E enjte, 9 Maj, 2024

“Pak po më jep jeta ime / e tepër po lyp nga Unë”

Shkruan: Enver Robelli

 

Sot është përvjetori i kalimit në amshim të poetit Ali Podrimja. Vajti në Francë në një festival poezie, u fut në një pyll dhe s’u kthye më në Kosovën që e kishte gjak të pafalshëm. Ky është shkrimi që pata shkruar për Ali Podrimjen më 25 korrik 2012. Ka shumë shkrime për të cilat jam krenar, por ky është diku lart në listë… Lexim të këndshëm! Dhe mos harroni: çfarë lexoni, të tillë jeni!

 

“Pak po më jep jeta ime / e tepër po lyp nga Unë”

 

Shkoi Ali Podrimja. Dhe do të kthehet prapë mes nesh, nesër, pasnesër, e do të na thotë: “Këtu isha, po s’më patë, të verbër”! Ali Podrimja i ka lënë shumë Kosovës – Kosova publike e pasvitit 1999, ndërkaq, për të dhe shumë mendimtarë të tjerë dhuratë të vetme kishte: mospërfilljen dhe nënçmimin

1.
M’u kujtua Ali Podrimja i viteve ’90. Më saktësisht i mesit të viteve ’90, kur në Kosovë kishin filluar të zbeheshin shpresat, kur gjithnjë e më pak njerëz besonin se “politika e mosdhunës” do të çonte në cak, duke e detyruar hasmin të lëshonte pe. Hasmi bartte uniformë luftarake, kryesisht të kaltër. Në qendër të Prishtinës s’kishte vend për shqiptarë. Para hotelit “Grand” ishte vënë tabela: “Ndalohet hyrja për qen dhe shqiptarë”. Brenda Arkani dhe kasapët e tij numëronin paratë e fituara nga plaçkitjet në Bosnjë dhe nëpër dyqane shqiptarësh në Kosovë, e cila ishte e ndarë në mënyrë horizontale: në sipërfaqe hasmi me kërbaçin e tij, nën të një popull në kërkim të rrugës drejt lirisë. Shqiptarët ishin tërhequr në periferi. Te “Qafa” zhvillohej diçka si jetë kulturore nëpër kafehane. Këtu qaheshin dertet, këtu skalitej mendimi, këtu mendohej e diskutohej për politikën dhe policinë, të vrarët dhe të gjallët. Tri personalitete të asaj kohe më kujtohen veçanërisht: Ali Podrimja, Azem Shkreli dhe Bajram Kelmendi. Asnjëri s’është më në mesin tonë. Podrimja shkoi në amshim tani, Shkreli iku nga kjo botë para se ta shihte lirinë (e vrazhdë) të Kosovës, Kelmendi ra pre e plojës së hasmit. Më kujtohen që të tre duke e admiruar Besim Ndrecajn, një burrë nga rrethina e Suharekës që nga mesi i viteve ’90 kishte tërhequr këmbëzën e armës kundër hasmit. “Me vdekë duhet mësue / Qençe nuk jetohet më”, do të thoshte Ali Podrimja.

2.
M’u kujtua Ali Podrimja i mesit të viteve ’90, në Gjenevë, dhe pyetja e tij e papritur në mëngjes: “A kam gërhitur mbrëmë?” Na kishte zënë gjumi në një dhomë të madhe hoteli, në muhabet e sipër – më shumë për politikë e më pak për letërsi. Dalja jashtë Kosovës në atë kohë ishte edhe moment i shkurtër çlirimi: më në fund në botën e civilizuar, larg uniformave të hasmit, larg helmetave, larg kallashnikovëve, larg arbitraritetit të pushtetit. Vinte Ali Podrimja shpesh bashkë me Azem Shkrelin; i pari i veshur lëger, i dyti gati kurrë pa kravatë. Kush ka qenë dëshmitar i debatit të tyre për veshjen e modën në përgjithësi, zor të mos qesh me mallëngjim.

3.
M’u kujtua Ali Podrimja mbi të gjitha si poet, i cili me zërin e tij u shfaq në horizont si flakërim vetëtime. Shkroi vargje që me kalimin e kohës u shndërruan në përbetime për liri e për dashuri. Jeta nuk e përkëdheli Ali Podrimjen. Prej dëshpërimeve të vogla deri te tragjeditë e mëdha personale – të gjitha kaluan kah ai dhe mbi të gjitha kaloi. Ikja e tij në një mal të thellë në Francë në mënyrë simbolike përçon edhe një mesazh: shikimi drejt horizontit perëndimor, të cilin aq shumë e lartësoi në vargjet e tij dhe të cilin si ideal përparimi aq shumë ia dëshiroi popullit të tij. Iku Ali Podrimja në një çast kur populli i tij e ka humbur orientimin, kur ata që quhen krerë të tij me retorikë e shohin si model Evropën, por me vepra i jetojnë dhe përjetojnë veset që na largojnë nga çdo civilizim.

4.
M’u kujtua Ali Podrimja i vëllimit poetik “Drejtpeshimi”, botim i “Rilindjes”, biblioteka “Albatros”, viti 1981, “zgjodhi e përgatiti Ibrahim Rugova”. Nga parathënia – dorën në zemër – mjaft hermetike e shkruar nga Rugova veçojmë: “Dhe sikur poeti inkuadrohet në atë kuptimin e përgjithshëm, jo të ndalet vetëm në semantikën e formave, po përmes retorizimit të tyre, të kërkojë ekzistencën e formave, se pa ekzistencë nuk ka as esencë, e kjo sigurohet me krijimin dhe forcimin e formave poetike, që nuk janë zbrazësi konstruktive, po plotni esenciale e aktive”. Në këtë vëllim Ali Podrimja thërret: „pak po më jep jeta ime / e tepër po lyp nga Unë”.

5.
Shkoi Ali Podrimja. Dhe do të kthehet prapë mes nesh, nesër, pasnesër, e do të na thotë: “Këtu isha, po s’më patë, të verbër”! Ali Podrimja i ka lënë shumë Kosovës – Kosova publike e pasvitit 1999, ndërkaq, për të dhe shumë mendimtarë të tjerë dhuratë të vetme kishte: mospërfilljen dhe nënçmimin. Po, jeta atij i dha pak. Dikush nga pushteti shkruan: “Penda e tij e palodhshme”. Me gjasë ka menduar “pena” (mjet për të shkruar me bojë). Të tjerët ngarendin në thurjen e vargjeve burokratike në stilin “ishte ashtu, ishte kështu”, ndonëse nga leximi i ditirambeve të tyre të dobëta s’fitohet përshtypja të kenë lexuar së paku kryeveprën e Ali Podrimjes: “Lum Lumi”.

6.
Edhe Ali Podrimja, për fat të keq, do të harrohet shpejt, siç janë harruar Esad Mekuli, Azem Shkreli, Beqir Musliu, Anton Pashku, Hilmi Agani e shumë e shumë të tjerë, njerëz të heshtur dhe atdhetarë të zjarrtë. Këta i përkasin epokës (modeste) iluministe të Kosovës. Por ne nuk jetojmë ngaherë në kohëra iluministe -jetojmë në kohëra të tenderit, varrosjes së shtëpive botuese (për shembull “Rilindja”, ku me dekada kishte punuar Ali Podrimja), groposjes së kulturës. Tani botohen vëllime poetike të autorëve anonimë nga Muçibaba e Kaçibegu, derisa në vitet ’70 e ’80 Ali Podrimja dhe shokët e tij kujdeseshin që ambienti kulturor i Kosovës të pasurohej me antologji poetike madje edhe nga vendet ekzotike. Sivjet te një librashitës para hotelit “Grand” më ranë në sy një antologji e poezisë së Kuvajtit, një përmbledhje me poezi e Giacomo Scottit (poet i pakicës italiane të Jugosllavisë) dhe një tjetër me poezi të autorit slloven Ciril Zllobec (të gjitha të botuara dikur nga “Rilindja”). Sot (pu)shteti ndan para për gardërobë ministrash, emëron militantë partiakë në funksione të rëndësishme të skenës së kulturës dhe vendos pllaka me këso shënimesh: “Tempujt e dijes dhe të shkencës janë rreze drite për kombin dhe njerëzimin”. Kështu, dita-ditës, Kosova i ngjan Turkmenistanit, ku i Gjithëpushtetshmi një ditë vendosi t’ua ndërronte emrat muajve të vitit. Për shembull, prilli mori emrin e nënës së të Gjithëpushtetshmit.

7.
Si shkrimtar Ali Podrimja nuk ishte indiferent ndaj politikës. Por kurrë nuk do ta marrim vesh (dhe kjo është madhështia e tij e radhës) se me cilën parti ishte. Ka intelektualë në Prishtinë, të cilët s’e meritojnë me këtë epitet, sepse për të mbështetur partinë e tyre, tarafin e tyre janë të gatshëm t’i arsyetojnë të gjitha: vrasjet e rivalëve politikë, plaçkitjet, vjedhjet, korrupsionin, krimin. Viteve të fundit Ali Podrimja zgjodhi protestën në heshtje. Kur e shihnim në rrugë, pothuaj kalimthi ankohej për degradimin e kulturës dhe vazhdonte rrugën e tij. Moti e kishte vërejtur se një epokë kishte marrë fund dhe tash niveli mendor i këtij vendi në Kuvend e gjetiu matet edhe me çibuk e llullë. Përballë kësaj gjendjeje vuajti edhe krijimtaria e tij; poezitë e Ali Podrimjes viteve të fundit shpesh ishin vetëm hija e krijimeve të tij të dikurshme.

8.
M’u kujtua Ali Podrimja i poezive të përkthyera me kujdes në gjermanisht nga Hans-Joachim Lankschi. Podrimja i buzëqeshjes në kafaz, i liqenit të Starnbergut dhe i Villa VValdbertas, i leximeve në shumë cepa të hapësirës gjermanofone, mes vendorëve kureshtarë dhe bashkëkombësve “me çorapë të bardha”, siç i quante me shpoti të lehtë dhe prapë i donte ashtu siç ishin, gjithnjë duke shpresuar se vjen ora e fatit.

9.
“Jemi aq pak në këtë vend, çdo i rënë është vëlla dhe mik”. Këto vargje të poetit dhe gazetarit norvegjez Nordahl Grieg do t’i kishin pëlqyer Ali Podrimjes. Sa qe gjallë ai kështu na fliste, por fatkeqësia e Podrimjes ishte të jetonte dhe mbijetonte – sidomos viteve të fundit – jo vetëm në një shoqëri të varfëruar në të gjitha aspektet, por edhe pothuaj të kalbur moralisht, ku model kulturor është mendësia grabitqare.

10.
Por ndoshta vijnë kohëra të tjera, kohëra kur Ali Podrimjen Kosova do ta kujtojë si poet që i dha gjuhë dhembjes e shpresës dhe si pehlivan që kërcente nga Ura e Fshejtë në Drinin e Bardhë. Deri atëherë bari mbi varrin e tij do të kositet disa herë. Mes shumë vargjeve testament ai na ka lënë edhe këtë: “Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete. / Koha është të duhemi”. Në këtë qark dashurie Ali Podrimja i shihte të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë. Por qarku i dashurisë në Kosovë, në trevat shqiptare në përgjithësi, është i ngushtë, tepër i ngushtë.

 

Marrë nga profili i autorit në Facebook

Të fundit