E mërkurë, 1 Maj, 2024

INTERVISTË, AKADEMIK ABDYLMENAF BEXHETI: INVADIMI I RUSISË NË UKRAINË – SHPEJTËSI MARAMENDËSE NË ÇRREGULLIMET EKONOMIKE!

Akademiku dhe rektor i UEJL, Abdylmenaf Bexheti, i propozon disa masa Qeverisë me qëllim që ta përballojë krizën ekonomike që sjell lufta ruso-ukrainase. Për dallim të krizës që solli pandemia që para dy viteve, Bexheti thotë se kriza e kësaj lufte është edhe më e paparshikueshme. Andaj, porosit qeverinë që nëpërmjet shembujve konkretë të dëshmojë se është e orientuar drejt kursimit, që më pastaj të kërkojë mirëkuptim edhe nga qytetarët për periudhën e vështirë që vjen.

Së dyti, duhet t’i mbrojë nga rritja e çmimeve të produkteve jetike dhe elementare vetëm shtresat në nevojë, duke i subvencionuar vetëm ato dhe për produkte jetike, përfshi edhe faturat e energjisë elektrike. Derivatet e naftës, përpos atyre për veprimtari ekonomike si ajo bujqësore apo transportuese, as që duhet të imagjinojë t’i reduktoje tatimet apo subvencionojë çmimet për automjetet individuale”, thotë Bexheti në një intervistë ekskluzive për KDP.

  

Intervistoi: Xhelal Neziri

 

KDP: Ngadalë po futemi në javën e tretë të  luftës ruso-ukrainase, e cila përveç frikës së përshkallëzimit në një luftë nukleare, sjell ankthin e një krize të re ekonomike, ende pa dalë nga e vjetra. Cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet e ndikimit mbi ekonominë të krizës së pandemisë me COVID-19 dhe kësaj të shkaktuar nga kjo luftë?

ABDYLMENAF BEXHETI: Pikërisht në këtë kohë para dy viteve, më saktë më 11 mars të vitit 2020, u shpall pandemia e COVID-19. Një krizë shëndetësore me implikime fillimisht tredimensionale: fatalitet/vdekshmëri pa selektim në të varfër dhe të pasur, implikime ekonomike të njëkohshme si në anën e ofertës ashtu edhe të kërkesës, dhe probleme të pamundësisë së parashikimit të zhvillimit të fenomenit. Në shumë shtete si në Evropë, ShBA e gjetiu, u përcaktuan prioritetet: së pari shëndeti dhe rialokim resursesh në shëndetësi, pastaj aspekti social i familjeve pa të ardhura, apo me të ardhura shumë të ulëta, si dhe subvencionimi i ekonomisë dhe sektorit real për të mbijetuar.

Këto prioritete të fragmentuara në targete u konsideruan përmes masave të “paketuara” diku më shumë e diku më pak. Asokohe, për dallim nga sot, shtetet kishin më shumë hapësirë fiskale sepse niveli i borxhit publik gjithandej ishte mesatarisht 12-15% të PBB-së më i ulët se sot. Pikërisht ashtu ishte edhe tek ne – niveli ishte rreth 48-49% e PBB-së. Inflacioni gjithandej ishte shumë i ulët, bile edhe negativ. Çmimet e energensave, posaçërisht ai i naftës, shkonte edhe në absurdet e zonave negative. Pra, prodhuesit e naftës së papërpunuar paguanin për ”shitje” dhe depozitim të rezervave që të mos ndalen puset e naftës. Krejt kjo, në vitin 2020, shkaktoi rrënie të ekonomisë globale me rreth 3,5%. Për lexuesit që nuk kanë kuptim shumë të afërt me statistikat ekonomike, kjo rrudhje globale është më e larta për 90 vitet e fundit, që nga Depresioni i Madh ekonomik i viteve 30-ta të shekullit të kaluar!

Rritja ekonomike globale në vitin 2021 prej rreth 4% e rikuperoi dhe kompensoi rrudhjen ekonomike paraprake, por në vende specifike edhe jo aq. Për shembull, në rastin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe përkundër rritjes prej 4,1% në vitin 2021, kjo nuk mjaftoi të kompensohet rrudhja e viti paraprak prej 4,5%, që nënkupton se rikuperimi përgjatë vitit 2021 nuk arriti të neutralizojë edhe “humbjen ekonomike” të vitit paraprak.

Sot, pikërisht dy vite më vonë, pasi që u paraqit kriza e luftës ruso-ukrainase, me shumë më shumë pasoja, sikur u vërtetua teoria e spostimit të problemit madh me një problem edhe më të madh. Kjo sot dallon edhe më shumë nga fillimi i krizës parë edhe për shkak të rritjes së kërkesës globale (që bëri presion në ofertën e limituar), krizës energjetike, inflacionit, borxhit më të lartë publik, prishjes së zinxhirit të furnizimeve si dhe “lodhjes” nga kriza paraprake dyvjeçare. Përpos këtyre dallimeve, ka vetëm një ngjashmëri – paparashikueshmëria edhe më e madhe se ajo e para!

 

KDP: Thoni se “çmimi” i luftës ruso-ukrainase është më i paparashikueshëm sesa ai i pandemisë. Megjithatë, mund të thoni se çfarë dëmesh mund të sjellë kjo luftë?

ABDYLMENAF BEXHETI: Për dallim nga ekonomistët që shikojnë në prizmin material dhe përpiqen t’i “matin” pasojat ekonomike të kësaj krize luftarake, unë që në fillim jam deklaruar se të gjitha dëmet dhe humbjet ekonomike një ditë do të kompensohen dhe relativizohen, vetëm viktimat dhe vuajtjet e sakrificat njerëzore nuk do harrohen kurrë. Në instancë të fundit, për dallim nga luftërat tjera regjionale gjithandej ku nuk ka funksionuar sistemi i reparacioneve të luftës, në këtë rast, i gjithë Perëndimi me shpejtësinë e “dritës” u koordinua dhe harmonizua në masat dhe bllokimet e resurseve ruse gjithandej, që mendoj se do mund të destinohen nesër për rindërtimin e Ukrainës së rrënuar. Kjo edhe për një mësim për të gjithë tjerët që posedojnë fuqi dhe mendojnë se në çdo moment mund të rrezikojnë më të dobëtit, si në “Perëndimin e egër”!

Invadimi agresiv dhe krejtësisht i paarsyeshëm dhe çnjerëzor i Rusisë okupatore, në njërën anë, dhe mbrojtja heroike e popullit ukrainas, që nga i pari (kryetari Zelensky) e deri te i fundit, nga ana tjetër, me një simpati dhe solidarizim të paparë që nga lufta e Dytë Botërore, pothuaj se krijuan unitetin global rreth vlerave të njerëzimit. Rreshtimi dhe votimi i Rezolutës në Asamblenë e KB dëshmoi për këtë unitet. Fatkeqësisht që këtë gjendje bota nuk e kishte parë edhe në shumë lufta tjera të padrejta në planet, që nga Palestina e deri te “Pranvera Arabe”. Megjithatë, është shumë mirë që pothuaj i gjithë globi u rreshtua në anën e drejtë. Ndoshta kjo do jetë një leksion për etablim të vlerave universale në botë.

 

KDP: Përpos masave sanksionuese që ndërmorën vendet e BE-së, sa reale është kërkesa e ShBA-ve për të bllokuar eksportin energjetik dhe të mineraleve në BE?

 

ABDYLMENAF BEXHETI: Gjykuar me arsye racionale, lehtë e ka ShBA që importon rreth 5 apo 6% të gazit nga Rusia, por edhe të shumë pak mineraleve, drithërave dhe lëndëve tjera të para. Pothuaj të gjitha këto produkte SHBA i posedon, nëse jo në vend aty afër  në Kanada, Australi, etj. Evropa është krejtësisht në pozitë tjetër. Më se gjysmë shekulli me strukturë ekonomike dhe shkëmbim tregtar të bazuar në resurset ruse. Rusia eksporton në vetëm tre vendet e BE-së, – pra në Holandë, Gjermani dhe Itali, – rreth 85 miliardë dollarë amerikan, kurse në Kinë rreth 60 miliardë dollarë. Kryesisht eksporton gaz natyror, naftë të papërpunuar, qymyr, minerale, drithëra…Pra, kryesisht lëndë të para dhe produkte primare ushqimore, pa finalizim dhe pa shumë vlerë të re në to! Ndërkohë që vetëm nga Gjermania në vit importon rreth 35 miliardë dollarë amerikan, kryesisht automobila dhe mjete të rënda transportuese, prodhime farmaceutike, pajisje teknike dhe makina…Pra, produkte me shkallë të lart të finalizimit dhe vlera të reja të krijuara në to. Kush e njehë sadopak ekonominë, posaçërisht atë ndërkombëtare, e ka të qartë se çfarë janë varshmëritë reciproke në këtë bilanc. Çdo bllokadë tregtare e plotë, për shembull nga Gjermania, shumë më shumë dëmtohet dhe humbë kjo e fundit se sa vet Rusia. Bile, nëse këtu lëmë anësh kostot monetare, duhet të shikojmë alternativat në zinxhirin e furnizimit, pavarësisht kostove më të larta monetare. Pra nëse ShBA, kërkon sa më shpejt që edhe Evropa që të ndjek këtë rrugë, duhet ta suportojë dhe ndihmojë atë në ofrimin e alternativave sadopak të pranueshme dhe të mundshme. Prandaj, sado që Evropa dëshiron dhe mundohet të ndihmojë Ukrainën, nuk janë gjithaq të thjeshta këto masa sanksionuese. Ajo duhet të gjejë mënyra alternative të mbështetjes edhe më të madhe se kaq, por jo duke krijuar ekuacion negativ. Pra, llogaritë duhen bërë mirë dhe me matje efektesh, jo vetëm monetare. Populli thotë – duke dashur të vëmë vetullën, të mos nxjerrim syrin.

 

KDP: Si duhet të menaxhohet kjo situatë në rastin e Maqedonisë së Veriut?

ABDYLMENAF BEXHETI: Si edhe shumë shtete tjera në regjion, ne po ballafaqohemi me krizë të thellë energjetike, kërcënim inflatorik, mungesë furnizimesh, bilance të çrregulluara të ushqimeve dhe mallrave strategjike, kërkesa dhe pritshmëri rritëse për nivelizim pagash, pensionesh, ulje tatimesh – që janë dy anë të ndryshme të një bilanci që assesi nuk shkojnë simetrikisht. Në dy muajt e parë buxheti qëndron relativisht mirë nga ana e të ardhurave, por që domosdo do duhet të rishikohet nga ana e shpenzimeve publike, ku dominojnë subvencionimet, nga ato të çmimeve energjetike, përmes bujqësisë e deri te subvencionimet e fondeve sociale. Vetëm këto të fundit, pra Fondi Pensional (500 milion euro) dhe ai i Shëndetësisë (100 milionë euro), i thithin buxhetit mbi 600 milionë euro transferime  subvencionuese ne vit, pa llogaritur këtu masën financiare për harmonizimin dhe nivelizimin e pensioneve. Pra, në situatë të ekspanzionit të vazhdueshëm fiskal dhe në kushte të inflacionit rritës, domosdo do imponohet nevoja e restrikcionit të moderuar monetar, me instrumentin bazë – atë të normës bazë të interesit. Përndryshe, do “nxehet” ekonomia dhe do nxitet edhe ashtu spiralja inflatorike. Nëse kjo do shoqërohet me rrudhje aktiviteti ekonomik dhe probleme punësimi, mund të na paraqitet edhe problemi tredimensional – stagflacioni, që nënkupton njëkohësisht inflacion rritës, rrudhje ekonomike dhe punëzënie të ulët!

Në këto rrethana, mendoj se së pari institucionet, në këtë rast Qeveria, duhet sa më parë të menaxhojë pritshmëritë dhe për momentin, përderisa zgjat lufta ruso-ukrainase, të mos ndërmarrë masa që nuk mund t’i përballojë në aspekt fiskal, monetar dhe real. Me shumë përgjegjësi dhe transparence të shpjegojë situatën, të tregojë resurset reale, të kërkojë durim dhe mirëkuptim nga qytetarët dhe me shembull vetanak të dëshmojë dhe tregojë prudencë dhe kursim nga çdo gjë që për momentin nuk është e domosdoshme. Thjesht në këtë kohë duhet mbijetuar.

Së dyti, duhet t’i mbrojë nga rritja e çmimeve të produkteve jetike dhe elementare vetëm shtresat në nevojë, duke i subvencionuar vetëm ato dhe për produkte jetike, përfshi edhe faturat e energjisë elektrike. Derivatet e naftës, përpos atyre për veprimtari ekonomike si ajo bujqësore apo transportuese, as që duhet të imagjinojë t’i reduktoje tatimet apo subvencionojë çmimet për automjetet individuale.

Së treti, sa më parë duhet të përgatitë rishikimin, apo rebalancin e buxhetit, duke tentuar të rritë të ardhurat nga dy burime potenciale – atë të reduktimit të ekonomisë joformale dhe të ardhurave kapitale (nga tjetërsimi dhe shitja e aseteve dhe resurseve), me theks të veçantë në koncesionet dhe tarifat që duhet të paguajnë sipas vlerave të tregut për gjitha eksploatimet minerale në vend. Në anën e shpenzimeve, duhet shkurtuar sa më shumë shpenzimet administrative, mallrat dhe shërbimet joproduktive si dhe disa rritje të buxheteve për vija funksionale, që mund të presin për një rritje në vitin e ardhshëm. Këto ishin edhe qëndrimet e mia në takimin e fundit konsultativ në të ashtuquajturin “këshillim socio-ekonomik” të qeverisë, i mbajtur dy ditë më parë.

 

Të fundit