E diel, 19 Maj, 2024

TË DUA SA MALI KARSHI

Shkruan: Vjollcë Berisha

 

Vështrim mbi vëllimin poetik “Krahnezë” të Valdeta Dulahit

 

“Të dua sa mali karshi” kishte qenë gjysmëvargu që më kishte mbetur në mendje nga leximet e hershme të poezive në dorëshkrim të Valdeta Dulahit. Tingëllimi sa fëmijëror e sa realist i këtij krahasimi më pati bërë për vete dhe më pati drejtuar në trajektoren kah priren të gjitha vargjet e saj. Kur e kujtoj në tërësi përshtypjen e atij leximi të parë, më bëhet se ajo dyzinë vjershash qe rrethuar nga një tufë dallëndyshesh bishtgërshërë që ndjellin ndjesi të ndryshme. Dallëndyshja jo vetëm që ishte simboli qenësor i poezive, por ajo sikur e diktonte edhe atmosferën e përgjithshme të atyre krijimeve të vogla. Mbeta e hutuar nga numri i madh i dallëndysheve që ndesha aty. Kjo ishte edhe ndjenja fillestare. Një ndjenjë që lidhej me qiellin, me ikje-ardhjen e dallëndysheve, me malin karshi, i cili domosdo të kishte qenë një masë e madhe, që subjekti lirik e ndesh përditë dhe e madhja, gjigantja, e pakufishmja, ndoshta edhe deri në kufijtë e së frikshmes, lidhej gjithmonë me të, me malin e madh që rri përkarshi.

Kështu me pak qiell, me pak gjeografi malore, qe shfaqur poezia rishtare e Valdetës në sytë e mi, e me po këtë qiell mbulohet edhe sot leximi i poezisë së saj, që ka hyrë midis dy kopertinash libri e që mban shije vetmie, shije krenarie prej gruaje që dashuron.

Mund të jesh duke kërkuar një fjali përshkrimi që t’i rrijë tamam ndjeshmërisë poetike të këtij vëllimi, atmosferës që shpërfaq ajo dhe të mos mundesh ta gjesh me lehtësi, kur befas zbulon se autorja e ka parathënë me një fjalë të vetme që në titull emëruesin e përbashkët të artikulimit të vet poetik në përgjithësi.

Krahneza është jo vetëm një titull tejet imazhist, por edhe një metaforë e qëlluar e mikrokozmosit artistik të poetes. Është shtresa e hollë e dëborës që ka ngrirë në degët e drurëve. Nuk është pamja e bardhë e borës dimërore që mbulon gjithçka, e cila mund të krijojë edhe dukje të rrejshme për atë që fshihet nën të. Krahneza lejon të shihet përtej. Lejon të identifikohet qartë ngjyra dhe forma e degës. Ajo përcaktohet ta thotë qetë dhe pa bujë se aty pati qenë ftohtë, shumë ftohtë, dhe kjo borë s’është e hëpërhëshme, kalimtare e shkundshme.

Po kështu, edhe te poezia e Valdetës ikjet, kthimet, dashuritë nuk janë efemere. Janë të qëndrueshme, këmbëngulëse. Në sfond bën ftohtë, ndaj e tërë pamja është si e kristaltë. Nuk e zbut as toni tepër femëror i zërit poetik. Aty ka bërë ftohtë. Degët kanë ngrirë. Me ngrirjen e mahnitshme që mund ta japë, megjithatë vetëm artikulimi poetik.

Sado që na bëhet se e dëgjojmë qartë zërin femëror tek rrëfen, tek ndien, prapë se prapë, në të shumtën e poezive të Valdetës, uni lirik i referohet sa njërës gjini, sa tjetrës. Herë bëhet zëri shpirtëror i burrit, herë i gruas. Vetëm bota e ndjeshme është qartë e identifikueshme te të dy.

Një krahnezë e lehtë e përshkon tej për tej botën e poetes. Por, aty ka qenë pranverë më parë. Një pranverë e plotë, me të gjitha nishanet. Kështu thonë dromcat e kujtimeve që vijnë përmes kujtesës së unit lirik të poezive. Është i admirueshëm ky kalim nga pranvera e ngrohtë e dikurshme në pamjen e mbuluar me borë të ngrirë të së sotshmes, e cila në penën e Dulahit bëhet lehtë dhe pa shtërzime të rreme.

Ajo që lë një shije mrekullisht të ëmbël është ngjyresa autentike sharriane që ia jep poetja pjesës më të madhe të poezive të saj, qoftë si gjeografi e qoftë si mendësi a kulturë të shprehur përmes kujtesës kolektive.

Duke qenë bijë Sharri, Valdeta Dulahi poezive të veta ua vendos sfondin hijerëndë të malit në kuptimin gjeografik, por edhe në kuptimin e trashëgimisë kulturore, duke sjellë e risjellë këmbëngulshëm jo vetëm pamje nga malësia, por edhe emra njerëzish, mikrotoponime, emra festash e ritesh që vazhdojnë të bashkëjetojnë edhe sot e gjithë ditën me malësorët bashkëvendas të autores e që i japin një shije të veçantë e tejet origjinale edhe poezisë së Valdetës, ku shpërfaqen pa sforcim, me statusin e banorit të përhershëm, midis figurave të tjera mjaft atraktive të kësaj poeteje.

Krahas toponimeve e mikrotoponimeve të shumta, festave e riteve të ndryshme, feks edhe leksiku karakteristik, të cilin autorja e sjell për ta ndërtuar sa më origjinal botën sharriane, të cilën e gjejmë në një pjesë të madhe të krijimtarisë së saj dhe e cila ka zënë vend në ciklin me emrin e bukur Me motivet tona. Ky leksik dhe kjo botë pothuajse gjithmonë është udha që shpie në të kaluarën, është makina më e sigurt që lehtësisht dhe natyrshëm na bën të udhëtojmë prapa në kohë. Ky udhëtim prapa në poezinë e Valdetës është edhe dalja nga errësira në dritë, nga vuajtjet e mungesës në ditët e bukura të dashurisë, nga zhgënjimi në lumturi, nga pranvera me dallëndyshe, në dimra me krahnezë…  Lokja (jo nëna) është personazhi pothuajse i përhershëm që e mban të pashkëputur fillin me kohën e kaluar. Përmes kësaj pike referenciale që del në trajtë njeriu, përkatësisht në trajtën e gjyshes, lidhen jo vetëm dy kohë, por edhe dy gjendje emocionale, dy ndjeshmëri: para dhe pas dashurisë, para dhe pas mungesës, para dhe pas vetmisë, para dhe pas lumturisë…

Përtej poezive erotike kjo përballje e të shkuarës me të tashmen bëhet edhe te poezitë ku poetja ngre edhe çështje të rëndësishme për kombin, për etninë, siç është, bie fjala, ajo e konvertimit fetar të malësorëve tanë, ku Aliu është biri i Gjinit, ku pikërisht bëhet edhe përthyerja e qytetërimit, e brezave etj. Po kështu edhe në temat që kanë të bëjnë me pushtimin e pakthyeshëm të tokave tona nga sllavët, siç është për shembull rasti i dhimbshëm i Shën Naumit, të cilin Valdeta, e shpreh me një ton mallëngjimi, pa dramacitet, pa patos, por vetëm përmes ballafaqimit të lehtë të të dyja kohërave:

Valët e liqenit m’i tundin kujtimet.

Matanë toka e bekuar që s’e gëzuam.

Përballë kryqi i Shën Naumit na shkishëron.

E ka marrë malli për meshë shqip.

Hije-hije kalojnë ohrianët e vjetër.

Janë të panjohur për banorët e rinj.

Qortojnë gegërisht e mallkojnë toskërisht.

(“Lyhnidasve”)

Vargu i fundit, si shpeshherë në poezinë e Dulahit, në mënyrë eliptike hap një plagë të re për ta lënë të pashtjelluar më tej, duke ia besuar tërësisht kulturës dhe reflektimit të lexuesit.

Mënyra e konceptimit të vargut të Valdetës, si të bëhej fjalë për prozë, është peng i një narracioni gjysmë të fshehur, por kjo nuk i bën dëm lirikës që gëlon në thelb të “Krahnezës”, përkundrazi e thellon atmosferën e rreptë malësore dhe e bën më të kumbueshëm timbrin poetik, aleatë të së cilës janë edhe fjalët e harruara, shpesh edhe huazime nga bota orientale, të cilat shërbejnë si mjete të përkryera për ta ndërtuar edhe vizualisht po aq sa intuitivisht kozmosin artistik të poezive të Valdeta Dulahut, të cilat poezi edhe kur duket që lëshohen në rënie të lirë për nga emotiviteti, në thelb u jehon zëshëm uzdaja, pasi, siç thotë Valdeta, “përherë ka një të premte a një të diel për t’ia larë mëkatet vetes, sikurse përherë ekziston një e hënë për t’ia nisur nga e para”.

Të fundit