E shtunë, 4 Maj, 2024

KËRÇOVË, TRANSPORTI HEKURUDHOR ËSHTË I PAPËRFILLSHËM

Çdo ditë e më pak qytetarë zgjedhin transportin hekurudhor për udhëtime brenda vendit.  Kjo vlen edhe për studentët e Кërçovës që studiojnë në Tetovë ose Shkup por edhe për qytetarët që udhëtojnë për arsye pune. “A udhëtojmë me tren? Mos po tallesh gjë, pse ka trena vendi ynë?” – ishte përgjigja dhe reagimi i parë i një studenteje nga Kërçova.

 

Autorë: Albina Sefadini dhe Edlira Sadiku  

 

Më shumë nga të aknekuarit rreth temës janë të mendimit se transporti hekurudhor nga ky qytet drejt Gostivarit, Tetovës dhe Shkupit nuk është i sigurtë, nuk i plotëson kushtet e nevojshme dhe as nuk ka orare të përshtatshme. Sipas opinionit të studentëve dhe qytetarëve, udhëtimi me tren drejt qyteteve ku studiojnë ose punojnë nuk është alternativë.

“Treni as nuk vjen në shprehje dhe nuk e shohim aspak si mundësi pasi që udhëtimi i tillë nuk i plotëson kushtet bazike”, deklaroi një student tjetër.

“Nuk është i sigurt udhëtimi me tren”, tha një student.

“Treni është i vjetër shumë dhe nga momenti në moment mund të prishet, gjithashtu siguria mungon edhe brenda në tren. Aty çdo gjë mund të të ndodh. Udhëtarë të rrezikshëm dhe të dyshimtë mund të të grabisin, të shajnë, nisin konflikte që kalojnë deri në dhunë fizike. Askush nuk mban përgjegjësi.” – tha njëri nga të intervistuarit, student në Universitetin e Tetovës.

“Pastërtia nuk është në nivel. Çdo dit që vjen bëhet edhe më keq. Kam udhëtuar në të kaluarën, ka qenë e tmerrshme. Nuk do të udhëtoja më” – u shpreh një qytetar nga Kërçova, i punësuar në Shkup, që këtë itinerar e ndjek tre herë në javë.

“Nuk kam udhëtuar asnjëherë. Kam dëgjuar që treni nuk është i mirë aspak, por nëse do investohej në të, do të udhëtoja pa dyshim” – tha një studente e re.

“Orari i trenit nuk është aspak i përshtatshëm, është shumë herët” – poashtu deklaroi një studente.

Treni i linjës Kërçovë – Shkup

Treni nga Kërçova drejt Tetovës dhe Shkupit niset herët në mëngjes në orën 05:45, kurse nisja nga Shkupi drejt Kërçovës është në orën 16:45. Kjo është linja e vetme ditore e këtij itinerari dhe njëri ndër shkaqet që ky transport përdoret shumë pak për të mos thënë aspak.

Për të marrë më shumë informacion rreth numrit të udhëtarëve me tren, iu drejtuam stacionit të trenit në Kërçovë. Nëpunësit na treguan se në ditë ka ndoshta rreth 5 deri 10 udhëtarë.  Ata shprehën nostalgji për kohën para 10 viteve kur qytetarët ishin shumë të interesuar dhe studentët e pushtonin trenin. Gjithashtu thanë se treni është që nga vitet 60-ta dhe as ngrohje nuk ka. Sipas tyre, duhet investuar më shumë të sillen trena të rinj, të bëhet përshtatja e orareve dhe çmimeve të biletave me nevojat e qytetarëve, sepse vetëm kështu do të ketë më shumë udhëtarë.

Nga ndërmarrja “Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut” kërkuam informata mbi planet e investimit përkatësisht për trenin e linjës Kërçovë-Shkup. Edhe pse na u premtua, nuk morrëm një përgjigje.

 

MUNGESA E UDHËTARËVE PAGUHET SHTRENJTË

 

Iu drejtuam Ministrisë të Transportiti dhe Lidhjeve për të parë sa çfarë plani ka Qeveria mbi këtë temë. Shumat që paguan ky dikaster në bazë vjetore për të mbuluar humbjet nga qarkullimi i ulët i udhëtarëve janë shumë të larta. Përgjigja u referohet humbjeve të kësaj kategorie në të gjithë tërritorin e vendit.

Për vitin 2020 janë ndarë 430 milion denarë për të mbuluar humbjet në trafikun e udhëtarëve. Gjithashtu për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore janë investuar 553 419 000 denarë. Ndërsa për vitin 2021, nga Buxheti i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, janë parashikuar 400 milion denarë për të mbuluar humbjet në trafikun e udhëtarëve dhe 1 900 000 000 denarë investime në infrastrukturë”, informuan nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Sipas dikasterit përkatës, fondet e parapara për investim janë të destinuara për mirëmbajtjen e hekurudhave si dhe për ndërtimin e pjesës lindore të hekurudhës së Korridorit 8.

Në përgjithësi, kushtet në infrastrukturën hekurudhore, në tranat e udhëtarëve dhe ato të mallrave në vend lejnë shumë për të dëshiruar.  Maqedonia e Veriut ka mungesë të linjave ndërkombëtare edhe pse me vite është premtuar një hekurudhë që lidh vendin me Bullgarinë, një me Shqipërinë dhe një tjetër me Kosovën. Ajo me Greqinë është ndërtuar por treni i parë nuk ka kaluar akoma.

Ekspertët më herët kishin deklaruar se edhe pse në vend janë sjellur disa trena të rinj, ata kanë qenë të papërshtatshëm për infrastrukturën e vjetërsuar dhe, si pasojë, shpejt kanë rezultuar me defekte. Arsye tjetër për numrin e ulët të linjave të trenit është edhe mungesa e kuadrit, të drejtuesve të trenave.

Qeveria në programin e saj për mandatin 2020-2024 ka premtuar një sërë inveshtimesh në këtë fushë.

“Qeveria do të angazhohet në përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës hekurudhore përmes investimeve të mëtejshme në ndërtimin e hekurudhës Kumanovë-Beljakovce-Kriva Pallanka-Deve Bair, vazhdimin e riparimit të hekurudhës Nogaevci-Negotino, stacionit të përbashkët kufitar hekurudhor Tabanovcë, përgatitja e dokumentacionit për projektin për ndërtimin e hekurudhës Shkup-Shkup Veri-Gjorce Petrov-Volkovo-Bllacë dhe kalimi i përbashkët kufitar hekurudhor me Republikën e Kosovës dhe për një hekurudhë të re nga Aeroporti Milladinovci-Petrovec, përgatitja e dokumentacionit të plotë për hekurudhën Kërçovë-Ohër-Strugë dhe atë për në Lin, Shqipëri, përgatitja e dokumentacionit teknik të projektit për rindërtimin, riparimin e hekurudhës Shkup – Kërçovë si pjesë e Korridorit 8, përgatitja e një projekti pilot për degën Zelenikovo – Draçevë – Lisice – Pintija – 11 Tetor – Pasagjer Shkup.”

Tranporti hekurudhor është shumë i frekuentuar në shumë vende të botës, veçanërisht në ata më të zhvilluarat. Vendet investojnë për shkak se kjo mënyrë transporti është më e ekonomike për udhëtarët, më ekologjike për rrethin si dhe paraqet një zgjidhje për shmangien e trafikut rrugor.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

 

Të fundit