E shtunë, 18 Maj, 2024

INTERVISTA, NENAD ÇANAK: LETËRNJOFTIMI I RREJSHËM I SERBISË SË MADHE

Nenad Çanak, politikan opozitar serb dhe lider i Ligës së Socialdemokratëve të Vojvodinës, thotë se projekti më i ri i Beogradit zyrtar për të ashtuquajturën ‘botë serbe’ për momentin i konvenon më shumë regjimit aktual në Moskë për të siguruar dalje në Mesdhe. Duke folur për TV Klan Maqedoni nga Novi-Sadi, zoti Çanak tha se sa i përket çështjes së Kosovës, aktualisht opozita serbe mbanë qëndrim më të ashpër sesa regjimi aktual. Për zgjidhjen përfundimtare të problemit, thotë ai, është i pamohueshëm ndikimi i Rusisë mbi Beogradin – për interesa ruse e jo serbe!

 

Intervistoi: Seladin XHEZAIRI

 

–         Zoti Çanak, si e komentoni deklaratën më të fundit të Daniel Serverit se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, de facto,  po tenton të krijojë Serbinë e Madhe, të cilën e dëshironin Milosheviqi dhe Dobrica Qosiqi, pra atë të programit serb të modernizuar për Ballkanin e sotëm? Këto ditë dhe ju, duke folur po për këtë temë, keni thënë përafërsisht se në Serbi vazhdon të jetë gjallë ‘Naçertania’ e Ilija Garashaninit, nëse nuk gaboj…

ÇANAK: Është e vërtetë se plani ose thënë në gjuhën e vjetër sllave ‘Naçertanie’ daton që nga viti 1844, dhe në njëfarë kuptimi vazhdon të jetë gjallë, ndonëse rrethanat natyrisht se kanë ndryshuar gjatë këtyre mëse 150 vjetëve. Serbia e Madhe çfarë e mendonte Slobodan Milosheviqi ishte vetëm shprehje e po këtij plani dhe kjo nënkuptonte krijimin e një ‘Jugosllavie të shkurtuar’ që në fakt do të të ishte Serbi e Madhe me një ‘letërnjoftim të rrejshëm’. Një gjë e tillë po ndodhë edhe sot me këtë rrëfimin për të ashtuquajturën ‘botë serbe’ që sërish mëton të përfshijë disa hapësira ku jetojnë serbët etnikë, ama duke harruar një ‘imtësirë’ se shteti i vetëm në të cilin me të vërtetë të gjithë serbët jetonin në një shtet ishte Jugosllavia dhe kjo nuk do të mund të krijohet kurrë nëpërmjet një shteti të madh të mbështetur mbi themele etno-nacionaliste. Prandaj, në këtë shtrirje, unë nuk do të ndërlidhesha vetëm dhe ekskluzivisht për planin etnik, si të shprehem, për shkak se ai në thelb është i lidhur me një bazë politike. Baza politike është mënyra e administratës. Asnjë shtet i paramenduar etnonacionalist, i madh, pavarësisht nëse është kjo Serbia e Madhe, Kroacia e Madhe, Shqipëria e Madhe, Hungaria e Madhe apo ndonjë tjetër si Bullgaria e Madhe, secila prej tyre është populiste dhe për nga definicioni është antidemokratike. Dhe, për shkak se janë centraliste dhe antidemokratike, ato vetëvetiu sikurse kjo që po synohet me këtë ‘botën serbe’ nënkuptojnë bashkangjitjen edhe të disa territoreve të tjera për çka, natyrisht se njerëzi të cilët jetojnë nëpër to – nuk janë të gatshëm, sado që sot mund të duket se janë. Sidoqoftë, këtë nuk do ta lidhja ekskluzivisht me Aleksandar Vuçiqin, por do të shikoja se edhe në interes të kujt po shkon. Për momentin kjo i konvenon më shumë regjimit aktual në Rusi për shkak se Rusia ka një dëshirë dhe nevojë të moçme që në planet e veta imperialiste të dalë në Mesdhe. Vendi i vetëm përmes të cilit do të dilte në Mesdhe do të ishte Mali i Zi. Ndërkaq, që Mali i Zi si vend anëtar i NATO-s dhe me një përparim të çmuar në rrugën demokratike, të mund të gjendet brenda këtyre konizave, për këtë duhet manipuluar me ndjenja të fuqishme nacionale   serbët në Mal të Zi dhe në këtë mënyrë të thurret njëfarë rrëfenje për Serbinë e Madhe, domethënë unionin me Serbinë, apo quanie si të doni, por të jetë lidhje ndërmjet Malit të Zi dhe Beogradit. Qëllimisht po them Beogradit dhe jo Serbisë, për shkak se po të thelloheni pak më shumë, keni për të parë se ai plani vazhdimisht del nga Beogradi dhe qarqet beogradase; se ai askund nuk është i bazuar përtej Beogradit, për shkak se njerëzit jashtë Beogradit, në Vojvodinë ta zëmë, që me ndryshimet kushtetuese të vitit 1990 u shkatërrua tërësisht si bashkësi politike, Shumadi ose në Nish me rrethinë, të gjitha këto vise janë nën centralizmin e Beogradit. Dhe, ky moment centralist i jep forcë gjithë këtij projekti të ‘botës serbe’ sot. Pra, nuk është asgjë e re, por kësaj here interesi i Rusisë mbështetet shumë fuqishëm dhe i kombinuar me balancimin ndërmjet Lindjes dhe Perendimit të cilin pushteti aktual në Serbi po mundohet ta bëj, pa marrë parasysh pasojat afatgjata të gjithë kësaj, thjesht po i krijon rrethanat në të cilat sërish po rindezen epshet nacionaliste dhe po bëhen gjithnjë e më të shumta, fatkeqësisht si dhe në mbarë Evropën.

–         Të dielën që lamë pas pamë praktikisht përsëritjen e të ashtuquajturit ‘revolucion i jogurit’ në Mal të Zi, saktësisht në qytetin e Nikshiqit. A po realizohet projeti i kahmotshëm politik për daljen e Serbisë në det nëpërmjet Malit të Zi?

ÇANAK: Për dallim nga disa të tjerë, unë nuk i shikoj këto zgjedhjet në Nikshiq si kaq katastrofike. Është plotësisht e logjikshme që nga gushti i vitit të kaluar, pushteti i ri në Mal të Zi po mundohet të marrë në dorë levat e pushtetit gjë që, natyrisht, po shkon shumë ngadalë, por nga ana tjetër po shpërfaqen plasaritje serioze brendapërbrenda kësaj shumice qeverisëse.  Kjo fitorja në Nukshiq e shumicës aktuale në nivelin republikan në Mal të Zi, nuk është aq e shkëlqyer, sikurse pritej: Partia Demokratike e Socialistëve dhe partnerët e tyre të koalcionit të prirë nga presidenti Milo Gjukanoviq, prapëseprapë dëshmuan se  opsioni i tyre është opsioni më i fuqishëm si subjekt, në Mal të Zi; se me mbi 40 për qind  të votave të fituara, ata e provuan se nuk i ka mbajtur në sipërfaqe vetëm pushteti. Fjala është për diçka tjetër: për dallim nga opozita aktuale në Serbi, apo të jem më preciz, nga pjesa më e madhe e opozitës, pushteti aktual në Mal të Zi, tek Partia Demokratike e Socialistëve dhe Milo Gjukanoviqi ka një opozitë serioze dhe parimore. Për shkak se angazhimi i qartë për rrugën evropiane të Malit të Zi, angazhimi evident për Malin e Zi qytetar, të qytetarëve të barabartë kombëtarisht, dhe të komuniteteve kombëtare, kjo është ajo që e bën një alternativë të plotë karshi këtij sistemi klerikal, njëpartiak, njëcentrist e njëetnik që aktualisht po i imponohet Malit të Zi. Para ca ditësh pata një duel televiziv me një përfaqësues të këtij pushtetit të ri në Mal të Zi dhe ai, e përsëriti disa herë, qartë e me zë, se fjala vjen, kryeministri i Malit të Zi, u soll direkt në Listën për zgjedhjet republikane nga Kisha Ortodokse Serbe. Pra, Kisha ka vendosur drepërdrejt se kush në cilin vend ka për të qenë. Kjo kishë dhe mitropoliti i ndjerë Amfilofije luajtën rol të rëndësishëm në ngjarjet e gushtit. Rrjedhimisht, nuk duhet harruar se përkundër disfatës së Partisë Demokratike të Socialistëve, kjo humbje ishte e atillë që shumica parlamentare u bë me vetëm një deputet më shumë nga ana e pushtetit aktual, respektivisht 40:41.  Kur e keni këtë parasysh, atëherë bëhet e qartë se fjala është për një epërsi të ngushtë të arritur me muskuj e presione nga të gjitha anët mbi Malin e Zi proevropian e demokratik. Prandaj, edhe këtë që ndodhi në Nikshiq unë nuk e shikoj si ‘revolucion të jogurtit’. Këtu patëm zgjedhje, ndërsa ‘revolucioni i jogurtit’ u bë me brohoritje nëpër rrugë, por po – kemi të bëjmë me një përpjekje që Mali I Zi të hiqet nga rruga evropiane, që Mali i Zi të kthehet brenda disa kornizave të Serbisë së Madhe për shekullin e XXI, të kthehet nën dominimin e Beogradit dhe që në të njejtin moment Beogradi të vëhet nën dominimin e Moskës. Pra, ky është thelbi i rrëfimit.

–         Si e shikoni rolin e lëvizjes politike të emërtuar ‘URA’, kronkretisht të politikanit Dritan Abazoviq në gjithë këto vlime politike e do të thoja edhe ndëretnike në Mal të Zi?

ÇANAK: Tash dekada të tëra ekziston një mashtrim i madh në këto hapësira: Që përkatësia etnike e ndonjë politikani, sipas përkufizimit duhet të nënkuptojë edhe përkatësinë e tij politike. Këtë e ka shfrytëzuar edhe Milosheviqi dhe partia e tij e më pastaj edhe parti të tjera dhe sipas kësaj – kush nuk voton për këtë opsion mbizotërues, ai nuk është serb ose të paktën nuk është serb i mirë. Po ashtu, kur kam parë veprimet e zotit Abazoviq, kam dëgjuar edhe disa komente se megjithatë ai për nga përkatësia etnike është diçka tjetër e nuk është serb dhe vetëvetiu ka për të qenë një opsion tjetër politik. Harrohet se bie fjala, gjatë kohës së Slobodan Milosheviqit keni pasur njerëz jashtëzakon isht me prestigj në regjimin e tij të cilët për nga nacionaliteti ishin hungarezë, shqiptarë dhe sllovenë, të cilët kishin poste jashtëzakonisht të larta, ushtronin funksione të larta. Për shkak se përkatësia etnike nuk do të thotë asgjë kur është fjala për angazhimin politik. Dhe, këtu e shoh, po them, mashtrimin që e bëri kjo lëvizje duke synuar votat sovrane në Mal të Zi që besonin se për shkak të përkatësisë etnike të zotit Abazoviq ai nuk mund të anojë kah krijimi i Serbisë së Madhe. Natyrisht rezultoi të ndodhë e kundërta: angazhimi i tij politik shkoi në drejtim krejtësisht tjetër në sensin e mbështetjes së qeverisë njënacionale e të njëmendësie, që është edhe më keq, në Republikën e Malit të Zi. Ky, sipas mendimit tim, është një mësim i madh se nuk mund të gjykohet për një njeri në bazë të përkatësisë së tij etnike, por vetëm e vetëm në bazë të veprave të tij. Mendoj se zoti Abazoviq në Nikshiq tregoi se nga politika e tij në të ardhmen ka për të mbetur shumë pak dhe besoj se çdo zgjedhje të ardhshme do të dëshmojnë se malazezët të cilët kanë besouar në indipendentzizmin e tij – janë dëshpëruar.

–  T`i kthehemi zgjidhjes së nyjes së Kosovës: Fitohet përshypja se në Serbi, është i vogël numri i atyre që vlerësojnë se Kosova, de facto dhe de jure, është humbur, kurse në anën tjetër, një shumicë e madhe mendon se kjo nuk është kështu duke ushqyer  bindjen e vjetër më shumë se 100 vjet se shqiptarët ‘nuk e dallojnë sheqerin nga bora’. Si do të zgjidhet ky problem?

ÇANAK: Problemi i madh në Kosovë dhe rreth Kosovës është se njerëzit flasin për Kosovën si problem, nyje, kontest e kështu me radhë, kurse askush nuk është duke e definuar. Askush të thotë se çfarë është ajo nyje e Kosovës. Këtu situata është shumë e thjeshtë: Kemi një pjesë të territorit të Republikës së Serbisë, ndaj së cilës Serbia nuk veproi   politikisht ashtu si duhet të sillet shteti ndaj një pjese të tij, ndaj komunitetit shqiptar nuk veproi në mënyrën që do të ishte e pranueshme, duke krijuar nga ata njerëz qytetarë të barabartë të Serbisë, por duke i larguar nga vetja. Ne para disa ditësh, në Kuvendin e Serbisë, kishim një situatë kur kishte përpjekje të thuhen vetëm disa fjalë në gjuhën shqipe, e që shkaktoi protesta të deputetëve. Kemi në Vojvodinë, ku ka gjashtë gjuhë zyrtare, ka parti që thonë – nëse gjuha kroate është zyrtare në Vojvodinë, edhe serbishtja të jetë në Kroaci. Këto janë marrëzi dhe shkurtpamësi politike. Ju nuk mundeni që Kosovën e pushtuar me shpatë, para Luftës së Parë Botërore, të humbur me anë të bombave në vitit 1999, ta ktheni në ndonjë sistem të Serbisë, kur nuk jeni të gatshëm madje të pranoni ekzistimin e një bashkësie etnike përmes pranimit të gjuhës, të historisë së saj. Në këtë dritë, ideja e qarqeve nacionaliste në Serbi, nuk është që Kosova të kthehet në Serbi. Absolutisht, kush mendon kështu gabon. Ideja është që përmes këtij rrëfimi t’i tregtohet diçka bashkësisë ndërkombëtare. Ky është i gjithë rrëfimi. Sërish, pas kësaj qëndron administrata ruse: Nëse e keni vërejtur, zyrtarët rusë përsërisin shumë shpesh se “Kosova është zemra e Serbisë” se është e palejueshme që Serbia ta pranojë Kosovën e kështu me radhë. Në fakt, atyre nuk u intereson as Kosova e as Serbia, u intereson sa e zeza nën thonj, atyre u intereson Krimeja dhe Pridnestrovje. Në të vërtetë, për ata Kosova dhe Serbia janë “zhetonë” për bixhoz me SHBA-të dhe BE-në. Nëse u ofrohet “ejani të shkëmbejmë Krimenë me Kosovën” Rusia do ta pranonte këtë menjëherë dhe në Serbi më Kosova nuk do të ishte temë. Do të thotë, fjala është për diçka shumë më komplekse sesa çështja si ta zgjidhim “nyjen e Kosovës”. Ajo zgjidhet ashtu që pranohet situata në terren, kushtëzohet me të drejtat e njeriut ku përfshihet garantimi për të gjitha pakicat kombëtare edhe të Kosovës edhe të Serbisë dhe më pas fillon procesi i njohjes, vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe normalizimi i marrëdhënieve. Unë mendoj se madje edhe unioni doganor do të ishte mjaft i dobishëm.

– Mund të komentoni vlerësimet se në Beograd nuk ka dallime rreth çështjes së Kosovës, mes pushtetit dhe asaj që mund të quhet opozitë?

ÇANAK: Nuk do të thoja se nuk ka dallime…

 Me ndonjë përjashtim…

ÇANAK: Ajo që në Beograd me mburrje thuhet opozita e vërtetë, këto grupime dallohen nga regjimi për shkak se kanë një qasje më të fortë ndaj Kosovës. Nëse ata do të ishin në pushtet, situata në Kosovë do të ishte më e ashpërsuar dhe më e ndezur, se ç’është sot. Unë personalisht, sado që jam kundërshtar i regjimit aktual, për shkak të nacionalizmit dhe etnocentrizmit, mënyrës centriste të menaxhimit të shtetit etj, të mos i përmendi shumë huqje që janë prezente në rrafshin lokal, mendoj se ky regjim ka gatishmërinë më të madhe për bisedime sesa sikur këto bisedime do t’i zhvillonte opozita. Fatkeqësisht, e ashtuquajtura opozitë e vërtetë në Serbi, të jem më i saktë opozita e Beogradit, është e lidhur me interesat ruse, është e ndërlidhur me llojin e inatit me BE-në dhe SHBA-në dhe e lidhur me konceptin e etnocentrizmit. Në kohë të sodit këto gjëra janë mëse të dëmshme dhe nuk mund të sjellin asnjë progres në “qetësimin e epsheve” dhe normalizimin e situatës.

–         Paralajmërohet se gjatë një ose dy muajve të ardhshëm mund të vazhdojë dialogu, pas konstituimit të pushtetit ekzekutiv në Kosovë. Zoti Çanak, a prisni përparim drejt finalizimit të këtij dialogu, duke marrë parasysh se në Serbi keni Kreun e ri të Kishës Ortodokse, a mund të arrihet ajo që quhet njohje e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe cili do të mund të jetë kompromisi i ndërsjelltë?

ÇANAK: Personalisht, nuk shoh asnjë mundësi që ndonjëherë Serbia ta pranojë Kosovën. Do të thotë fakticiteti i marrëdhënieve mund të arrijë deri te pika e njohjes së Kosovës, por dikush nga politikanët e pushtetit të thotë “ja e pranojmë pavarësinë e Kosovës” kjo shumë vështirë të ndodh. Pikërisht për këtë, sa e njoh unë situatën në qarqet e pushtetit, duke marrë parasysh se gjithmonë bëhen thirrje se nuk është dhënë asociacioni I komunave serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit, thjesht do të duhet të shkohet para që disa gjëra të lëvizin edhe nga kjo anë, për shkak se në mënyrë thelbësore do të ndryshonte cilësia e jetës. Por, që cilësia e jetës së qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës të shkojë drejt përmirësimit duhet të kuptohet; unë nuk e di përgjigjen e pyetjes. Në veri të Kosovës, qytetarët kujt ia paguajnë tatimet? Shtetas të kujt janë? Çka bëhet atje? A është Serbia shtet i të gjithë serbëve të botës ose Serbia është e atyrë që paguajnë tatimin. Për çka bëhet fjalë këtu? Ose i gjithë ky gjoja problem i Kosovës ndërlidhet me faktin që për shkak të ndjeshmërisë së situatës, qytetarët janë vënë në situatë që askujt të mos i paguajnë taksa, jetojnë në atë që quhet “plan medial” kurse në fakt, atje brenda, jetën e udhëheqin kriminelët. Të shohim se çfarë ka për të ndodhur, të shohim rolin e vërtetë të Kishës Ortodokse Serbe. Patriarku i ri, Porfirije, që falë rrethanave e njoh mirë personalisht, është njeri me të cilin mund të bisedoni për çfarëdo teme dhe është shumë më serioz sesa krerët e mëparshëm të Kishës, me të cilin mund të gjendet një vijë e përbashkët sa i takon trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, që është një ndër justifikimet kryesore të nacionalistëve serbë se përse nuk duhet të pranohet Kosova. Do të thotë, tani ka nga ku mund të fillohet, vetëm nëse gjendet vullnet i mjaftueshëm dhe vullnet politik. Vetëm se –  nuk duhet harruar se dikush qëmoti ka thënë një të vërtetë të madhe, e kjo është se “suksesi në politikë është të gjesh e të definosh armikun e dobishëm”. Fatkeqësisht, për regjimin aktual në Serbi dhe situatën aktuale të vetëdijësimit në Serbi, Kosova është armiku ideal!

–         Kur do të vijë, të mos themi te njohja e Kosovës, por kur mund të kemi një normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës zyrtare?

ÇANAK: Shumë vështirë është që kjo të konstatohet në korniza kohore. Është pyetje si ajo që unë një ditë ia parashtrova vetes para pasqyrës “Kur u bëra kaq i shëndoshë?”. Kjo nuk mund të definohet me një ditë apo orë. Thjesht, kjo duhet të arrihet me kalimin e kohës. Është një rrugë e vështirë, por duhet të bëhet me këmbëngulje. Fatkeqësisht, këtë për momentin nuk jam duke e parë.

Të fundit