E premte, 17 Maj, 2024

TURQI: SEANCË GJYQËSORE PËR RASTIN KHASHOGGI

Në Stamboll  është zhvilluar një seancë gjyqësore në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, para tre vjetësh. Seanca është përpjekje për të zbardhur rolin e 26 të akuzuarëve në arrati për vrasjen e kritikut të familjes mbretërore saudite, përkatësisht të martën është kërkuar nga Riadi zyrtar njoftim nëse ka një hetim dhe ndjekje penale në Arabinë Saudite në lidhje me vrasjen. Në rast të ekzistimit atje të një vendimi përfundimtar për të pandehurit, të njëjtët nuk do të ndëshkohen në Turqi.

Radioja shtetërore turke thotë se Gjykata vendosi të presë ekzekutimin  vendimit për 26 të pandehurit me urdhër arresti. Seanca u shty për datën 24 shkurt të vitit të ardhshëm.

Jamal Kashoggi, gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post” u zhduk më 2 tetor të vitit 2018 pasi kishte hyrë për procedurat martesore në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Gjurmët e vrasjes e çuan gjithë botën tek Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.

Tre vjet pas vrasjes, aktivistët e të drejtave të njeriut nuk e fshehin zemëratën që Shtetet e Bashkuara nuk kanë vendosur sanksione ndaj Princit saudit Mohammed bin Salman, i cili akuzohet se ka dhënë urdhërin për vrasjen. E fejuara e tij, Hatice Cengiz, ka fajësuar Princin për dhënien e urdhërit për vrasjes brutale dhe copëtimin e trupit të Khashoggit në Konsullatë.

‘Mohammed bin Salman e mori Jamalin nga unë dhe e gjithë bota. A do ta mbani atë përgjegjës, apo do t’i shpërbleni këta vrasës?’- tha ajo.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se vrasja e planifikuar dhe e orkestruar e Khashoggit nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë e princit të kurorës saudite. Princi i kurorës Salman i ka mohuar akuzat për përfshirje në organizimin e vrasjes.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, kandidati i atëhershëm Joe Biden i kritikoi lidhjet e ngusha të administratës Trump me princin saudit dhe u zotua ta mbante atë larg: ‘Biden e tha shumë qartë se do ta mbante larg regjimin saudit dhe ka bërë të kundërtën. Ai po ruan statu-kuonë, duke bërë më pak përqafime sipërfaqësore publike se sa ish-Presidenti Trump. Por ai në thelb po kthehet në statu-kuonë e para mandatit të zotit Trump, duke përqafuar regjimin saudit, jo në publik, por, ai ka dhënë mbështetje të plotë për transaksionet dhe shitjet e armëve,’ – transmeton KDP deklaratën e analistit Stephen McInerney për Zërin e Amerikës. Një analist tjetër, ndërkaq, po për këtë radio, është shprehur më herët se administrate e re amerikane nuk është se ka mbetur indiferente ndaj çështjes, duke dërkuar  në Arabinë Saudite edhe një këshilltar të sigurisë kombëtare: ‘Bazuar në raportet që kam parë, këshilltari i sigurisë kombëtare (Jake) Sullivan ka përmendur vrasjen (e Khashoggit) në takimin e tij me Princin e Kurorës dhe princi ishte mërzitur që ai nuk mori mbështetjen që mendon se meriton për reformat, që ai ka ndërmarrë. Kështu që, unë mendoj se ka një lloj ngërçi në lidhje më këtë,’- ka deklaruar analisti Peter Juul. Sipas tij,  Khashoggi ishte një person me ndikim në Arabinë Saudite dhe se ai kishte lidhje të ngushta me familjen mbretërore saudite, para se të bëhej gjithnjë e më kritik ndaj princit të kurorës për shtypjen e tij të pamëshirshme të disidentëve në vend.

KDP

Të fundit