E diel, 19 Maj, 2024

WIKIPEDIA DHE NE

Lexoj këto ditë se si në një kuiz të diturisë, në televizionin publik të Serbisë fqinje, redaksia i paska përgatitur pyetjet duke u mbështetur në Wikipedia, në këtë Enciklopedi të lirë që ‘synon krijimin e një enciklopedie të plotë, pa gabime, në të gjitha gjuhët, e korrigjueshme nga të gjithë dhe e lirë për përdorim’. Gjithçka do të ishte në rregull sikur hartuesve të pyetjeve t’ju mos iu ishte përvjedhur edhe një lëshim material, një këngë për Mark Milanin që figuron vetëm në këtë ‘enciklopedi të lirë’, por në realitet – inekzistente! Një mik imi më thotë se kur doli e ‘famshmja’ Enciklopedi maqedonase (më 2009), Kryeministri i kohës, i zënë pisk, kishte pranuar se në fakt falsifikimet dhe fyerjet e shqiptarëve ishin marrë nga ‘akademikët maqedonas’ pikërisht nga Wikipedia në të cilën mjafton vetëm identifikimi dhe secili mund të fut e redaktojë – çfarë t’i teket e çfarë t’i thotë mendja!

 

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Në vitet e nëntëdhjeta, fill pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dhe kthimit të fesë, mbaj mend, në qytetin e Korçës, politika bullgare, maqedonase, ama edhe ajo serbe, ishin hedhur në garë për të marrë ‘autorsinë’ e ndërtimit të Kishës Ortodokse në qendër të këtij qyteti, me qëllim që më pas të rrahin gjoks për ‘autoktoninë’ e komunitetit të atjeshëm. Të hënën mbrëma, në analizën e vizitës së Presidentit të Turqisë në Tiranë, analisti Fatos Lubonja, me të drejtë, kujtoj, preku faktin se përse shumica e objeteve fetare, të kultit, në Shqipëri janë ngritur nga të huajt e jo nga vendorët: me para nga Turqia apo vende arabe, me para nga Italia, apo me para nga Greqia, Maqedonia, Bullgaria e edhe nga Serbia, pa harruar Rusinë! Në kohën e Milosheviqit, në fillim të viteve nëntëdhjetë, më kujtohet, anepëranë Kosovës ndërtoheshin e inauguroheshin plotë pompë kisha të shumta, një prej tyre edhe ngjitas me Universitetin e Prishtinës, si përgatitje për serbizimin e dytë të Kosovës, pas kolonizimit të saj, menjëherë mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një skenar ky i cili u riaktivizua edhe me fillimin e shkuljes së serbëve nga Kroacia dhe nguljen e një pjese të tyre edhe në Kosovë… Ngritja e objekteve fetare që ka qenë traditë tek myslimanët-shqiptarë (edhe) në Maqedoni, u pasua edhe me ndërtim të kishave dhe ngritje të kryqeve edhe nga komuniteti ortodoks maqedonas. Me të vetmin dallim: nëse xhamitë u ndërtuan mbi baza vullnetare dhe ndihma nga jashtë, kishat dhe kryqet u financuan edhe me para të shtetit, domethënë edhe të taksapaguesve shqiptarë! Logjika është e kuptueshme për shkak të implikimit të politikës në çështjet fetare, kur dihet se feja është e ndarë apo thënë më mirë duhet të jetë e ndarë nga shteti. Në Haraqinë të Shkupit, më paten thënë banorët e saj, shumë vite më parë, minaretë e xhamisë së tyre janë për një apo dy metra më të larta se Kryqi ortodoks në Vodno! Nejse, të mos e zgjas: Presidenti turk ishte në Tiranë, na foli për vëllazërinë turko-shqiptare, në 554 vjetorin e shuarjes së Heroit tonë Kombëtar dhe inauguroi 522 banesa për familjet e dëmtuara nga tërmeti para dy vjetëve. Simbolika do të kishte qenë më e plotë sikur të ishin shtuar edhe 32 apartamente! Hë, po, u tha se shqipja në të ardhmen në shkollat e Turqisë do të jetë lëndë zgjedhore, në mediat elektronike të Tiranës, ndërkaq ceremonia e pritjes dhe inaugurimit të shtëpive në Laç u zhvillua dhe u transmetua Live sikur turqishtja të jetë – zyrtare! Mund të futet në Wikipedia, pa problem!

Të fundit