E diel, 16 Mars, 2025

Rusia ia ndalon shpejtësinë Twitter-it

Rusia akuzon kompaninë Twitter se ka dështuar në largimin e përmbajtjes së ndaluar. Si reagim ia kufizon shpejtësinë

Rregullatori i mediave në Rusi, Roskomnadzor, vendosi kufizime ndaj Twitter-it, duke ia ngadalësuar shpejtësinë, për shkak të, siç tha, “dështimit” të tij për të hequr përmbajtjen e ndaluar.

Roskomnadzor tha se masa ka për qëllim “t’i mbrojë qytetarët rusë nga ndikimi i përmbajtjes së paligjshme”.

Ai kërcënoi se do ta bllokojë plotësisht rrjetin social amerikan, nëse nuk vepron.

Sipas Roskomnadzor-it, Twitter ka 3,168 postime me përmbajtje të ndaluar në faqen e tij.

Zëvendësshefi i Roskomnadzor-it, Vadim Subbotin, konfirmoi për agjencinë e lajmeve Interfax se agjencia e tij ka “kapacitete teknike” për ta ngadalësuar Twitter-in brenda Rusisë dhe se kjo tashmë ka nisur të bëhet.

Moska ka bërë përpjekje t’i frenojë platformat e mediave sociale në vitet e fundit, për shkak të protestave në rritje të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve rusë.

Më 1 shkurt, në Rusi ka hyrë në fuqi një ligj që thotë se rrjetet sociale duhet ta fshijnë përmbajtjen e ndaluar me ligjet ruse.

Nëse një rrjet social nuk është në gjendje të përcaktojë nëse përmbajtja ka materiale të ndaluara, ai duhet ta dërgojë atë për vlerësim në Roskomnadzor./REL

Të fundit