studentëve në vend e mirëpresin këtë vendim, mirëpo shprehen se shteti do të duhej të punojë edhe në rrafshe tjera për ta ngritur standardin studentor.

Kryetari i Kuvendit Studentor të UEJL-së, Demir Demiri e vlerëson faktin që shteti i ka përfshirë edhe universitete publiko-privat në marrjen e bursave.

“Kur jemi te bursat që jepen nga shteti, konkretisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës dukshëm duket që vitet e fundit janë rritur bursat, personalisht në cilësinë e një studenti që vij nga universiteti publiko-private ndjehem krenar që në bursat shtetërore jemi edhe ne,  kjo domethënë se tani më vlerësohet dija e jo institucioni. Mirëpo, sa i përket shumës së bursës çdo herë ka mundësi më shumë. Motivimi dhe konkurrenca rriten automatikisht. Kur jemi tek standardi studentor në nivel republikan, nuk jemi mirë”, thotë Demiri.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, para disa ditësh njoftoi përmes  Facebook-ut se rreth 2700 studentë nëpër universitetet publike dhe private do të iu rriten shumat e bursave nga 3300 denarë në 6050 denarë.

“Rreth 2.700 studentë, përfitues të bursave nga vitet e kaluara akademike, do të përfitojnë rritje të mjeteve, përkatësisht në të ardhmen do të marrin bursa në vlerë prej 6.050 denarë. Me këtë vendim MASH-i iu përgjigj kërkesave të studentëve ku edhe një herë e konfirmoi angazhimin për barazi dhe kujdes për këtë kategori të qytetarëve”, thekson Shaqiri.

MASH-i ende nuk ka dalë me detajet se si do të realizohet kjo masë dhe kur do të publikohet thirrja për aplikim dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Të fundit