E martë, 21 Maj, 2024

(PSEUDO)VLERAT DHE VRAPI PAS “LIKE”-VE

Platformat sociale sot janë hapësira në të cilën shumica e njerëzve, e sidomos të rinjtë, i përdorin për të marrë një vetëvlerësim, i cili nuk është aspak i qëndrueshëm.  Sociologu Ali Pajaziti thotë se “Like”-t apo pëlqimet virtuale janë shndërruar në obsesion të shumë njerëzve të kohës sonë, ndërkohë që shkaktojnë një lloj të varësisë nga reagimi i tjetrit. Gazetari Nazim Rashidi e sheh si tepër të nevojshme edukimin meditaik të të rinjve për t’iu shpjeguar se jo çdo gjë që është në rrjetet sociale është e vërtetë.

 Shkruan: Puhiza Osmani

Në klimën e sotme të kulturës teknologjike rrjedha e pafund e komunikimit dhe lidhjes së ofruar nga mediat socialet po e ndryshon mënyrën se si ne mendojmë dhe e thithim informacionin. Kjo klimë ka ndikuar në zhvillimin e zakoneve të ndryshme të mediave sociale tek njerëzit, siç është varësia nga “Like-t”, njëkohësisht duke u dhënë atyre mundësi që të përfitojnë, por edhe duke e dëmtuar shëndetin e tyre mendor.

Sociologu Ali Pajaziti shpjegon tendencat e varësisë tek disa përdorues të rrjeteve sociale për të marrë sa më shumë “Like”, ndërkohë që vë në dukje  tiparet domethënëse se si njerëzit janë gjithnjë e më të prirë për të postuar ose konsumuar mediat sociale për shkak të një problemi themelor të sjelljes së varësisë.

“Like-t apo pëlqimet virtuale janë shndërruar në obsesion të shumë njerëzve të kohës sonë. Ato shkaktojnë një lloj të varësisë nga reagimi i tjetrit, që ndodh ‘nga zemra’, sa për sy e faqe, ose është produkt i një gjendjeje afektive të çastit të klikimit. Disa njerëz mendojnë se vetërealizohen kur dikush ua fal një “pëlqim” apo kur grumbullojnë qindra e mijëra pëlqime, që i llogarisin si një e arritur nga bota digjitale që mund të materializohet në atë reale. Tendenca për maksimizim të like-ve është një ndërmarrje pasionante që sjell vetëkënaqje kibernetike që të çon tek motoja e Pepsi-t  ‘Ask for more’, të detyron të kërkosh më tepër e më tepër, të lidh me dipslay-in apo monitorin, të bën një “homo computans” të varur nga reaksionet e të tjerëve, të miqve që i njohim vërtetësisht dhe ata që i njohim vetëm si numër apo fotografi, portret”, thotë Pajaziti.

Sipas tij, kultura e re e mediave ose rrjeteve sociale është ajo e krijimit të dytësorit të njeriut vetvetisht, pra e krijimit të një diade identitare, njërit real, objektiv, dhe të dytit hiper-real, ireal, të gjeneruar sipas imagjinatës personale, gjithnjë duke pasur në konsideratë edhe atë se si duan të na shohin të tjerët. “Në këtë drejtim pra e ndajmë veten në dy persona: ai që shfaqemi dhe ai që në fakt jemi. Dhe këto dy identitete janë në luftë psikologjike mes vete që reflektohet me tentime për të ndryshuar veten reale në bazë të asaj imagjinare, për të korrigjuar dukjen, virtualisht, me efekte të teknologjisë së smartfonit apo laptopit, duke rregulluar dhe rirregulluar fotografitë që postohen. Më pas vjen faza tjetër kur themi se duhet ndryshuar edhe fizikun sipas ‘idolit’ apo personit model të vënë nën llupë. Këtu ndërhyn kirurgjia plastike që të ndryshon sipas tjetrit të cilin ti e “adhuron”. Dhe kështu krijohet një gjendje traumatike që shkakton turbulenca me veten dhe të tjerët”, thotë Pajaziti.

Gazetari Nzim Rashidi thotë se roli i mediave sociale në jetën e të rinjve bashkëkohorë po merr vëmendje të madhe në arenat shkencore, publike dhe politike.

“Çështja e rrjeteve sociale është fenomen relativisht i ri në zhvillimin njerëzor dhe normalisht është reflektim i një zhvillimi teknologjik, për të cilin janë bërë studime të ndryshme se çfarë efektesh kanë. Ajo që mund të them unë, është përderisa krijohet përshtypja se në rrjetet sociale mundet të jesh më popullor, mund të tërheqësh më shumë vëmendje në disa raste mundesh të gjesh edhe përfitime. Sigurisht që njerëzit sidomos brezi i ri ngjiten pas këtyre synimeve për arritjet e tyre apo pjesëve që ata duan”, thotë Rashidi.

Ai e sheh si tepër të nevojshme edukimin meditaik të të rinjve për t’iu shpjeguar se jo çdo gjë që është në rrjetet sociale është e vërtetë.

“Kam përshtypjen se me kalimin e kohës shumica e njerëzve e dinë që nuk është realitet sepse po flitet jashtëzakonisht shumë për këtë, por sidomos për brezat e rinj për ata të cilat janë mosha më e re mund të krijojnë përshtypje të gabuar mes asaj që është reale dhe virtuale. Prandaj duhet një vëmendje e madhe për edukimin mediatik sepse të rinjtë sidomos duhet të edukohen dhe t’iu tregohet se jo çdo gjë që është në rrjetet sociale është e vërtetë. Njerëzit që janë më të rritur këtë e dinë e bëjnë me tendencë për qëllimet dhe përfitimet e tyre të natyrave që ata duan”, thotë Rashidi.

Të fundit