Zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE) në një prononcim për portalin e Brukselit “Euraktiv”, tha se Marrëveshja e Prespës midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të zbatohet nga “të gjitha palët” dhe me “vullnet të mirë”. Kjo vjen pas mosmarrëveshjes së re midis Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit, transmeton KDP.MK
Portali rikujton se kriza e re diplomatike midis dy vendeve shpërtheu pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së, refuzoi të përdorte emrin zyrtar të vendit gjatë inaugurimit të saj më 12 maj.
Siljanovska e quajti vendin “Maqedoni” në vend të “Maqedonia e Veriut”, emri zyrtar kushtetues pas marrëveshjes së vitit 2018 me Greqinë për ndryshimin e emrit, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Prespës.
Incidenti ka ngjallur reagime në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë frikë nga një ringjallje e kontestit, e cila shihet si një plagë e hapur për rajonin e Ballkanit.
Komisioni Evropian thotë se “të gjitha palët” duhet t’i përmbahen marrëveshjes.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për procesin e zgjerimit. Marrëveshjet ekzistuese dypalëshe duhet të zbatohen me mirëbesim nga të gjitha palët, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian për Euractiv.
Marrëveshja e Prespës i hapi rrugën Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Mesazhe dhe kujtime për respektimin e marrëveshjes nga Prespa kanë mbërritur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Nënsekretarja për Diplomaci Publike dhe Marrëdhënie me Publikun në Departamentin Amerikan të Shtetit, Elizabeth Allen, tha se SHBA-të e mbështesin Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe se janë të zhgënjyer që presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nuk e ka përdorur emrin kushtetues Maqedonia e Veriut gjatë inaugurimit
Nënsekretarja Allen, e cila vizitoi Shkupin këtë fundjavë, në një bisedë për SDK, tha se nuk dëshiron të paragjykojë se çfarë do të ndodhë nëse qeveria e re vendos të mos respektojë Marrëveshjen e Prespës.
E pyetur nga SDK se çfarë do të ndodhte nëse qeveria e re maqedonase vendos të mos respektojë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, nëse dhe çfarë do të ndryshojnë Shtetet e Bashkuara në mbështetjen e tyre për Maqedoninë, Allen tha:
“Sigurisht që ne mbështesim Marrëveshjen e Prespës dhe u zhgënjyem kur pamë se presidentja nuk e përdori emrin e plotë dhe formal Maqedonia e Veriut. Ne do të shikojmë se çfarë do të bëjë qeveria. Jemi në dialog të vazhdueshëm me qeverinë e cila është në proces të formimit. Prandaj, nuk do të paragjykoja asnjë pasojë këtu, por, natyrisht, do të shpresonim dhe do të inkurajonim që liderët e Maqedonisë së Veriut t’u përmbahen marrëveshjeve ndërkombëtare”.
Më herët, ambasada e SHBA-së në vend tha se mbesin fort të përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Nga ambasada thanë se pas formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së kryeministrit, do të vazhdojnë të përforcojnë rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimet e përparimit të vendit me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.