E premte, 26 Prill, 2024

RUSTEMI: NDËRTIMI I RRETH 120 KM AUTASTRADË NJË MOMENT HISTORIK

“Fillimi i realizimit të projektit për ndërtimin e katër akseve rrugore është moment historik, sepse bëhet fjalë për projektin më të madh infrastrukturor deri më tani në Republikën e Maqedonisë së Veriut në sektorin rrugor. Do të ndërtohen rreth 120 km autostradë dhe kjo do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, do të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe njëkohësisht do të ketë siguri më të madhe për pjesëmarrësit në komunikacion”, ka theksuar drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi.


Shkruan: Enis Shaqiri

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut është nënshkrua marrëveshja vendimtare për realizimin e projektit  Korridorit 8 dhe 10-D, projekte kapitale  të  një rëndësie të veçantë gjeostrategjike. Me këtë projekt është planifikuar ndërtimi i autostradave: Tetovë – Gostivar 27 kilometra , Gostivar – Bukojçan 30.1 kilometra, Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë 22.5 kilometra, dhe seksioni nga Korridori -10 d Prilep – Manastir 43.4 kilometra.

Marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi si dhe nga Paolo Orisni, drejtor i Kompanisë “IRD Engineering”, kompani kjo, e përzgjedhur si firmë këshilluese për mbikëqyrjen e transaksioneve.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi në prani të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi si dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, marrëveshjen e nënshkruar e quajti si moment historik, pasi që bëhet fjalë për projektin më të madh infrastrukturor deri më tani në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Fillimi i realizimit të projektit për ndërtimin e katër akseve rrugore është moment historik, sepse bëhet fjalë për projektin më të madh infrastrukturor deri më tani në Republikën e Maqedonisë së Veriut në sektorin rrugor. Do të ndërtohen rreth 120 km autostradë dhe kjo do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, do të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe njëkohësisht do të ketë siguri më të madhe për pjesëmarrësit në komunikacion”, u shpreh Rustemi.

Rustemi mes tjerash bëri të ditur se me fazën e parë të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, do të krijohen kushte për fillimin e negociatave ndërmjet Konsulentin juridik, ndërsa pastaj do të fillojë edhe faza e dytë e realizimit të marrëveshjes për kryerjen e Mbikëqyrjes profesionale mbi zbatimin e katër akseve rrugore.

Në fazën e parë, me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje krijohen kushte për fillimin e negociatave ndërmjet Konsulentin juridik, gjegjësisht me ekipin negociator, i cili është përgjegjës për të negociuar në emër të Komitetit për negociata të formuar (konstituuar) nga ana e Qeverisë së RMV-së, me partnerin strategjik JV:Bechtel dhe Enka për nënshkrimin e Marrëveshjes për ndërtimin e infrastrukturës rrugore të Korridorit 8 dhe të Korridorit 10-d. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për realizimin e punimeve ndërtimore do të fillojë faza e dytë e Marrëveshjes për kryerjen e Mbikëqyrjes profesionale mbi zbatimin në katër akset rrugore dhe atë: Ndërtimin e autostradës Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë si dhe Prilep – Manastir”, tha Rustemi.

Ndërsa Paolo Orsini, drejtor i IRD Engineering pas nënshkrimit të Marrëveshjes tha se “do të bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme për ndërtimin e katër seksioneve me standardin dhe cilësinë më të lartë, që korrespondojnë me cilësinë e rrugëve që po ndërtohen në BE.”

Sipas Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ky është projekti më i madh i infrastrukturës kapitale në historinë e vendit.

Ndërtimi i autostradave në Korridoret 8 dhe 10 D ka rëndësi kyçe për ngritjen e nivelit të cilësisë së infrastrukturës rrugore, me cka do të përcaktojmë pozitën gjeostrategjike të RMV-së, e cila përmes këtyre projekteve do të bëhet rrugë e pashmangshme për transport në rajon dhe më gjerë”,  deklaroi Dimitar Kovaçevski.

Ndërkaq, për Zv. kryeministrin e parë, Artan Grubi, marrëveshja e nënshkruar paraqitet si një ditë dhe datë historike për vendin, sepse është realizuar një premtim i kamotshëm për gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Sot është një ditë historike për vendin dhe qytetarët tanë. Jam i lumtur që jam sot këtu, në nënshkrimin e këtij projekti të rëndësishëm dhe të premtuar prej kohës për qytetarët tanë, për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Falënderoj z.Rustemin dhe ekipin e tij e po ashtu dhe konsulentin dhe ju dëshiroj punë të mbarë”, u shpreh Grubi.

Grubi mes tjerash bëri të ditur se nesër në qeveri do të mblidhet edhe këshilli i përbërë nga përfaqësues të institucioneve, pas së cilës do të fillojnë negociatat me Bechtel-Ench për të  finalizuar  nënshkrimin e kontratave.

Kujtojmë se kompania ka dorëzuar garancinë bankare për ofertën prej 1.374.304.070 denarë, të cilën e ka dorëzuar në tender.

Të fundit