E diel, 19 Maj, 2024

PSE DEMOKRACIA NË RMV ËSHTË ENDE NË RREZIK?

Shkruan: Xhelal Neziri

 

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 u paralajmëruan se do të ishin të fundit të parakohshme. Ato ishin zgjedhjet e pesta me radhë, të parakohshme, në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV). U tha se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të rregullta, pra më 2024-ën. Kështu do të dëshmohej se vendi po hyn në një fazë të stabilitetit dhe parashikueshmërisë politike, pas një periudhe 12-vjeçare të krizave ciklike që impononin këto zgjedhje të shpejta.

Megjithatë, duket se vendi ende nuk ka dalë nga kriza politike. Me kohë kjo krizë pëson mutacione dhe shfaqet në forma të ndryshme. Zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2021 shkaktuan edhe një tërmet politik. Kryeministri i deritashëm Zoran Zaev u tërhoq i pakënaqur nga rezultati, kurse qeveria gati sa nuk u përmbys nga opozita. Qeveria e re e LSDM-së, e drejtuar nga kryetari i ri Dimitar Kovaçevski, duket se është në garë për të ruajtur status quo-në, për të baraspeshuar interesat partiake dhe ta shtyjë sa më shumë që mundet mandatin drejt 2024-ës. Duke e parë faktin se kjo qeveri varet nga katër deputetët (shumica numëron 64 nga 120 deputetë), partitë e vogla e kushtëzojnë pjesëmarrjen e tyre me reformat në modelin zgjedhor. Ato kërkojnë sistem me një njësi zgjedhore, në vend të atij aktual me gjashtë, pasi kjo u jep më shumë hapësirë të garojnë të vetme. Opozitarja VMRO-DPMNE e shfrytëzon momentin për të luhatur edhe një herë qeverinë – e përkrah propozimin e partive të vogla qeverisëse.

Zgjedhjet e parakohshme janë të mundshme këtë vit pasi kjo qeveri është larg më jostabile sesa qeveritë e mëparshme, të cilave krizat ciklike ua impononin zgjedhjet. Nëse do të ndodhin, do të jenë të gjashtat me radhë. Zgjedhjet e fundit të regullta vendi i ka mbajtur në vitin 2006, kur VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit fitoi zgjedhjet dhe formoi qeveri me PDSH e Menduh Thaçit.

Sasia (numri i zgjedhjeve) jodomosdoshmërisht prodhon cilësi demokratike. Përkundrazi, zgjedhjet e parakohshme janë tregues se në një vend demokracia nuk funksionon si duhet.

RMV nuk konsiderohet ende një demokraci e konsoliduar. Shumica e raporteve e renditin atë në grupin e “regjimeve hibride”, larg grupit të vendeve me “demokraci të plotë” ose “demokraci me mangësi”. Arsyeja kryesore për këtë renditje është pavarësia e gjyqësorit dhe liria e mediave. Kështu thuhet në raportin e fundit për sundimin e ligjit nga Komisioni Evropian. Por problemi me këtë renditje të keqe, që është në pragun e “regjimeve autoritare”, nuk janë vetëm dy dimensionet e mësipërme. Është një përmbushje jo e plotë e pesë parakushteve për një demokraci funksionale, të cilat i theksojnë politologët Juan Linz dhe Alfred Stepan: një shoqëri civile e lirë, një shoqëri politike e pavarur, një shoqëri ekonomike funksionale, shtet ligjor dhe një administratë shtetërore efikase.

Dy politologët tjerë, Lari Damond dhe Leonardo Morlino thonë se të flasësh për demokraci “të mirë” ose “më të mirë” do të thotë të dish se çfarë është në të vërtetë demokracia. Në thelb, sipas tyre, demokracia kërkon qytetarë me të drejtë vote; zgjedhje periodike, të lira, konkurruese dhe të ndershme; më shumë se një parti politike serioze; dhe burime alternative të informacionit.

Krahas “demokracisë”, autorët thonë se “cilësia” duhet të përcaktohet qartë. Sipas tyre, sondazhet sugjerojnë tre kuptime të ndryshme të cilësisë: 1. Procedurë, ku një produkt “cilësor” është rezultat i një procesi të saktë, të kontrolluar që kryhet sipas metodave dhe kohës precize; 2. Përmbajtje, ku cilësia është pjesë e natyrshme e strukturës së prodhimit ose shërbimit; dhe 3. Rezultati, ku cilësia e prodhimit ose shërbimit tregohet indirekt nga shkalla e kënaqësisë së klientit.

Nëse merren parasysh mosrespektimet e procedurave (ligjeve dhe Kushtetutës) nga ana e partive, ku politikat e tyre janë kryesisht populliste (pa cilësi) dhe ku rezultati i shërbimit të qytetarëve është nën nivelin e pritshmërive, atëherë mund të themi se në RMV kriza ciklike gërryen demokracinë si sistem.

 

Të fundit