E shtunë, 18 Maj, 2024

NGËRÇE NË PUNËN E PARLAMENTIT

Kuvendi nuk ka arritur që të sigurojë kuorum për shkak se tre deputetë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Ndërkohë, opozita shqiptare ka filluar me bllokimin e ligjeve, duke dorëzuar 2 mijë amandamente për Ligjin për kundërvajtje. Ky reagim i opozitës vjen pas bllokimit të ligjit për shtetësi i propozuar kohë më parë nga koalicioni ASH-AAA

 KDP

Vështirësohet gjithnjë e më tepër puna e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Përkundër faktit që pritej të përcaktohet rendi i ditës, kuvendi nuk ka arritur të sigurojë kuorum, për shkak se tre deputetë kanë rezultuar pozitiv me korona virus. Tre deputetë të shumicës paralamentare kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Në sallën e Kuvendit kanë qenë të pranishëm vetëm 59 deputetë.

“Tre deputetëve u është ndaluar të merrnin pjesë në seancë sepse janë infektuar me koronavirus. Dy prej tyre kanë marrë vendim për izolim, sepse janë pozitivë me Covid-19, ndërsa deputeti i tretë, i cili ka simptoma, pret rezultatet”, ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi. Ai ka theksuar se për shkak të gjendjes shëndetësore të deputetëve sot nuk mund të përcaktojë agjendën.

Gjithashtu janë shënuar edhe zhvillime të reja në kuvend që shkojnë drejt bllokimit të plotë të punës. ASH-AAA kanë filluar me bllokimin e ligjeve, duke dorëzuar 2 mijë amendamente për Ligjin për kundërvajtje.

Koordinatori i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Skender Rexhepi – Zejdi ka njoftuar se kanë filluar me bllokimin e ligjeve ashtu siç paralajmëruan ditë më parë liderët Ziadin Sela dhe Afrim Gashi. Këtë e kanë bërë me Ligjin për kundërvajtje.

“E vetmja armë e jona është, të bëjmë reciprocitet në këtë drejtim dhe çdo Ligj, në të cilin kemi qasje pa asnjë dallim, ne do të bëjmë bllokadë derisa të vijë një marrëveshje e përbashkët, që të tërhiqen amendamentet për Ligjin për shtetësi dhe të ulemi dhe t’i bisedojmë çdo amendament veç e veç. Këtë reciprocitet nuk do ta ndalim”, tha Zejdi

Ditë më parë liderët e të dy partive njoftuan se do të bllokojnë çdo ligj që do të propozohet në Kuvend, kjo si kundërpërgjigje ndaj bllokimi që sipas tyre, VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja ia bënë Ligjit për shtetësi që u propozua nga ky koalicion.

Të fundit