Ndërhyrja ushtarake ruse, mëngjesin e së enjtes, në Ukrainë ka ndezur alarmin në të gjitha kancelaritë perëndimore. Çfarë pasojash ekonomike mund të ketë kjo luftë? A po vendoset rendi i ri botëror? Si do të ndikojë kjo luftë në Ballkan? Si do të reflektojë në Maqedoninë e veriut?
Në këto pyetje e dilema, në një intervistë ekskluzive për KDP, përgjigjet Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akademik Abdylmenaf Bexheti.
“Lufta në Ukrainë është kërcënim për ndryshimin e rendit botëror që së paku këto tri dekada ishte njëpolar”, thotë Bexheti.
Intervistoi: Seladin Xhezairi
KDP: Të gjitha analizat dhe parashikimet flasin se kriza ruso-ukrainase do të ketë ndikim të konsiderueshëm global, rajonal dhe vendor. Si duket kjo nga këndvështrimi juaj?
AKADEMIK BEXHETI: Për të qenë më i kujdesshëm në vlerësime si edhe për shkak të zhvillimeve shumë dinamike në këtë konflikt, duhet bërë prerjen e momentit kur i bëjmë këto vlerësime? Pra, jemi vetëm dy ditë pas njohjes së pavarësisë/suverenitetit të dy krahinave kryengritëse të Ukrainës nga Rusia dhe një ditë pas vënies se sanksioneve të para nga shtetet perendimore për këtë veprim. Mozaiku bëhet edhe më i zymtë tani pas ndërhyrjes ushtarake ruse. Në këtë rrafsh, mendoj se ndikimet do jenë në disa aspekte dhe ndaras po i shtjellojmë.
Nga aspekti politik dhe gjeostrategjik global mendoj se ndikimet do jenë shumë të mëdha dhe me pasoja për zgjerim në dimension gjeografik. Përpos sfidave të ndryshimit të rendit të ri botëror, që së paku këto tri dekada ishte njëpolar, tani po krijohet një rend me dy, tre apo shumëpolar. Sfida e radhës është shkelja e parimeve dhe e të drejtës ndërkombëtare ku të fuqishmit munden sa herë dhe kur të duan të sfidojnë vendet e vogla apo më pak të fuqishme. Pra, e drejta ndërkombëtare publike e sanksionuar, e rregulluar dhe e mbikqyrur përmes institucioneve multilaterale si Kombet e Bashkuara dhe organet e saja po sfidohet dhe presedanet e këtilla të bazuara në fuqinë e shteteve mund të zhvendosin tërësisht rendin botëror.
Nga aspekti global ekonomik, ndikimet duhet t’i shtjellojmë në afat momental apo të shkurtër dhe në atë të mesëm. Në aspektin momental rreziqet më të mëdha janë të natyrës psikologjike në tregjet e kapitalit (bursat e aksioneve të kompanive të listuara) dhe tregjet e mallrave strategjike (bursat e mallrave startegjike dhe bazike). Ky ndikim është i dukshëm në të dy grupet e bursave, ku indekset e tyre po shënojnë rënie të konsiderueshme. Biles edhe Bursa jonë në Maqedoni nuk është përjashtim. Vetëm 5-6 ditët e fundit rëniet janë relativisht më të mëdha se ato të bursave globale (New York, Londër, Franfurt, Paris, Tokjo,…etj).
Aspekti tjetër psikologjik është spiralja inflatorike që nëse do vazhdojë dhe thellohet kjo krizë ka gjasa që inflacioni i kontrolluar apo menaxhuar të mund të kalojë në shkallë të moderuara dhe bile të tejkalojë tavanet njëshifrore.
Në afat të mesëm, ndikimet dhe çrregullimet ekonomike mund të jenë shumë më të mëdha për shkak se zonat Rusi-Ukrainë janë burime resursesh të mëdha jo vetëm energjetike por edhe mineralesh, ushqimore,…pra, kryesisht produktesh dhe mallrash që tregëtohen në bursë ku oferta dhe kërkesa nuk kanë ekuilibra tregu të qëndrueshme.
KDP: Përshkallëzimi i konfliktit në përmasa rritëse mund të destabilizojë edhe rajonin e Evropës Juglindore, veçmas vendet e Ballkanit Perëndimor. Si e shikoni këtë?
AKADEMIK BEXHETI: Rajoni i Ballkanit Perëndimor edhe ashtu është shumë i paqëndrueshëm dhe ka ambient të përshtatshëm dhe lidership me ‘destruktivitet të pëlleshëm’, të mjaftueshëm për të krijuar situata nevralgjike, shumë të ngjashme me krahinat ‘rebele ukrainase’. Situatat më të rezikshme janë me Republikën Serbe (me Dodikun në krye) në BeH, Veriun e Kosovës me paternalizmin serb dhe përpjekjet për krijimin e ‘Zajednicës’, Malin e Zi me destabilitet politik dhe etnik. Kjo, dorën në zemër, jo që nuk është bërë edhe deri tani, dhe biles me mbështetje dhe veprime konkrete të Rusisë. Më indikativë janë përpjekjet e Putinit të tërheq simetri dhe analogji midis pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe krahinave ukrainase. Ky është kërcënim i drejtpërdrejt.
Rrethana lehtësuese, por jo edhe garanci të betonuara mund të jenë anëtarësimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë në NATO.
KDP: Ekonomia dhe potenciali edhe ashtu i dehidruar ekonomik i Maqedonisë së Veriut mund të përshkallëzohet shumë shpejt me përkeqësimin e standardit të jetesës që lë për të dëshiruar. Kriza në Ukrainë mund të jetë me impakt shtesë, në kuptimin negative të fjalës?
AKADEMIK BEXHETI: Nga aspekti ekonomik, e gjithë bota është më e ‘stërlodhur për të mos thënë e raskapitur’ pas pandemisë dyvjeçare të koronavirusit dhe këtyre pesë-gjashtë muajve të krizës energjetike. Viti 2020 në aspekt ekonomik ishte pothuaj tragjik dhe me recesion global të lartë. Përpjekjet e rikuperimit ekonomik gjatë vitit 2021 gjeneruan norma relativisht të larta të rritjes ekonomike, por akoma jo për të mbuluar rritjen negative të vitit paraprak, pra edhe në 2022 hyjmë me rezultat ekonomik negativ në raport me fundin e vitit 2019. Përtej kësaj, si rezultat i ndërhyrjeve të larta fiskale (pothuajse në gjithë botën) u rrit borxhi publik global mbi 10 për qind dhe aktualisht në BE ai shkon në mesatare mbi 100% të PBB-së. Edhe ne ishim pjesë e këtyre trendëve. Pra, kriza ruso-ukrainase, pos aspekteve të tjera negative, e gjeti botën edhe ekonomikisht shumë më të dobët dhe bile me potencial të shpenzuar dhe me hapësirë shumë më të vogël fiskale. Tani, në rastin e Maqedonisë së Veriut, ndikimi ekonomik do jetë i konsiderueshëm dhe krejt kjo në varësi nga përshkallëzimi i mëtejshëm I situatës. Struktura ekonomike e Maqedonisë ka shkallë të lartë të varësisë nga resurset që vijnë pikërisht nga ky rajon: Maqedonia ka bilanc energjetik dhe ushqimor (drithërat bazike) që balancohen me rreth 40% importe vjetore. Nga reth 6,5 terawat në vit, Maqedonia mezi prodhon 4 terawat, ndërkohë që bilanci ushqimor i drithrave bazik gjithashtu ekuilibrohet me import mbi 40% në vit. Pra, vetëm këto dy komponentë do impaktojnë mjaftueshëm ekonominë e vendit, sepse të dyjat kanë efekt të lart zinxhiror në degët tjera ekonomike. Kur kësaj ti shtohet edhe importi i çelikut që impakton ndërtimtarinë, efekti do jetë edhe më i madh.