E hënë, 20 Maj, 2024

INTERVISTË, SVETLANA SLAPSHAK: SERBIA TA NJOHË PAVARËSINË E KOSOVËS!

Intelektualja e shquar serbe, Svetlana Slapshak, që prej vitesh jeton në Lublanë të Sllovenisë, thotë për televizionin Klan Maqedoni se Evropa duhet të ushtrojë presion diplomatik dhe të ofrojë mjete financiare për të detyruar Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Antropologia e njohur që u detyrua të largohej nga Beogradi, në vitet tetëtdhjetë të shekullit të kaluar, për shkak se kundërshtoi hapur propagandën antishqiptare, deklaron se pranimi i vendeve të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Evropian do të ndihmonte shumë zgjidhjen e problemeve të rajonit.

Intervistoi: Seladin XHEZAIRI

–         Profesoreshë, faleminderit së pari që pranuat të flisni për Televizionin Klan që emeton program në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut! Fillimisht dëshiroj t’ju pyes si e shikoni samitin e liderëve të Ballkanit që këtë fillim-javë u mbajtë tek ju në Bërdo. Në fakt, si e shikoni këtë euro-skepticizmin e ballkanasve në përpjekjet që rajoni t’i bashkangjitet Bashkimit Evropian?

SLAPSHAK: – Skepticizmi kujtoj se është plotësisht i paarsyeshëm. Mendoj se hyrja në Bashkimin Evropian mund të nënkuptojë vetëm të mirën, jo shumë të mirën, por disa punë mund të rregullohen. Kujtoj se në këtë moment kjo është mënyra e vetme që të rregullohet çështja e shqetësimit të krijuar me paraqitjen e të ashtuajturit ‘Non paper’ dhe në përgjithësi lidhur me çështjen e paprekshmërisë së kufijve. Kjo në Evropë patjetër duhet të rregullohet. Shembulli i Qipros që, sikurse e dini, është e ndarë në dy pjesë, nuk ushqen shumë shpresa, por nga ana tjetër, ka mënyra, ka mënyra ligjore, administrative, morale, etike, që çështjet në Ballkan të rregullohen, në sensin që në Evropë mbase është më mirë të hyjnë bashkarisht të gjitha shtetet që sot nuk janë në Bashkimin Evropian, të hyjnë së bashku, në të njëjtin moment dhe në këtë kontekst është e nevojshme që, natyrisht, të rregllohen marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovë, të rregullohet edhe çështja e njohjes së Kosovës dhe të rregullohet ajo që pengon çdo mirëkuptim. Natyrisht, kjo i përket Vuçiqit dhe Serbisë zyrtare dhe kjo sigurisht se mund të arrihet përmes presioneve, presioneve të buta, në mënyrë që të rregullohet në Bashkimin Evropian.

–         Thoni: Duhet rregulluar, por shtrohet pyetja si, për shkak të qëndrimeve do të thoja diametralisht të kundërta të Beogradit dhe Prishtinës zyrtare?

SLAPSHAK: – Shumë thjeshtë – me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur! Nuk ka mënyrë tjetër!

–         Mendoni se kjo është e mundshme në Beogradin e sotëm?

SLAPSHAK: – Mendoj se do të ishte e mundshme në Beogradin e sotëm, për shkak se ka gjenerata e gjenerata të cilat nuk mendojnë sikurse Vuçiqi. Ka shumë njerëz të cilët po i kundërvëhen, ka shumë potencial në çdo ndërrim të pushtetit, kurse çdo ndërrim i pushtetit ka për të qenë i vështirë në Serbi. Këtë e pranoj. Sidoqoftë, presioni nga Evropa mbase mund të kontribuojë në këtë drejtim, ashtu sikurse kanë ndikuar presione të tjera mbi Vuçiqin. Përfundimisht, ndonjë presion diskret, por i fuqishëm diplomatik, ndonjë premtim, tekefundit para, financime për të dyja shtetet, do të ndihmonte shumë. Kjo e ndihmon përherë  zgjidhjen e problemeve diplomatike.

–         Mirëpo, kur është fjala për Kosovën, ndoshta e kam gabim, opozita e sotme serbe është, po thonë, goxha më e ashpër sesa pushteti i zotit Vuçiq!

SLAPSHAK: – Opozita nacionaliste! Këtë opozitë unë nuk e llogaris si opozitë! Opozitë është ajo që i kundërvihet politikës serbe. Dhe, kur them, politika serbe – kjo është sjellja e Serbisë të paktën gjatë 30 viteve të fundit. Sipas kujtesës sime dhe jam goxha e moçme, janë këtu plotë 40 vjet! Serbia ishte e gatshme të vendosë apart’hejdin në Kosovë, Serbia ishte e gatshme të bëjë luftë kundër një pjese të territorit të vet. Këto janë çështje të cilat në Serbi nuk janë zgjidhur. Çështja e përgjegjësisë së Serbisë për luftën nuk është zgjidhur, ndaj them se këto çështje patjetër që duhet zgjidhur, por le të lejojmë që të zgjidhen gradualisht: Së pari le të ushtrohet presin që të njihet Kosova, ky është hapi i parë. Para kësaj nuk mund të arrihet shumë.

–         Sërish shtrohet çështja: Si të arrihet kjo, kur, më duket se dhe ju mbroni tezën se pushteti i sotëm në Serbi është vazhdimësi e politikës së Slobodan Milosheviqit?

SLAPSHAK: – Absolutisht! Dhe, në këtë kuptim, shpresa e vetme të cilën e shikoj unë, është me të vërtetë diplomacia e fuqishme, presioni i fuqishëm dhe shumë fonde për të dyja shtetet në mënyrë që të arrihet në shkallën kur Vuçiqi ta njohë publikisht Kosovën, shteti serb ta njohë publikisht Kosovën dhe me këtë do të hapej rruga për punë të tjera. Kjo është rruga e vetme e mundshme dhe këtë Evropa mund ta zbatojë me aftësitë e veta diplomatike dhe financiare.

–         ‘Non paper’- i parë u paraqit, do të thoja në Slloveni e më pas patëm edhe të paktën dy-tre të tjerë. Ky i pari ka për shtyllë krijimin e të ashtuquajturave ‘Serbi e Madhe’, ‘Kroaci e Madhe’, ‘Shqipëri e Madhe’…

SLAPSHAK: – Po, kështu është! Kemi harruar dhe një gjë: Ai ‘Non paper’, nuk më kujtohet me saktësi teksti, pra nuk mundem të pohoj me saktësi, ama ai ‘Non Paper’ nënkupton edhe një fuqi tjetër që ka gisht në punët ballkanike dhe kjo është prej kohë më parë – Hungaria. Është e sigurt se Hungaria luan një rol që nuk është më pozitivi në botë. Kemi rastin e përzierjes në mediat maqedonase, kemi raste të ndërhyrjes tejet serioze dhe të blerjes së mediave sllovene, të medias djathtiste, kemi lloj aleance djathtiste që po formohet dhe këtu kryeministri hungarez Viktor Orgban përfaqëson atë Evropën Lindore për të cilën shpresonim se ka për të qenë pjesa më e mirë e Evropës kur ra Muri i Berlinit. Doli se kjo na kthen në çështje shumë më të këqija se ç’ishte socializmi etatist. Sidoqoftë, duhet menduar dhe duhet vepruar shumë  diplomatikisht për zvogëlimin e influencës së Hungarisë në këtë rajon, nga njëra anë, kurse nga ana tjetër, po ashtu, më duket se ambiciet e atyre fuqive të mëdha, sikurse thonim në Ballkan, duhet pakësuar, duhet zbutur, duhet pakësuar mitet e reja që po paraqiten dhe këtu rolin vendimtar, pikërisht pse është fjala për ‘Non paper’-a, mund ta luajë media. Media e pavarur e kritike.

–         Si e shihni ndikimin rus, kinez, por edhe ndikimin turk në rajon?

SLAPSHAK: – Ndikimi turk është shumë serioz. Bëhet fjalë për financime të mëdha veçanërisht në Bosnjë e Hercegovinë dhe në disa vende tjera. Lidhur me situatën në Maqedoni, para do kohësh janë zgjuar edhe disa ambicje bullgare, kulturore dhe territoriale, që në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohen. Sa i takon marrëdhënieve në Ballkan, në këtë kuptim, duhet bërë një plan evropian të arsimit, të edukimit mediatik, qytetar, që para së gjithash, më duket se është qëllimi kryesor, do të përcaktonte përgjegjësitë dhe do të fliste për luftën, që në kokat e disave, mbase edhe nuk ka përfunduar. Kur këto përgjegjësi të konstatohen dhe do të flitej publikisht për këtë, këtu ‘lojtari’ kryesor duhet të jetë Serbia, për shkak se sipas mendimit tim  është më përgjegjësja, atëherë do të kishte mundësi të bëheshin edhe shumë projekte të tjera. E dini çka, tash disa dekada, të paktën dy dekada, unë  njoh disa lidhje të punës së përbashkët, të përkthimeve të ndërsjella të gjeneratave q janë shumë më të rejea se unë, midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo, pra është e mundshme, ka njerëz që duan, që munden dhe që guxojnë të bëjnë punë të këtilla. Ata duhet të angazhohen, të jenë në plan të parë, të tregohen emrat, puna dhe të arriturat e tyre dhe mbi këtë bazë të ndërtohen lidhjet që mund të realizohen paralelisht, pa marrë parasysh situatën e ndërsjellë diplomatike.

–         Si mund të ndodhë, do të thoja, një pajtim paksa më i dukshëm, serbo-shqiptar?

SLAPSHAK: – Për këtë pajtim shumë njerëz janë duke punuar. Të themi këtë e bën REKOM-i, mikja ime më e mirë Natasha Kandiq, që shumë shpesh është në Kosovë dhe është duke punuar shumë për këtë. Ajo është duke punuar pikërisht për atë kryesoren: Numërimin, emërimin, klasifikimin e viktimave. Kjo është një punë që patjetër të bëhet para se të bisedohet. Projektet e ardhshme janë ato që duhet të financohen nga BE-ja. Projektet e pajtimit janë të njohura në shumë vende. Të themi përvojat e Marokut  dhe Afrikës së Jugut janë mjaft interesante. Këto janë shembuj që ekzistojnë dhe mund të punohet. Kësisoji, nëse bëhen investime, rezultatet nuk do të mungojnë. Sot ajo që ndodh mes Izraelit dhe Palestinës tregon se Evropa nuk ka bërë investime të mjaftueshme, në atë pjesë, në njëfarë kuptimi pjesë të kulturës së saj, që ka bërë edhe Evropën. Kështu që, më kryesorja është se, më duket paradoksale puna e kulturës, ku ka shumë entuziastë që duan dhe nuk frikohen të punojnë.

–         Përmendët kontestin Maqedoni-Bullgari. Duke marrë parasysh se i njihni rrethanat në këtë pjesë të rajonit, si e shihni këtë? A do të jetë e vendosur pala bullgare kundër hyrjes së RMV-së në BE?

SLAPSHAK: – E dini çka: Kemi shembuj ku vetoja ka zgjatur shumë dhe të themi ka qenë relativisht efikase. Ishte vetoja e Italisë kundër Sllovenisë. Sa i takon kësaj, po, është një çështje shumë e vështirë, sigurisht, por nga ana tjetër mendoj se Bullgaria nuk është në situatë dhe nuk ka aq fuqi që për një kohë të gjatë  t`i bëjë ballë. Sipas mendimit tim, Maqedonia ka bërë kompromisin më të madh që mund të bëhej duke ndryshuar emrin për shkak të Greqisë. Greqia në atë moment, edhe pse kishte qeveri djathtiste, edhe ata janë paraqitur me disa kërkesa. Në këtë drejtim nuk do të vlerësoja se kërkesat bullgare janë të rrezikshme, për shkak se kanalet evropiane këtë mund ta shuajnë. Dhe, shpresoj që ta bëjnë këtë. Do ta kuptojnë se për çka bëhet fjaë dhe do ta rregullojnë. Përsëri e them, diplomacia e aftë dhe mediat kritike këtu janë vendimtare.

–         Dhe krejt në fund, t’ju pyes edhe këtë: në vitet e 80-ta, shumica e intelektualëve shqiptarë në Maqedoni shkonin në Prishtinë. Në ato vite, kushtimisht thënë, ju ikët në Slloveni?

SLAPSHAK: – Shumë kushtimisht e thënë…Po, unë kam jetuar midis Beogradit dhe Lubjanës nga viti 1975, madje nga viti 1974. Kam qenë një nomade, por që kur filluan propagandat kundër shqiptarëve u vendosa në anën e tyre dhe përjetova që të më përjashtojnë nga kultura serbe. Patjetër të pranoj se kjo nuk më pengoi shumë. Më shumë më pengoi kur filloi lufta kundër Kosovës dhe kur e përjetova shumë thellë atë që ndodhte dhe me keqardhje duhet ta them, se në këto 30 vite, veçanërisht në 20 vitet e fundit, thuajse askush në Serbi nuk shkroi apo nuk bëri diçka, që asaj gjenerate të re t`ia sqarojë se çka ka ndodhur në Kosovë, përveç një gruaje që në fund e përzunë dhe u zhduk, nuk e di ku,  është kjo Svetlana Gjorgjeviq dhe libri i saj për Kosovën si një dëshmi e tmerrshme e luftës dhe sërish u botua nga Natasha Kandiq dhe REKOM. Është i vetmi libër që flet me sinqeritet, qartë për atë se çka ka ndodhur në Kosovë në vitet 1998 – 1999. Më vjen keq që ekziston vetëm një libër, mendoj se duhet të ekzistojnë më shumë dëshmi, deklarata të qarta, marrje të qarta të përgjegjësive, për shkak se këto janë bazat për të bërë diçka.

–         Duke u përgatitur për këtë intervistë, diku lexova një deklaratë tuajën, se nuk jeni të sigurtë se kur ka filluar lufta në ish-Jugosllavi, me trazirat në Maksimir, kur u shkel me tank ai ushtari apo në vitin 1991 kur u dhunua një shqiptare, më duket në Osijek?

SLAPSHAK: – Në Vukovar…në Vukovarin fatkeq. Unë, si feministe, do të isha për këtë rast. Nga ana tjetër, sipas datave, kur pamë rastin e parë, kur shumë prej nesh nuk u besonim syve tanë, kjo ishte ajo vrasja e ushtarit maqedonas në Split…

Të fundit