E martë, 7 Maj, 2024

PROKURORËT JOVEVSKI DHE RUSKOVSKA KËRCËNOHEN ME JETË

Prokurori publik republikan, Ljubomir Joveski, është kërcënuar me jetë nëse nuk ndërpritet procedura për një rast konkret. Këtë informacion e ka konfirmuar prokurori Joveski në një bisedë të shkurtër për DW në gjuhën maqedonase, përcjell KDP.

Sipas medias, është një kërcënim që ka ardhur përmes një letre me rekomandim drejtuar prokurorit Joveski, e dërguar me postë nga Manastiri. Letrën e ka marrë dje, para përfundimit të orarit të punës.

Prokurori nuk ka dashur të japë detaje rreth  përmbajtjes së shkresës, por ka konfirmuar se autori kërkon që Prokuroria të ndalonte procedimin ndaj personave në një rast të caktuar. Në të kundërtën, autori kanos me jetë prokurorin.

Prokurori nuk ka dashur të tregojë se në cilin rast personi kërcënues ka kërkuar pezullimin e procedurës, përveç se letra është shkruar në gjuhën maqedonase dhe angleze dhe se dërguesi është prezantuar si pjesëtar i një organizate të caktuar terroriste.

Por, DW jozyrtarisht merr vesh se në periudhën e fundit ka pasur të paktën dy raste të tilla, me të cilat janë përballur edhe prokurorë të tjerë. Kryetarja e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Vilma Ruskovska, para dhjetë ditësh, përmes një letre dyshohet se ka marrë një kërcënim anonim. Duke qenë se deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë, nuk dihet nëse kërcënimi është raportuar në MPB dhe nëse është zbuluar dërguesi i tij. Para disa muajsh, një prokurore në një prokurori publike themelore nga brendia ka marrë kërcënime, pas së cilës i është ofruar sigurim plotësues.

Prokurori Joveski ka të drejtë për sigurim gjatë orarit të punës, ndërsa nëse me vlerësim të sigurisë përcaktohet ndryshe, mund të marrë siguri 24 orëshe. Me kërkesën e tij, ai nuk ka përdorur sigurinë gjatë orarit të punës.

 

Të fundit