E diel, 19 Maj, 2024

REL: “Jo”-të e Kurtit cenojnë marrëdhëniet me SHBA-në

Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, projekti për Gazsjellësin Trans-Adriatik, si dhe mundësimi i organizimit të votimit për qytetarët serbë të Kosovës në referendumin e Serbisë për ndryshimet kushtetuese, janë në mesin e marrëveshjeve, sugjerimeve dhe ideve, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës që t’i zbatojë, porse kjo e fundit i ka refuzuar ose injoruar.

Radio Evropa e Lirë, një media e financuar nga Kongresi Amerikan, citon deklaratë të profesorit Afrim Hoti, i cili thotë  se qeverisja e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti karakterizohet si qeverisje “me kujdes të tepruar” dhe kjo, siç thotë ai, ka bërë që autoritetet të jenë refuzuese ose dyshuese ndaj një numri të kërkesave amerikane, në raport me Kosovën.

Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, konsideron se të gjitha refuzimet që Qeveria e Kosovës i ka bërë deri më tash ndaj kërkesave amerikane, nuk kanë bazë në politikën, siç e quan ai, realiste dhe të dobishme.

Përveç refuzimit të Asociacionit, sipas tij, Qeveria refuzon edhe Marrëveshjen e Uashingtonit, e sidomos pikën që bën fjalë për projektin që asokohe quhej mini-Schengen dhe që sot quhet “Ballkani i Hapur”, si dhe pikën që ka të bëjë me Liqenin e Ujmanit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, më 26 janar, ka thënë se SHBA-ja pret angazhim nga Kosova dhe Serbia për të zbatuar Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila është nënshkruar më 4 shtator, 2020.

Në shtatorin e vitit të kaluar, Gabriel Escobar ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit vazhdon të jetë e vlefshme dhe se, përmes saj, administrata amerikane mundohet të krijojë masa mirëbesimi në aspektin ekonomik.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, qysh në kohën e arritjes së marrëveshjes së 4 shtatorit, është shprehur kritik ndaj saj.

Kryeministri Kurti ka kundërshtuar edhe përfshirjen e Kosovës në nismën “mini-Schengen”, që aktualisht quhet “Ballkani i hapur”, e që është përfshirë edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit.

Ai ka deklaruar se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Ndërtimi i projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) ka filluar në vitin 2016.

Kosova pritej të përfshihej në rrjetin e gazit që do ta lidhte me Maqedoninë e Veriut. Por, në vjeshtën e vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës është tërhequr nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Më 16 janar, në Serbi është mbajtur referendumi për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësinë. Përkundër kërkesës së ambasadorëve të vendeve perëndimore, përfshirë edhe ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që të organizohet hapja e vendvotimeve në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, lidhur me këtë referendum.

Qeveria aktuale e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Kurti, ngjashëm me qeveritë paraprake të vendit, nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, me të cilin Manastirit të Deçanit i është njohur e drejta e pronës mbi 24 hektarë tokë dhe mal.

 

Të fundit