E hënë, 29 Prill, 2024

A DO TA “ELEKTRIZOJNË” SKENËN POLITIKE ZGJEDHJET NË BULLGARI?

Enver Abdullahi: “Nëse merret parasysh se Bullgaria shkon ne zgjedhjet e pesta të radhës, politizimi i rastit në spektrin politik  në Bullgari do të reflektohet dhe fatkeqësisht do të rezultojë me deklarata shtesë  që do të thërrasin në imperativin e vendosjes së pakicës bullgare në Kushtetutë. Kjo nga ana tjetër do të bëjë trysni për arritjen e votave për ndryshimet kushtetuese. Kjo do të elektrizojë më shumë skenën politike në RMV ”

Shkruan: Enis Shaqiri

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari që do të mbahen për herë të pestë brenda dy viteve të fundit, kanë krijuar shqetësime dhe dilema se ekzistojnë implikime që këto zgjedhje të pengojnë procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.

Ishte shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, ai i cili sot ka paralajmëruar institucionet bullgare të ndalojnë ciklin e përkeqësimit të marrëdhënieve dhe të rivendosin agjendë pozitive të marrëdhënieve Shkup-Sofje.

Osmani tha se Maqedonia e Veriut nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë provokimi dhe sfide veçanërisht jo në një periudhë kaq vendimtare për vendin, që gjendet në prag të hapjes së negociatave me BE-në.

Le ta lëmë diplomacinë të bëjë punën e saj. Le t’i përjashtojmë qytetarët nga këto kriza të panevojshme dhe artificiale që krijohen në kurriz të dinamikës së brendshme në njërin apo tjetrin vend. Pra, kërkoj mirëkuptim, të rikthehet agjenda pozitive dhe paqja mes qytetarëve të dy vendeve dhe të diskutohet për të ardhmen”, tha Osmani.

Sipas tij, nëse vazhdon kjo dinamikë e komunikimit, Maqedonia e Veriut vetëm do të tërhiqet në vorbullën e shoqërisë politike jostabile të Bullgarisë që si temë rezervë ka zgjedhjet e parakohshme parlamentare në horizont.

Kujtojmë se kriza politike në Bullgari filloi pas zgjedhjeve të përgjithshme në prill të vitit 2021. Për shkak të pamundësisë për të formuar një koalicion qeverisës, votuesit bullgar dolën në votim në muajt korrik dhe nëntor të vitit 2021, si dhe në tetor të vitit 2022. Mirëpo pas zgjedhjeve të tetorit 2022, përsëri dështoi mundësia për krijimin e qeverisë duke e dërguar kështu vendin përsëri në zgjedhje të reja. Ndërsa që nga prilli i vitit 2021, në pjesën më të madhe vendi ka funksionuar me qeveri teknike.

Profesori Enver Abdullahi, në një prononcim për KDP-në ka theksuar se “nëse merret parasysh se Bullgaria shkon ne zgjedhjet e pesta të radhës, politizimi i rastit në spektrin politik  në Bullgari do të reflektohet dhe fatkeqësisht do të rezultojë me deklarata shtesë  që do të thërrasin në imperativin e vendosjes së pakicës bullgare në Kushtetutë. Kjo nga ana tjetër do të bëjë trysni për arritjen e votave për ndryshimet kushtetuese. Kjo do te elektrizojë më shumë skenën politike në RMV

Ndërkaq, sot në një konferencë për shtyp nga Sofja, në lidhje me tensionet më të fundit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ministri bullgar Nikolai Millkov tha se deri më tani nuk ka sukses në përpjekjet për pajtim dhe përparim midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut morën masa dhe u pa se cili ishte ai veprim. Përpjekjet për pajtim dhe përparim në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në fakt u minuan nga veprimet konkrete të autoriteteve në Shkup. Ajo sjell një pikë të re, edhe më të ulët në marrëdhënien tonë”, është shprehur Nikolaj Milkov – Ministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë.

Të fundit