E diel, 27 Prill, 2025

HAGA KËRKON ARRESTIMIN E NETANJAHUT, BIDENI I DEL NË MBROJTJE

Presidenti amerikan Joe Biden e dënoi si “të padrejtë” përpjekjen e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të kërkuar urdhër-arreste për udhëheqësit izraelitë, përfshirë ndaj Kryeministrit Benjamin Netanjahu krahas atyre të grupit militant Hamas rreth veprimeve të tyre gjatë luftës shtatëmujore në Gazë, përcjell KDP.

Në një deklaratë të ashpër, Presidenti Biden denoncoi kërkesën e kryeprokurorit për të arrestuar zotin Netanjahu dhe Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, duke thënë se “çfarëdo që ka dashur të thotë prokurori, nuk eksiston asnjë paralelizëm mes Izraelit dhe Hamasit.”

“Ne gjithmonë do të qëndrojmë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij,” shtoi zoti Biden.

Kryeprokurori i Gjykatës Karim Khan akuzoi kryeministrin Netanjahu, ministrin Gallant dhe tre udhëheqësit e Hamasit Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael.

Një trupë e përbërë nga tre gjykatës do të vendosë nëse do të lëshohen urdhër-arrestet dhe nëse do ta lejojnë këtë çështje të vazhdojë.

Qeveria izraelite po vendoset gjithnjë e më shumë nën presion për luftën që zhvillon në Rripin e Gazës, pas masakrës së Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael. Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Karim Khan deklaroi të hënën në Hagë, se ai krahas përfaqësuesve të lartë të organizatës terroriste, Hamas, po aplikon për urdhërarrest edhe kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu. Izraeli e kitikoi ashpër këtë hap duke e quajtur “turp historik”. Ndërkohë politikani i opozitës dhe ministër i kabinetit të luftës në Izrael, Benny Gantz kërcënoi me dorëheqje.

Kryeprokurori Khan, deklaroi se prokuroria në GjN ka kërkuar urdhërarreste kundër Netanjahut dhe ministrit të Mbrotjes, Yoav Gallant për shkak të dyshimit për krime kundër njerëzimit në luftën e Gazës. Khan e argumentoi këtë me vepra penale si “vrasje me qëllim” dhe “lënia në uri” e njerëzve. Tek akuzat e Gjykatës kundër krerëve të Hamasit, mes tyre edhe kreut politik, Jahja Sinvar bëjnë pjesë edhe akuzat për “shfarosje”, “përdhunim dhe akte të tjera seksuale” dhe “pengmarrja si krime lufte”. Hamasi konsiderohet si organizatë terroriste nga BE, SHBA, Izraeli, Gjermania e vende të tjera.

Presidenti izraelit, Itshak Herzog e cilësoi urdhërarrestin kundër Netanjahut e ministrit Galant si “më shumë se zemëruese” dhe e hodhi poshtë atë. Paralelet mes terroristëve të Hamasit dhe qeverisë izraelitë të zgjedhur në mënyrë demokratike nuk mund të pranohen, tha Herzog të hënën.

Të fundit