Sfida kryesore të politikës penale parandaluese ndaj fenomenit të delikuencës së fëmijëve në vendin tonë vazhdojnë të ngelen identifikimi dhe stimulimi për forcim të faktorëve mbrojtës siç janë familja, arsimimi, mjedisi jetësor i fëmijëve etj., si dhe themelimi dhe funksionimi i këshillave komunalë për parandalim të delikuencës së fëmijëve në komunat ku të njëjtat nuk i kanë formuar, apo i kanë të formuar, por këto këshilla janë jofunksionalë. Këta këshilla afërmendsh se do të ishin shumë më frytdhënës në punën e tyre drejt parandalimit të delikuencës së fëmijëve, duke marrë parasysh rrethin e fëmijëve të synuar që do të jetë më i vogël në kuadër të secilës komunë në krahasim me atë që është në dispozicion të Këshillit shtetëror për parandalimin e delikuencës së fëmijëve në nivel shtetëror.
Shkruan: Blerta Ahmedi
Kriminaliteti i fëmijëve paraqet një pjesë të rëndësishme studimi në fushën e të drejtës penale nga shkaku se kryerësit e veprave të tilla dallohen për karakteristikat e veçanta, për shkak se ata i përkasin një moshe kritike që e mban parasysh trajtimi penalo-juridik në krahasim me trajtimin e kryerësve të veprave të tilla të moshës madhore. Për ta luftuar e për ta parandaluar delikuencën e fëmijëve janë të domosdoshëm hulumtimi, gjetja dhe trajtimi i shkaqeve si dhe i faktorëve që ndikojnë në shfaqjen e saj. Duke qenë se kjo dukuri sot paraqet një çështje problematike dhe shqetësuese për shoqërinë tonë, atëherë kësaj çështjeje duhet t’i kushtohet një qasje e një studim më i thelluar.
Kryerësit jomadhorë të veprave të kundërligjshme (penale, kundërvajtëse) në të drejtën penale, në kuptimin e saj të gjerë, (në të drejtën penale materiale, të drejtën procedurale dhe në atë të zbatimit të sanksioneve penale) trajtohen më butë, sesa ata të moshës madhore. Duke marrë parasysh faktin se fëmijët paraqesin një kategori qytetarësh të grupmoshave të reja, ata trajtohen në mënyrë speciale nga shoqëria dhe nga organet shtetërore për luftimin e kriminalitetit, për të arritur të vetmin qëllim – risocializimin dhe riedukimin e tyre. Sipas legjislacionit pozitiv të vendit tonë fëmijë me përgjegjësi penale janë personat e grupmoshës 14-18 vjeçare.
Trajtimi i veçantë i fëmijëve në rastet kur ata paraqiten si kryerës të veprave penale, fëmijë në rrezik ose viktima në krahasim me personat madhorë, vjen si pasojë e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, në bazë të së cilës është harmonizuar edhe legjislacioni i vendit tonë në këtë drejtim. Qëllimi i trajtimit juridiko-penal të fëmijëve në të drejtën penale bashkëkohore të RMV-së dhe në të gjitha vendet demokratike është arritja e qëllimit të edukimit, riedukimit, risocializimit, zhvillimit të drejtë të fëmijës dhe mbrojtjes së interesit më të mirë të tij.
FAKTORËT E RREZIKUT TË DELIKUENCËS SË FËMIJËVE
Efikasiteti i politikës penale ndaj fenomenit të delikuencës së fëmijëve, posaçërisht ai i politikës preventive kërkon gjetjen dhe studimin e mirëfilltë të faktorëve të rrezikut të cilët e nxisin këtë dukuri. Në këtë drejtim, studimi i faktorëve kriminogjenë të cilët janë dominantë dhe ndikojnë tek të rinjtë në vendin tonë që ato të kryejnë veprime devijante e kriminale është i patjetërsueshëm.
Nuk mund të luftohet fenomeni i delikuencës së fëmijëve nëse nuk identifikohet gjeneza e tij, respektivisht rrënjët e kësaj dukurie. Andaj luftimi i faktorëve ekzogjenë të rrezikut të cilët i nxisin të rinjtë për të kryer veprime të parapara me ligj si vepra penale apo kundërvajtëse, që në praktikë më së shpeshti janë familja, edukimi, mjedisi jetësor i fëmijëve, adoleshenca, shoqëria, vendbanimi, rrjetet sociale etj. mund të arrihet në njërën anë, duke nxitur dhe përkrahur realizim të hulumtimeve të mirëfillta shkencore në sferën e drejtësisë penale për fëmijët si dhe në anën tjetër nga bashkëpunimi efikas i institucioneve shtetërore kompetente për të vepruar me fëmijët.
Analizimi i gjendjes së delikuencës së fëmijëve në vend është shumë i rëndësishëm për të konstatuar efikasitetin e politikës preventive ndaj këtij fenomeni kriminal. Në këtë drejtim, iu qasemi të dhënave statistikore të publikuara nga Enti shtetëror statistikor i vendit tonë, sipas të cilave gjendja e numrit të fëmijëve të gjykuar gjatë periudhës kohore 2006-2019 sipas grupit të veprave penale, konsiston në atë që numër më të madh paraqesin fëmijët e gjykuar për vepra penale kundër pasurisë. Në vend të dytë janë fëmijët e gjykuar për vepra penale kundër jetës dhe trupit, më pas për veprat penale kundër sigurisë në trafikun publik dhe për veprat penale kundër rendit publik. Në këto të dhëna vërehet një numër më i vogël i fëmijëve të gjykuar edhe për këto vepra penale: Vepra penale kundër lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit, kundër nderit dhe autoritetit, kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, kundër shëndetit të njerëzve, kundër financave publike, qarkullimit pagesor dhe ekonomisë, kundër sigurisë së përgjithshme të njerëzve dhe pronës, kundër drejtësisë etj.
Megjithatë në këto të dhëna shihet qartë treguesi pozitiv i prezencës së një tendence të rënies së numrit të fëmijëve të gjykuar dhe atë viti 2012-2013 e këndej. Ky fakt mund të lidhet me shumë drejtime strategjike të politikës preventive, e cila dukshëm shfaqet e suksesshme viteve të fundit, por edhe me dhënien përparësi gjatë shqiptimit nga organet kompetente dhe zbatueshmërinë e masave jopenale, parandaluese ndaj fëmijëve të ashtuquajturave masa të ndihmës dhe të mbrojtjes.
Në kuadër të segmentit të dytë të politikës preventive të delikuencës së fëmijëve që ka të bëjë me veprimtarinë dhe bashkëpunimin e institucioneve kompetente për të vepruar me fëmijë në rrezik, me fëmijë në konflikt me ligjin dhe fëmijë viktima, Ligji i drejtësisë për fëmijët, (në pjesën e gjashtë, kapitulli i gjashtëmbëdhjetë, nenet 154-159, të titulluar “Parandalimi”) rregullon çështjet lidhur me kompetencat e organeve shtetërore që punojnë për parandalimin e delikuencës së fëmijëve.
Në bazë të këtyre dispozitave ligjore është themeluar një organ i veçantë publik i mëvetësishëm dhe i pavarur me seli në Ministrinë e Drejtësisë, i emërtuar Këshilli shtetëror për parandalimin e delikuencës së fëmijëve. Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë që zgjidhen nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me mandat pesëvjeçar, me të drejtë të rizgjedhjes. Ligji i drejtësisë për fëmijët i përcakton kompetencat e Këshillit shtetëror për parandalimin e delikuencës së fëmijëve. Në këtë drejtim, këtij organi i jepen një varg i gjerë autorizimesh dhe obligimesh gjatë ushtrimit të veprimtarisë së vet. Këshilli është kompetent për të miratuar Strategji nacionale për parandalimin e delikuencës së fëmijëve dhe Programe e plane vjetore për realizimin e programit dhe rregulloren për punën e vet. Si rrjedhojë, dy dokumente të rëndësishme të karakterit parandalues janë produkte të këtij organi: Strategjia e parë dhjetëvjeçare për parandalim të delikuencës së fëmijëve e publikuar në vendin tonë nga ky organ për periudhën kohore 2010-2020 si dhe Strategjia nacionale për parandalim dhe drejtësi për fëmijët në RMV: 2022-2027.
LDF i obligon të gjitha organet e administratës shtetërore, gjykatat, prokuroritë publike, si dhe personat juridikë të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sferën e arsimit, edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve për të bashkëpunuar me Këshillin shtetëror për parandalimin e delikuencës së fëmijëve, gjatë realizimit të funksioneve të tyre. Nga raportet vjetore që publikon ky këshill mund të konstatohet se ai ndërmerr aktivitete të shumta serioze në bashkëpunim me organe të ndryshme shtetërore si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
SUAZA LIGJORE DHE PREVENTIVA NË NIVEL LOKAL
Në vitin 2019 LDF-ja ka pësuar dy ndryshime, me ç’rast njëri nga ndryshimet e pësuara ishte miratimi i Ligjit për plotësimin e Ligjit të drejtësisë për fëmijët. Sipas këtij plotësimi, LDF i obligon kryetarët e komunave, kryetarët e komunave në qytetin e Shkupit dhe kryetarin e qytetit të Shkupit për t’u propozuar këshillave të komunave, këshillave të komunave në qytetin e Shkupit dhe Këshillit të qytetit të Shkupit që të caktojnë një Këshill për parandalimin e delikuencës së të miturve. Në të kundërtën me këto ndryshime parashihet sanksion kundërvajtës, konkretisht gjobë për kryetarët e komunave të cilat nuk e përmbushin këtë detyrim ligjor. Konkretisht ligji parasheh gjobë në shumë prej 300 euro deri në 500 euro në kundërvlerë në denarë e cila do ti shqiptohet për kundërvajtje kryetarit të komunës përkatëse i cili nuk e përbush obligimin e theksuar ligjor.
Vetëqeverisja lokale është një nga pjesëmarrësit e rëndësishëm në veprimtaritë parandaluese, posaçërisht me anë të këshillave komunalë për parandalimin e delikuencës së fëmijëve. Ajo ka për qëllim të krijojë një vend të sigurt për jetesë, rritje, edukim dhe shoqërim të fëmijëve me një integrim të plotë të grupeve të margjinalizuara dhe të rrezikuara të qytetarëve. Kompetencat e këshillave komunalë sipas LDF-së janë të shumtë, si miratimi i programeve vjetore dhe raporteve për punën e tyre nga këshillat e komunave dhe Këshilli i qytetit të Shkupit, ndërmarrjen e aktiviteteve për përcjelljen e gjendjeve dhe nxitje e iniciativave për përmirësimin e gjendjeve të tyre, zhvillimi i programeve për përfshirjen e bashkësisë lokale në parandalimin e delikuencës së fëmijëve dhe trajtimin e fëmijëve kryerës të veprave penale dhe kundërvajtje etj. Për punën e tyre këta këshilla një herë në vit e njoftojnë Këshillin e komunës, ose qytetin e Shkupit dhe Këshillin shtetëror për parandalimin e delikuencës së fëmijëve.
Gjatë vitit 2015 në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë funksionuar tetë këshilla të tillë komunalë sipas programit të përpunuar që kanë zbatuar aktivitete me karakter parandalues, edhe atë në: Kavadar, Veles, Manastir, Gazibabë, Strugë, Shtip, Radovish dhe Makedonski Brod ndërsa në vitin 2021 janë funksionalë gjithsej 18 këshilla komunalë.
Në raportin e fundit të publikuar në vitin 2021 të Këshillit për parandalim, për punën e realizuar për vitin 2020 sërish u theksua si sfidë kryesore e identifikuar për vitin 2020 si dhe për vitet e kaluara fakti i mospërmbushjes së detyrimit ligjor për të krijuar këshillat komunalë për parandalimin e delikuencës së fëmijëve në një pjesë të madhe të komunave në vend, përkundër detyrimit ligjor dhe dispozitës penale që është e paraparë në LDF. Në raport u shënua se në disa komuna këshillat komunalë nuk janë krijuar fare, në disa janë krijuar të formuar, por janë jo aktivë, dhe në një pjesë shumë të vogël të komunave këshillat e formuar janë aktivë. Problemi kryesor për këtë gjendje ende ngelet mungesa e mjeteve financiare në buxhetet e vetëqeverisjes lokale për realizimin e veprimtarive të tyre.
Në përfundimet e raportit të lartpërmendur theksohet se gjatë vitit 2020 ka vazhduar bashkëpunimi dhe mbështetja e këshillave komunalë tanimë të formuar nga ana e Këshillit shtetëror për parandalim të delikuencës së fëmijëve. Ky Këshill në kuadër të planit të veprimit të vet, realizon veprime për të arritur rezultate pozitive në të ashtuquajturën preventivë sekondare, ku në këtë drejtim është punuar për të identifikuar fëmijët në rrezik nëpër shkollat e vendit si dhe janë ndërmarrë veprime për të siguruar këshillime adekuate të fëmijëve. Për të realizuar këtë qëllim është punuar në nxitjen e formimit të këshillave komunalë në vend. Krahas këtyre aktiviteteve të këtij organi shtetëror dhe krahas obligimit ligjor të lartpërmendur, aktualisht në vend rezultojnë të formuar këshilla në vetëm gjithsej 18 komuna.
Në vazhdë të iniciativave për formim të këshillave komunalë, në vitin 2020 u nënshkrua memorandum bashkëpunimi mes Këshillit shtetëror për parandalim të delikuencës së fëmijëve, Bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale të RMV-së dhe Bashkimit të Rotari Klubeve të Maqedonisë me qëllim të pjesëmarrjes në takime dhe ngjarje që do të kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes së kryetarëve të komunave lidhur me obligimet ligjore të cilat ju ngarkohen.
Sfida kryesore të politikës penale parandaluese ndaj fenomenit të delikuencës së fëmijëve në vendin tonë vazhdojnë të ngelen:
- Identifikimi dhe stimulimi për forcim të faktorëve mbrojtës siç janë familja, arsimimi, mjedisi jetësor i fëmijëve etj., si një drejtim i posaçëm i politikës preventive ndaj delikuencës së fëmijëve, krahas drejtimit të zvogëlimit dhe luftimit të faktorëve të rrezikut dhe
- Themelimi dhe funksionimi i këshillave komunalë për parandalim të delikuencës së fëmijëve në komunat ku të njëjtat nuk i kanë formuar, apo i kanë të formuar por këto këshilla janë jofunksionalë.
Këta këshilla afërmendsh se do të ishin shumë më frytdhënës në punën e tyre drejt parandalimit të delikuencës së fëmijëve, duke marrë parasysh rrethin e fëmijëve të synuar që do të jetë më i vogël në kuadër të secilës komunë në krahasim me atë që është në dispozicion të Këshillit shtetëror për parandalimin e delikuencës së fëmijëve në nivel shtetëror. Nëse problemi i kësaj ngecjeje qëndron në sigurimin e mjeteve financiare për funksionimin e këtyre këshillave komunalë, komunat duhet ta parashikojnë edhe këtë aktivitet në planifikimet për buxhetin e tyre vjetor.
(Autorja është docente e së drejtës penale)
Kjo analizë është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autores.