E shtunë, 9 Nëntor, 2024

KAUZA E BARAZISË GJINORE, BETEJA E PËRDITSHME ME MENDËSITË ARKAIKE

Drejtoresha e Institutit për Lidership dhe Politika Publike, Pranvera Kasami, si njohëse dhe sipërmarrëse e shumë aktiviteteve të cilat kryefjalë e kanë pozitën e gruas në shoqëri, konsideron se pozicionimi i gruas në shoqëri është i ndikuar dhe lidhet ngushtë me mendësinë tradicionale e cila sa e përfshin, po aq edhe e përjashton gruan nga përgjegjësitë dhe të drejtat të cilat natyrshëm i takojnë. Ndërsa, analistja dhe diplomatja, Adelina Marku, i bën një autopsi historike dhe psikologjike kauzës për barazi gjinore. Ajo thotë se kjo kauzë duhet të jetë e përditshme nga vetë gratë. Sipas saj “shoqëria vdes në brendi kur femra e lë veten pa liri

 Shkruan: Fatjona Abdullahi

Simbolika e Ditës Ndërkombëtare të Gruas që shënohet më datën 8 Mars, ndonëse mund të perceptohet në dimensione të ndryshme, në thelb, qëndron mbi idenë e përpjekjeve të grave për të përmirësuar jetën e tyre dhe për të marrë rolin që u takon në shoqëri.

Filloi si iniciativë e lëvizjes punëtore e më pas u shënua zyrtarisht si ditë që sot ndërkombëtarisht njihet si Dita e Gruas.

Pavarësisht se përpjekjet e grave për të drejta të barabarta në botën perëndimore filluan në shekullin XIX, kjo nuk ndodhi deri në gjysmën e parë të shekullit XX kur kërkesat kryesore të grave si e drejta për pronësi, pjesëmarrja në shkolla dhe universitete dhe e drejta për të votuar, filluan të përmbusheshin gradualisht. Megjithatë, kjo “barazi” e cila ishte në thelb vetëm formale, nuk jepte ndonjë ndryshim në rrethanat sociale dhe ekonomike dhe kjo nuk kaloi pa u vënë re, sidomos nga mendjet kritike dhe figurat e zëshme të cilat reaguan dhe bënë revolucion si në sferën e artit, të letërsisë dhe të drejtimeve të tjera filozofike a ideologjike. Nuk ishte jashtë vëmendjes tashmë, fakti se gratë gjithmonë janë parë si seksi i dytë dhe janë përkufizuar gjithmonë si “tjetra” ndërsa koncepti “njeri” gjithmonë ka qenë i barazvlefshëm me burrin dhe jo me gruan. Madje mungesa e konsideratës së gruas si e barabartë në “të qenët njeri”, shpesh dëshmohej edhe me faktin se qoftë në art, letërsi dhe pa dyshim në jetën shoqërore, gruaja perceptohej vetëm si objekti ndaj të cilit orientohej vëmendja shqisore e burrit.

Por çfarë ndodh në ditët e sotme dhe në realitetin shqiptar ku ne jetojmë? A është bërë ndryshim në pozicionimin e gruas në shoqëri dhe sidomos në shoqërinë shqiptare? Jemi në rrethana progresive apo regresive në luftën për barazi  gjinore e cila nuk duhet të mbetet thjesht formale, siç ndodh rëndom në fushëveprime të caktuara?…

Drejtoresha e Institutit për Lidership dhe Politika Publike, Pranvera Kasami, si njohëse dhe sipërmarrëse e shumë aktiviteteve të cilat kryefjalë e kanë pozitën e gruas në shoqëri, konsideron se pozicionimi i gruas në shoqëri është i ndikuar dhe lidhet ngushtë me mendësinë tradicionale e cila sa e përfshin, po aq edhe e përjashton gruan nga përgjegjësitë dhe të drejtat të cilat natyrshëm i takojnë. Megjithatë,  nga përvoja e saj në trajtimin e këtyre problematikave dhe ngritjes së zërit kundrejt çështjeve të kësaj natyre, ajo është optimiste në rrjedhën që po marrin gjërat edhe falë përpjekjeve që gratë bëjnë në mënyrë autonome.

“Mendoj se veçanërisht në shoqërinë tonë, gratë kanë bërë më shume se mjaftueshëm, nga çdo këndvështrim. Gruaja ka pasur pozicion sakrifikues madje edhe vetëmohues në shoqëri, për hir të familjes, për hir të normave të patriarkatit. Nuk duhet gruas t’ia japim barrën se ajo është shtylla e shoqërisë, sepse me vetë lëvdatat, asaj i vëmë mbi supe dhe peshën e madhe të përgjegjësisë, se si shtyllë e vetme i takon asaj të mbajë familjen, moralin, shoqërinë, e gjithçka. Ashtu siç nuk duhet burrave t’u japim barrën se duhet ata të jenë faktori që siguron ekzistencën e familjes.  As njëra dhe as tjetra, sepse kryesisht çështjet janë përgjegjësi që s’e pengon asnjërën palë që t’i kryejë.”

Kasami shprehet se për të ecur përpara, fillimisht duhet të çrrënjosen kategorizimet që bëhen në mënyrë të vazhdueshme dhe t’i jepet prioritet aftësisë që gruaja posedon, pa e rreshtuar atë përballë burrave.  “Mendoj se duhet të ngushtohet paleta e ‘punë grash’ dhe ‘punë burrash’. Atëherë do të kemi një neutralizim të roleve dhe ndarje të përgjegjësive. Por, ne jemi në kohën që shoqëria duhet t’ia kthejë gruas gjithë atë mund që ajo ka dhënë për të, si avans… Ka ardhur koha të marrin borxhin gratë! Dhe për ta bërë këtë, burrat janë ata që duhet të japin hapësirë, të mos jenë pengesë. Fundja ne të gjithë jemi qenie me intelekt dhe është fyese shtypja e të njëjtit nga cilido për cilindo. Është fyerje shtypja e potencialit intelektual të gruas. Kjo duhet të ndryshojë dhe për fat të mirë po ndryshon.”

Në luftën për të drejta të barabarta, për vendimmarrje të barabartë, për paga të barabarta kundrejt detyrimeve të barabarta dhe  për vlerësim të aftësive dhe të potencialit të gruas pa u vënë në binarë krahasimi me gjininë e kundërt, gruaja gjithmonë duhet t’ nënshtrohet një beteje dyfish më të vështirë edhe për shkak të stereotipave që ekzistojnë brenda llojit. Nga ana tjetër, rreziku për të kaluar në anën e “të pafuqishmit” në njëfarë forme është sabotazh i vetvetes, gjë të cilën edhe psikologjia e njeh. Kjo mendësi në shumë raste është manifestim i një atavizmi i cili nuk e lejon daljen përtej kornizave arkaike që janë të ngulitura në nëndijen kolektive të grave dhe jo vetëm. Por, a ekziston një alternativë e dytë kur gruaja mund t’i marrë në dorë frerët e jetës së saj duke pasur parasysh koston që duhet të paguajë? Sipas diplomates dhe analistes Adelina Marku, po!  Ajo konsideron se në vend se të presin që të shpëtohen, gratë duhet ta shpëtojnë vetveten.

“Në ballinën e  magazinës prestigjioze ‘The Economist’, të para do muajve kishte një titull që më mori vëmendjen. “PERSE POPUJT QË E ZHGENJEJNË GRUAN, DËSHTOJNË!” Ishte titulli dhe analiza e gjatë… Tani, pjesë e një populli jemi dhe ne gratë, apo? Dhe kush qenkan ato instrumente që na zhgënjejnë? Unë mendoj se përgjigjja është shumë e thjeshtë dhe qëndron te beteja e përditshme për të drejta dhe për liri marrëdhëniesh. Meshkujt në esencë kanë trashëguar shumë fuqi historikisht, dhe  atë fuqi ata e përdorin edhe për të ndikuar në shoqëri, ndaj dhe reflektohet në diktimin e jetës së gjinisë tjetër. Ndaj dhe, nëse një e drejtë fitohet e nëse e njëjta nuk ushtrohet, ajo atrofohet! Femrat kanë fituar të drejtat e tyre përmes një kauze të fortë femërore, ato lypset të bëjnë po aq njëjtë për shoqërinë sa ç’bën gjinia tjetër. Por, duhet të vetëdijesohemi për një gjë, sepse po nuk e pranuam realitetin, ne do vazhdojmë të jetojmë në mohim. Pra, kauza e femrës duhet rirreshtuar veten çdo ditë e më shumë, femra duhet të jetë më e zëshme, më prezente, më në numër, duhet të mbështesë gjininë e vet mbi të gjitha…Duhet ta njohe veten thellë. Nuk mund të pres unë që shoqëria të bëjë diçka për mua, po nuk dita ta bëj veten vetë! Ne nuk jemi viktima apo, dhe vetëviktimizimi është banal tanimë…Kauza jonë është barazia dhe kur i vihesh pas një kauze të këtillë duhet të bësh hesapet mirë se çka është turpi e çka paturpësia e se çka është nderi dhe poshtërimi. Këto nuk janë beteja te rënda po të kesh kuptuar me kohë se shoqëria vdes në brendi kur femra e lë veten pa liri!”

Në realitetin dëshmitarë të të cilit jemi dhe ne, të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për t’u bërë, konsiderojmë se roli i gruas në shoqëri është pa asnjë kontestim, shumë i rëndësishëm dhe kurrë nuk duhet vënë në pikëpyetje potenciali i saj, me tendenca minimizuese. Një grua, po aq sa edhe një burrë, meriton të jetojë, të veprojë dhe të përfshihet në veprimtari të cilat ajo i aspiron dhe për të cilat ka përgatitjen e duhur. Një grua, nuk ka nevojë që ta përqafojë epitetin “gjini e butë”, sidomos brenda një konteksti pezhorativ. Një grua apo një vajzë ka të drejtën të përpiqet, ta synojë dhe të luftojë me të njëjtët mekanizma siç do të bënte një burrë, në rrethana kur i cenohet ajo në të cilën beson. Gratë dhe vajzat, njëtrajtësisht duhet të vendosin për veten e vet me përgjegjësinë që ia kërkon të qenët njeri, në mënyrë të pakushtëzuar nga dallimi gjinor… Madje një grua apo një vajzë, ka të drejtën e gjithë botës që të zgjedhë vetë nëse dëshiron të identifikohet me një ditë të shënuar, apo ta shënojë çdo ditë si fitore të vetën!

Të fundit