E premte, 17 Maj, 2024

ZIEN NË LSDM DHE BESA

Paqartësistë lidhur me konsolidimin e shumicës parlamentare, të ashpërsuara nga dorëheqja e ofruar e Zoran Zaevit nga posti i Kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, nga njëra anë, dhe braktisja e koalicionit qeverisës nga Lëvizja Besa, nga ana tjetër, duket se kanë thelluar përplasjet brendapërbrenda këtyre dy forcave politike. Burime të KDP-së bëjnë të ditur se kjo fillimjavë ka për të qartësuar poziocet pikërisht kur është fjala për vendimet nga marrja e të cilave do të varen edhe zhvillimet që do të shënojnë mbarimin e 2021.

Në fakt, për të martën është paralajmëruar mbledhja e forumeve më të larta të LSDM-së, por edhe mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Besa. Kriza e shkaktuar qeveritare me largimin e partisë së Bilall Kasamit, dhe dorëheqja e Zaevit, nuk është se, si vendime, kanë hasur në miratim të ‘krahëve’ të strukturave partiake në të dyja forcat respektive. Nëse Bashkimi Demokratik për Integrim dhe LSDM-ja ia dolën që të godasin përpjekjet e opozitës së bashkuar maqedono-shqiptare, që pati për pasojë zhbërjen e mocionit të mosmebesimit në Kuvend, dhe nëse ia dolën ta bëjnë punë të kryer zëvendësimin e Besës me Alternativën, plus duke dhjetuar radhët e ‘besatarëve’ me largimin e Kastriot Rexhepit, kjo nuk do të thotë se palët janë rehatuar! Emërtues i përbashkët i ndodhive në gjirin e socialdemokratëve maqedonas dhe të Lëvizjes Besa është se ‘po zien’: Në LSDM vazhdon të mbizotërojë ndasia mes ‘ruralistëve’ dhe ‘urbanistëve’ për pozicionime në parti që mund të reflektohen edhe në raportet me integristët e Ali Ahmetit, ndërkohë që tek partia shqiptare që nga mazhoranca kaloi në opozitë, raportohet të ketë mospajtime serioze brenda Kryesisë, si kur është fjala për braktisjen e koalicionit qeverisës, ashtu edhe, sidomos, për ‘përjashtimin’ e Kastriot Rexhepit nga radhët e partisë. Përmendet, ta zëmë, se në Shkup gati-gati e gjithë anëtarësia është pozicionuar kah deputeti ‘rebel’ që ditëve në vazhdim edhe mund të fillojë jetësimin e nismës ‘Evropa 21’ drejt sigurimit të bashkëmendimtarëve në Kuvendin e RMV-së. KDP mëson se Alternativa e Afrim Gashit, ndërkaq duket se është duke tejkaluar inat-mëritë e deridjeshme, të brendshme, dhe është çëshje momenti se kur do t’i thotë ‘po’ krushqisë me partitë në pushtet!

KDP

Të fundit