E mërkurë, 22 Maj, 2024

MEDIA SHKATËRROI DY HERË TANKET E MAQEDONISË SË VERIUT NË UKRAINË!

Shkruan: SEFER TAHIRI

Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, që filloi më 24 shkurt të vitit 2022, ka ndryshuar botën! Ka shkaktuar krizë të madhe energjetike që po reflektohet ndaj ekonomisë botërore, e cila po përjeton njërën ndër periudhat më të vështirë të historisë së saj.  Kjo luftë, përveç që shkakton mijëra viktima, plagosje të njerëzve dhe dëme të mëdha materiale, ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në përhapjen e madhe të dezinformatave, një pjesë e të cilave publikohen në media të ndryshme, duke iu bashkëngjitur fotografi dhe video.

 

Po, të shohim, si kanë raportuar mediat në Maqedoninë e Veriut mbi luftën midis Rusisë dhe Ukrainës? Cili diskurs mediatik dominon në raportim, proukrainas apo prorus? Sa janë të dallueshme këto diskurse në mediat në gjuhën shqipe dhe maqedonase? Si arritën mediat, brenda një muaji që të shkatërrojnë dy herë tanket e dhuruara nga Maqedonia e Veriut për shtetin ukrainas? Cila ishte qasja e mediave mbi mobilizimin e pjesshëm të shpallur në Rusi?

Dy diskurse mediake mbi luftën ruso – ukrainase

Si në pjesën më të madhe të globit, edhe në Maqedoninë e Veriut po ashtu ekziston një dualitet informativ apo raportim paralel, që është rezultat i orientimeve të ndryshme ideologjike dhe politikës editoriale që kanë mediat e ndryshme në raport me çështjet globale.

Megjithatë, duket se, në përgjithësi, dominon diskursi mediatik dhe publik, por edhe politik i cili është kryesisht proukrainas. Është evidente se në një pjesë të madhe të mediave tradicionale, por edhe të mediave onlajn, kemi dënime të politikës ruse në Ukrainë. Është evident diskursi, i cili më shumë i jep rëndësi faktit se shteti i Ukrainës është i pushtuar dhe se populli i Ukrainës është viktimë.

Portali në gjuhën maqedonase “Vo centar” (Në qendër) mbi luftën në Ukrainë raporton me narrativ që favorizon politikën ukrainase në raport me Rusinë. Titulli i një raportimi është “Putini humb, çfarë tani!? – Këto janë katër skenarët e mundshëm, të cilat Kremlini i përgatit për Ukrainën, por edhe për Evropën“. Ky portal, në fakt, citon median ndërkombëtare “Politiko”, sipas së cilës “Vlladimir Putini e humb luftën, prandaj vrapon pas planeve toksike”. Më tej, ky portal shkruan se “Presidenti rus, në këtë mënyrë i terrorizon ukrainasit në qytetet larg linjave të para të frontit, ai dyshohet se ka urdhëruar sabotimin e gazsjellësve që shpien drejt Evropës, ndërsa më e tmerrshme është se kërcënohet me luftë bërthamore.”

Mediat në gjuhën shqipe kryesisht me raportim në favor të Ukrainës

Diskursi që favorizon Ukrainën më shumë është i pranishëm në mediat në gjuhën shqipe dhe për ta përforcuar atë, ndoshta më shumë në fillimin e luftimeve, bëheshin edhe paralele me fatin historik të shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës.

Portali “Tetovasot” publikoi artikullin me titull “Lufta në Ukrainë zgjon kujtime në Ballkan“. Bëhet fjalë për artikull të botuar në seksionin Evropa, nën titullin “Hijet e së kaluarës” në revistën prestigjioze “The Economist”. Kjo revistë tërheq paralele dhe kontraste mes luftës në Ukrainë dhe luftërave në Ballkan. Në këtë artikull shkruan:

“Lufta në Ukrainë ka shkaktuar lëkundje në të gjithë Ballkanin. Kjo ka tmerruar shumicën, por ka emocionuar nacionalistët serbë, të cilët besojnë se një fitore ruse do t’i lejojë disi t’i kthejnë pengesat e viteve 1990, përfshirë humbjen e Kosovës. Në Prekaz, një fshat në Kosovë, gjendet një shtëpi e rrënuar, e ruajtur si memorial, ku policia serbe vrau familjen e gjerë të njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998. Në një kafene pranë saj Gresa Sefaj, një shqiptare e Kosovës, kujton 24 shkurtin, ditën kur filloi pushtimi rus në Ukrainë. Ajo ishte me miqtë, të gjithë duke i ngulur sytë në telefonat e tyre me lot në fytyrë. “Gjithçka na u kthye në kujtesë” tha ajo.

Ndërsa portali “Pressonline” transmetoi deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me titullin “Kurti për dhunën seksuale në Ukrainë: Kjo na kujton luftën në Kosovë.”

Agresioni rus në Ukrainë ka rritur vëllimin e lajmeve që përmbajnë informata të paverifikuara, e të cilat transmetohet përmes mediave onlajn, ndërsa masivizohen përmes rrjeteve sociale. Pas tyre qëndrojnë qarqe të ndryshme për shtrirjen e ndikimit rus në rajon, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.

Diskursi pro-rus kryesisht shfaqet në onlajn media në gjuhën maqedonase

Diskursi tjetër, është ai i mediave që janë kryesisht në sferën onlajn dhe që kryesisht proklamojnë politikë editoriale proruse.

Është ndoshta rasti i vetëm në Maqedoninë e Veriut, që një media onlajn, ka rubrikë të posaçme, e emërtuar Rusia. Bëhet fjalë për portalin Infomax, i cili në vazhdimësi publikon lajme afirmative për Rusinë dhe drejtuesin e saj, Vlladimir Putin. Ky portal gjithmonë është përplot me lajme negative për Ukrainën dhe drejtuesin e saj, Vlladimir Zelenski.

Në mbështetje të konstatimit, sjellim disa tituj, të cilat i kemi analizuar në datën 18 tetor, 2022.

Jo vetëm në mediat që nuk e fshehin orientimin e tyre në luftën ruso – ukrainase, por edhe në disa media tjera, që shquhet për neutralitet mbi çështje dhe probleme të brendshme, por edhe ndërkombëtare, hasen tituj, që Ukrainën e shpallin viktimë, por të NATOS ose të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa portali “Crnobelo” (Bardh e zi), më 27 korrik të vitit 2022 ka plasuar qëndrime kritike ndaj fotografive të Zelenskit dhe bashkëshortes së tij në revistën prestigjioze ndërkombëtare Vogue: “Ne mbijetojmë, e gjithë bota vuan, ai fotografohet – Zelenski dhe bashkëshortja e tij goditen në Twitter pas fotosesionit të ri për Vogue“.

Diskurset mediatike pro-et-contra, kanë ndikuar jashtëzakonisht që edhe në rrjetet sociale të rritet gjuha e urrejtjes, ndërsa edhe qytetarët që komentojnë lajmet ose të motivuar nga (dez) informacionet, ndahen në pro-ukrainas dhe pro-rusë.

Mediat maqedonase: Putin – Sllavjanka 1:0!

Pjesa më e madhe e mediave në gjuhën maqedonase, pavarësisht nëse politika e tyre editoriale është pro-qeveritare ose pro-opozitare, më 22 tetor të vitit 2022 kanë raportuar gati në mënyrë unanime se forcat ushtarake ruse kanë shkatërruar tanket e Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë, të dhuruara më 3 gusht për Ushtrinë ukrainase.

Ja me çfarë titujsh raportuan një pjesë e mediave në gjuhën maqedonase:

Nga mediat në gjuhën shqipe, këtë informacion të paverifikuar e hasim tek portali Voxnews, i cili bazohet tek burimi mediatik – agjencia Ria Novosti: (Rusia: Kemi djegur tanke që Maqedonia ia dhuroi Ukrainës, 22 tetor, 2022).

Sipas mediave të lartpërmendura dhe shumë tjerave, me ndihmën e “Sputnikut”, RIA publikoi edhe video material nga ajo që pretendonte se ishte pajisja e djegur dhe e shkatërruar pas betejës. “Si rezultat i mbrojtjes së suksesshme në drejtim të Krivi Rogut, njëra nga njësitë e Ushtrisë ruse plotësisht e shkatërroi brigadën e 28 -të të mekanizuar të Ushtrisë ukrainase, përfshirë edhe tanket T-72, të dhëna për ukrainasit përmes Programit për ndihmë të anëtarëve të NATO-s”, thuhet në raportimin e agjencisë Ria Novosti. Por, në këtë video shihen vetëm tre tanke, në një vend që duket si fushë, ndërsa nga kjo video është shumë vështirë, madje edhe e pamundur që të konstatohet se bëhet fjalë pikërisht për tanket e dhuruara nga Maqedonia e Veriut apo jo, ndërsa nuk duket as zjarri, i raportuar në mediat maqedonase.

Kjo nuk është hera e parë, që media raporton se rusët shkatërrojnë tanket ukrainase nga Maqedonia e Veriut.

Edhe më 5 tetor, një media e quajtur “mkd.press.edu” përmes rrjeteve sociale kishte shpërndarë dezinformatë me titull “Sonte në Herson rusët i shkatërruan tanket, që Maqedoia ia dhurrroi Ukrainës“.

Platforma për verifikimin e fakteve Vërtetëmatësi pas publikimit të këtij spekulimi pohonte:

“Nuk ka asnjë provë që ushtria ruse në Herson shkatërroi pikërisht automjetet që ishin dhuruar nga Maqedonia e Veriut. Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, e pyetur nëse janë të njëjtat automjete, për Vërtetmatësin është përgjigjur: “Vështirë që dikush të dijë nëse janë saktësisht tonat. Është pothuajse e pamundur. Nuk kemi vetëm ne tanke të tilla, i kanë edhe Ukraina dhe vendet e tjera në krahun lindor”. I gjithë postimi ka si burim vetëm një kanal në rrjetin social Telegram, i cili quhet Militarist. Teksti thotë se ushtria ruse shkatërroi automjete ushtarake BTR-70 në Herson.”

Mobilizimi rus, mediat kryesisht me raportim korrekt dhe kritik

Intensifikimi i luftimeve në Rusi dhe mosarritja e qëllimeve luftarake për pushtimin e Ukrainës nën emrin “operacioni i posaçëm ushtarak”, siç fillimisht ishte planifikuar për 7 ditë, ka detyruar pushtetin e Moskës të ndryshojë strategjinë. Nga gjoja “operacioni” kaloi në luftë popullore ruse, edhe pse mobilizimi për luftë është shpallur i pjesshëm.

Portali në gjuhën maqedonase “A1 on” më 21 tetor raportonte me titullin “Së shpejti përfundon mobilizimi në Rusi, autoritetet janë afër numrit të planifikuar të rekrutëve“. Edhe portali Plusinfo raporton me titull të ngjashëm “MOBILIZIMI ËSHTË KAH FUNDI, Rusia rekrutoi 260.000 qytetarë, procesi përfundon javën e ardhshme.”

Por, portali MKD, para një muaji raportonte me titullin “Rusët masovikisht ikin nga mobilizimi. Kërkojnë në Google si të thyejnë duart që të shmangin mobilizimin“.

Më 23 shtator, ndonëse e dhënë në kushte anonimiteti, portali “Novatv” publikoi deklaratën e një 30 vjeçari, i cili shprehej kategorikisht kundër mobilizimit luftarak për luftën në Ukrainë. Titulli i portalit ishte “Nuk dua të jem mish për top”- panik dhe frikë në Rusi nga nisja e mobilizimit të pjesërishëm“.

Në shkrimin me titullin e njëjtë si të portalit Novatv, të cilin e transmeton portali Civil media, shkruan se “Në bisedë për portalin, një banore e Maqedonisë së Veriut me prejardhje ruse, e ndau përvojën e një të afërmi të saj në Rusi. Garuesi 18 vjeçar në kikboks, me qëllim që ta shmang rekrutimin, e ka lutur kolegun e tij “miqësisht” ta rrah dhe më pas ka përfunduar në spital, si mënyrë për t’iu shmangur shkuarjes në luftë”.

Portali Faktor mbi këtë çështje raportonte me titullin “Paguajnë edhe nga 100 euro në ditë, rusët ikin nga mobilizimi dhe shkojnë në Bjellorusi“.

Ndërsa portali i televizionit me licencë kombëtare Telma, raportonte me titullin “Rritet pakënaqësia nga mobilizimi kaotik në Rusi“. Sipas televizionit “Rritet pakënaqësia në Rusi për shkak të mobilizimit të pjesshëm kaotik, i cili ka për qëllim që të sigurojë 300 mijë rezervistë për “operacionin e posaçëm luftarak” në Ukrainë.”

Një portal nga Ohri, me emrin “Ohridnews”, duke u marrë me çështjet globale raporton me titullin “Forbs/ Rusia – 700.000 njerëz e kanë lëshuar Rusinë pas thirrjes për mobilizim“. Ndërsa, menjëherë pas titullit, duke hiperbolizuar largimin e rusëve nga vendi i tyre, në kokën e lajmit shkruan “Thuajse një milion rusë, e kanë lëshuar vendin në dy javët e fundit, pasi presidenti rus, Vlladimir Putin ke publikuar urdhrin për mobilizim të pjesshëm”.

Në mediat në gjuhën shqipe, lajmi se Putin ka shpallur mobilizimin e pjesshëm raportohej në mënyrë korrekte:

Por, përveç lajmeve që procesin e mobilizimit e kanë përcjellë me tone neutrale dhe pa tifozllëk, ka pasur disa raportime, të cilat publikojnë zëra rus që kundërshtojnë këtë aksion. Ngjashëm, siç vërejtëm më lartë tek portali Novatv, portali Telegrafi raportonte me narrativ të njëjtë kundërshtimin e një pjesë të rusëve: Nuk duan të përdorën si ‘mish për top’ në Ukrainë: Komunitetet rurale kanë filluar me rezistencë të armatosur kundër regjimit të Putinit” (portali Telegrafi, 19 dhjetor, 2022).

Ndërsa Televizioni Klan Maqedonia, më 22 tetor të vitit 2022 publikoi një artikull me titullin “Më mirë në burg se sa të luftoj në Ukrainë’, mekaniku rus refuzon të mobilizohet.”

Mediat publikojnë anketa favorizuese

Mediat e vendit, kur prezantojnë anketa të opinionit publik mbi zhvillimet politike në vend, këtë e bëjnë shpeshherë duke u motivuar politikisht. Por, pas fillimit të luftimeve, mediat edhe anketat mbi Rusinë dhe Ukrainën i prezantojnë varësisht se cilit “kamp” i takojnë.

Portalb, duke prezantuar një anketë mbi disponimin e popullit ukrainas ndaj luftës me Rusinë, shkruan se shtatë në dhjetë ukrainas kanë thënë se shteti i tyre duhet të vazhdojë luftën, derisa të fitojë kundër Rusisë, duke përfshirë marrjen e kontrollit mbi Gadishullin e Krimesë.

Në raportin e cituar nga radioja Evropa e Lirë thuhet “Një sondazh i Gallupit, i kryer në fillim të muajit shtator dhe i publikuar më 18 tetor, ka treguar se 70 për qind e ukrainasve dëshirojnë luftë deri në fitore, derisa 91 për qind e konsiderojnë fitore në luftë edhe rikthimin e gjithë territorit të pushtuar nga Rusisë, përfshirë Krimenë. Vetëm 26 për qind e respodentëve kanë thënë se Ukraina duhet të negociojë fundin e luftës sa më shpejt që është e mundur. Sondazhi, i kryer në të gjitha rajonet e shtetit, është kryer nga 2 deri më 11 shtator, vetëm disa ditë pasi Ukraina ka nisur kundërofensivën që ka rezultuar me çlirim të disa rajoneve ukrainase”, thuhet në raportin e Portalbit.

Ndërsa portali Lider, nga ana tjetër, raportoi se më shumë se 80 për qind e qytetarëve rus kanë besim te presidenti i tyre Vlladimir Putin. Anketën e rezultateve të Qendrës Gjithëruse për Hulumtimin e Opinionit Publik, e kishte publikuar agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS. Anketa ishte realizuar nga 3 deri më 9 tetor, ndërsa u pyetën 1.600 persona të moshës mbi 18 vjeçare. Sipas anketës, 75.6 për qind e të anketuarve e përkrahin punën e Putinit.

Rekomandime për mediat dhe publikun rreth luftës

Në një raport të përgatitur nga platforma për verifikim të lajmeve hibrid.info dhe Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, jepen disa rekomandime për redaksitë e lajmeve dhe publikun, ku ndër të tjera theksohet:

  • Verifikimi i burimeve të informacionit
  • Balancimi i informacioneve brenda lajmeve
  • Dhënia më shumë rëndësi saktësisë sesa shpejtësisë së publikimit të lajmeve.

Po ashtu, rekomandohet të analizohet konteksti i ngjarjeve para publikimit, për shkak se konteksti i materialeve të shpërndara në internet mund të jetë manipulues. Gjithashtu, rekomandohet që redaksitë e lajmeve të merren me verifikimin e tyre, në mënyrë që ta ruajnë besueshmërinë. Për shkak se shumica e lexuesve përtojnë ta lexojnë tekstin e lajmit dhe kryesisht fokusohen në titull, në raste të tilla rekomandohet që titujt të jenë sa më informues dhe jo sensacional.

Sa i përket publikut, autorët sugjerojnë që lajmet të lexohen/shikohen/dëgjohen në media të besueshme dhe t’i mënjanojnë mediat që nuk u dihen pronarët, adresat, emrat e gazetarëve dhe redaktorëve. Meqenëse pjesa më e madhe e publikut sot informohet në mediat sociale dhe materialet mbi luftën në Ukrainë shpërndahen aty, atëherë duhet pasur kujdes me kohën që kalohet në këto platforma. Një nga format për t’u ikur dezinformatave është edhe qasja kritike ndaj tyre, në mënyrë që publiku të mos bëhet edhe shpërndarës i tyre.

Gazetari Eroll Rizaov, i cili ka përvojë disadekadëshe në media, në analizën e tij me titull “Pse nuk kemi korrespondentë nga lufta dhe vuajtjet në Ukrainë” shkruan:

“Duke mos pasur reporterët tanë në Ukrainë, redaksitë tona, të cilat duan të kujdesen për objektivitetin dhe profesionalizmin mbështeten tek renomeja e agjencive botërore dhe përcaktimi se në këtë luftë është e qartë se kush është agresori, ndërsa kush është në mbrojtje të atdheut të vet. Tentimet që ky agresion i një superfuqie të madhe botërore siç është Rusia ndaj Ukrainës, të pasqyrohet si luftë e drejtë janë shokuese, sepse asnjë sulm ndaj territorit të huaj nuk mund të jetë luftë e drejtë.

Pse ne nuk kemi gazetarë, të cilët informojnë, nëse jo nga afër frontit, ku ka të shtëna dhe vdekje, por të paktën nga kalimet kufitare me Poloninë, me Hungarinë, me Rumaninë, ku ditë e natë qarkullon kolona e dëshmive të vuajtjeve. Pse jo edhe nga Moska, të paktën deri në momentin, kur nuk u miratua kërcënimi me burg prej 15 vitesh për raportim joobjektiv, sipas vlerësimit të shtabit të agresorit. Vallë patëm mundësi të dëgjojmë nga gazetarët, që raportojnë nga Rusia deklarata nga personalitete, të cilat guximshëm kundërshtojnë agresionin dhe nuk e arsyetojnë luftën.”.

Gazetarja Kristina Atovska nga “Utrinski brifing” i internet televizionit “Sllobodna.tv” ka qenë reporterja e vetme nga Maqedonia e Veriut, e cila ka raportuar nga lufta në Ukrainë. Ajo pas raportimit disa javësh, ka përgatitur një publikim me titullin “Udhëzime për raportim nga zona e konfliktit të armatosur – luftë“.  Në të konstaton se në kaosin e luftës, është shumë e rëndësishme që gazetari të mos bjerë në grackën e dezinformatave, pasi në terren ka edhe njerëz që, për arsye të ndryshme, kanë agjendat e tyre dhe përpiqen t’i plasojnë ato përmes mediave.

“Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme që gazetari të provojë në shumë mënyra për të kontrolluar informacionin përpara se ta botojë dhe kështu të respektojë rregullin e artë në gazetari që informacioni duhet të kontrollohet nga të paktën dy burime të pavarura. Në terren janë të pranishëm edhe njerëz nga organizata humanitare dhe civile, të cilat gjithashtu mund të jenë një burim në zonën e luftës. Me çdo burim të vetëm në zonën e luftës, gazetari duhet të sqarojë nëse është një deklaratë zyrtare, në të cilën personi dëshiron të shfaqet dhe të tregohet me emër, mbiemër dhe funksionin. Një citim i një zyrtari mund të përdoret, por për shkak të rrezikut për të pasur pasoja nëse raporton emrin e vërtetë, ato duhet të përmenden pa emër dhe mbiemër. Por është e dëshirueshme që të përmenden pozicionet më specifike të burimit. Për shembull, “një anëtar i Brigadës 96 -të” në vend të “Ushtarit”, shkruan Atovska.

Burimet që u japin gazetarëve informacion jozyrtar dhe deklaratat e tyre nuk mund të përdoren, kërkojnë nga gazetari të hulumtojë më tej dhe të sigurojë një burim tjetër, i cili mund ta konfirmojë atë informacion.

“Dëmi nga raportimi i pamatur dhe jo-etik nga zona e luftës mund të jetë krijim panikut tek popullata lokale, si dhe të çojë në përdorimin e informacionit si një justifikim për sulme të mëtejme. Zgjedhja e fotove dhe xhirimeve duhet të bëhet me shumë kujdes. Edhe nëse është veçanërisht e rëndësishme që për interesin publik të tregohet se çfarë ka ndodhur, megjithatë ekzistojnë rregulla etike që duhet të respektohen. Për shembull, fytyrat e fëmijëve duhet të turbullohen ose nëse ka një trup të zhveshur, të vdekur në kuadrin e xhiruar, duhet të tregohet respekt për viktimën dhe i njëjti duhet të respektohet dhe të turbullohet. Këshillohet të mos publikohen imazhe që mund të shkaktojnë shkëndija të mëtejme të dhunës.”, shpjegon Atovska.

Për fund, në analizën e tij Rizaov, citonte shkrimtarin e madh Alber Kami, i cili ka qenë edhe gazetar dhe ka dhënë njërën nga këshillat më të mira për gazetarin, duke thënë: “Gazetari nuk mund të vihet në anën e atyre që e krijojnë historinë, por në shërbim të atyre që durojnë për shkak të saj”.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

Të fundit