E martë, 7 Maj, 2024

Nxitje tensionesh ndëretnike përmes fake news, koordinim i Listës Serbe dhe “Kosovo Online”

Në ditën kur po mbahej referendumi për ndryshimet kushtetuese në Serbi, Lista Srpska së bashku me portalin pro-rus Kosovo Online propagandonin kinse ka pasur incidente ndëretnike në Kosovë.

Ndryshe nga ky pretendim, Policia e Kosovës njofton se kishte ndodhur një sulm në Runikë të Skenderajt që kishte për natyrë veprën e prerjes së pyllit në pronë private.

“Në orët e mesditës të datës 16 janar 2022, në Stacionin Policor në Skenderaj, është raportuar dhe është iniciuar një rast me elemente të veprës penale ‘Sulm’. Nga hetimet fillestare dhe deklarimi i viktimës m/k/ M. K., bëhet e ditur se deri sa viktima ndodhej në fshatin Runikë të Skenderajt, ishte takuar me të dyshuarin me të cilin njiheshin edhe më parë, ku gjatë komunikimit kishte ardhur deri te fjalosja ndërmjet tyre si pretekst pasi viktima dyshonte se i dyshuari ia kishte dëmtuar (prerë) pyllin pronë private”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Po ashtu, thuhet se për këtë veprim është kontaktuar prokurori i rastit dhe e i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

“Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprime intensive hetimore është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari m/k/B.S., si dhe është intervistuar një dëshmitar i rastit.
Për të gjitha veprimet e ndërmarra është të kontaktuar prokurori i rastit nga i cili është sugjeruar që rasti të iniciohet dhe të hetohet për veprën penale ‘Sulm’.

Pas intervistimit i dyshuari me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, vijon njoftimi.

Mirëpo, e ashtuquajtura Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë kishte dal me deklaratën se, “Milan Kovaçeviq nga Skenderaj është sulmuar pasi ka emër, mbiemër dhe kapelë serbe”.

Edhe Lista Srpska kishte reaguar duke thënë se, “ky sulm është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës anti-serbe të Prishtinës”.

 

Burimi: The Geopost

Të fundit