E diel, 19 Maj, 2024

ABAZOVIQ RRËZON QEVERINË, HAP RRUGËN DREJT KRYEMINISTRISË

Bie qeveria e Malit të Zi. Në seancën parlamentare me këtë pikë të rendit të ditës gjithsej votuan 54 deputetë, nga të cilët 43 për mosbesim dhe 11 kundër, raporton KDP. Kjo hap rrugë për tre skenarë – qeveri e  pakicës, qeveri e koalicionit ose zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nëse ndodh skenari i parë atëherë kryeministri i ri i Malit të Zi do të jetë Dritan Abazoviq, një shqiptar etnik nga Ulqini.

Deputetët e Frontit Demokratik (DF), Partisë Popullore Socialiste (SNP) dhe Lëvizjes për Ndryshim (PzP) u larguan nga salla kur filloi votimi publik.

Votimi i mosbesimit u mor në seancën e tretë të jashtëzakonshme. Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, është larguar nga salla gjatë debatit dhe nuk ka marrë pjesë në seancë, ashtu si shumica e ministrave. Menjëherë pas fillimit, nënkryetari Dritan Abazoviq u largua nga seanca.

Para kësaj ka përfunduar seanca e Kuvendit me iniciativën e kryeministrit Zdravko Krivokapiq për shpërndarjen e Kuvendit. Rendi i ditës i asaj seance nuk u miratua, kështu që seanca përfundoi menjëherë.

Më herët gjatë ditës së sotme, me rastin e seancës së mosbesimit ndaj Qeverisë së Malit të Zi, Abazovic tha se Qeveria e ka përmbushur mandatin e saj dhe se rrethanat politike janë të tilla që “ndoshta nuk ka mundur të shkojë më tutje”.

Propozimin për mosbesimin e Qeverisë e kanë nënshkruar 31 deputetë të opozitës dhe koalicionit “Bardhë e zi”, me propozimin e të cilëve është mbajtur seanca.

Parlamenti i Malit të Zi dje refuzoi të diskutojë iniciativën e Krivokapiqit për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dritan Abazovic, pas së cilës Krivokapiq deklaroi se ishte në dijeni që sot do të votohet për mosbesimin e qeverisë së tij.

Të fundit