E shtunë, 18 Maj, 2024

ZGJEDHJET E PRITJEVE TË MËDHA

Ajo që, megjithatë, ka gjasa të ndodhë pas 14 shkurtit është stabilizimi politik dhe dalja graduale nga gjendja e krizës së përhershme, kjo nga shkaku se zgjedhjet pritet të prodhojnë një qeveri me shumicë stabile, të nxisin reformimin rrënjësor të partive që do të ngelin në opozitë dhe të krijojnë një ambient më të përshtatshëm për arritjen e unitetit të nevojshëm.

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Kosova pritet të organizojë edhe një palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, të pestat me radhë. Më 14 shkurt do të zgjidhet përbërja e tetë parlamentare që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, respektivisht e gjashta që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Fakti se asnjë qeveri deri më tani nuk ka arritur ta çojë mandatin e saj deri në fund, është tregues për krizën e përhershme politike në të cilën është ngatërruar shteti. Kjo krizë, që duket të jetë kthyer në normalitet në sferën publike të këtij vendi, e ka burimin në mungesën e një besimi të thellë në interesat strategjikë të shtetit, mos them të vetë shtetësisë së Kosovës.

Mungesa e unitetit

Korrupsioni masiv, nepotizmi, mungesa e shtetit ligjor, kapaciteti i dobët i institucioneve dhe partizimi i skajshëm i tyre e kanë mbajtur Kosovën të paralizuar për një kohë të gjatë. Partitë politike, që i kanë drejtuar proceset politike që nga përfundimi i luftës, shihen si fajtorët kryesorë të kësaj gjendjeje. Si rezultat i qeverisjes jo të mirë të tyre, Kosova sot e ka shkallën më të lartë të korrupsionit në Evropë, e rrjedhimisht edhe të papunësisë. Është vendi i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave në Ballkanin Perëndimor dhe nuk ka një perspektivë të qartë integruese në NATO dhe BE. Procesi i shtetndërtimit duket ende jo i rrumbullakosur, kjo për shkak të mosnjohjes nga pesë anëtarë të Bashkimit Evropian (BE) dhe mungesës së një marrëveshje historike me Serbinë, që do t’i mundësonte anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Një ofensivë diplomatike e Serbisë në vitet e fundit rezultoi me disa çnjohje, por njëkohësisht dëshmoi se sa e pafuqishme është diplomacia kosovare pa një mbështetje in cognito të Perëndimit. Për këto dhe tema tjera në interes shtetëror nuk ka unitet. Ky unitet do të nënkuptonte sakrifikim të një pjese të interesave partiake ose klanore, mbase edhe të karrierave politike individuale, me qëllim të arritjes së objektivave strategjike. Ajo që është parë deri më tash (me përjashtime të rralla, të bëra me presion nga diplomatët perëndimorë) është një bajraktarizëm klanor,  krahinor ose partiak, i nxitur nga qasja ndaj pushtetit si ndaj plaçkës “së merituar” pas një lufte të fituar. Ky vrap pas pushtetit dhe kapitalit kishte kaluar mbi të gjitha vlerat e proklamuara, duke i eklipsuar kështu qëllimet strategjike shtetërore. Nëse interesat përbashkuese nuk janë realisht prioritetet e partive politike, kjo mungesë e bashkimit rreth atyre pikave është një rrjedhojë logjike.

Shpresë apo zhgënjim i radhës

Të gjetur në këtë situatë të pashpresë, ku institucionet nuk arritën të japin rezultate as në luftën kundër korrupsionit e as në përfundimin e procesit të shtetësisë së Kosovës, pjesa më e madhe e votuesve duket se shpresat i ka varur te Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti. Një parti e majtë me premisa anarkiste, që ka grumbulluar të gjithë grupet dhe shtresat shoqërore thellësisht të pakënaqura me rrjedhën e gjërave, Vetëvendosje më shumë i ngjan Syrizës së Alexis Tzipras-it. Kjo parti u ngrit mbi hirin e zjarrit të protestave të dhunshme në Greqi, nga viti 2010 e deri më 2014, kur edhe i fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Një vit para fitores, Tzipras-i kishte arritur t’i bashkojë të gjitha grupet e pakënaqura me partitë tradicionale, Nea Demokratia dhe PASOK – që nga Platforma e Majtë e deri te Komunistët Grek. Por, një vit më vonë, Greqia sërish u gjet në zjarrin e protestave shkaku i marrëveshjes për programimin e borxhit me Bashkimin Evropian (BE). Pasi kishte dështuar të gjejë mbështetje nga Kremlini dhe Pekini për të dalë nga kriza financiare, Tzipras-i ishte bindur se Brukseli është adresa ku duhet kërkuar shpëtimi. Pritjet e mëdha që kishin ngjallur shpresa po ashtu të mëdha, përnjëherë u shndërruan në një dëshpërim edhe më të madh. Katër vite më vonë Syriza i humbi zgjedhjet parlamentare, që ishin të rregullta pasi kishte arritur ta stabilizojë shtetin. Në pushtet u kthye sërish e djathta Nea Demokratia, kësaj here e drejtuar nga një lideri i ri, i moderuar dhe i arsyeshëm, Kirijakos Micotakis.

A do ta ketë Vetëvendosje fatin e Syrizës? Do të varet nga dy faktorë: nga kapaciteti i lidershipit të kësaj partie për të baraspeshuar interesat e Perëndimit për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, që kërkon një kompromis të rëndë nga Prishtina, dhe pritjeve të përkrahësve për të mos i dhënë asgjë Beogradit si kompensim për njohjen; si edhe nga kapaciteti reformues i qeverisë së Kurtit në drejtim të ribërjes së institucioneve të sistemit, sidomos të hallkave në zinxhirin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Sondazhet e nxjerrin Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve, por jo mjaftueshëm për të pasur 61 deputetë që vetë ta formojë qeverinë. Së këndejmi, edhe pas 14 shkurtit Kosova pritet të ketë një qeveri të koalicionit, që do ta përfshinte edhe Listën Serbe (instalim politik i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq) dhe një nga partitë, kushtimisht, e vjetra, që kanë qenë pjesë e pushtetit. Kjo i bën rëndë të realizueshme objektivat e VV-së për departizimin e institucioneve, fuqizimin e tyre dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse këtë nuk do ta arrijë ta bëjë, atëherë do të mungojnë rezultatet e pritura në ekonomi dhe në sferat tjera. Së këndejmi, VV-ja nga një shpresë e madhe shumë shpejt mund të shndërrohet në një zhgënjim edhe më të madh.

Ajo që, megjithatë, ka gjasa të ndodhë pas 14 shkurtit është stabilizimi politik dhe dalja graduale nga gjendja e krizës së përhershme, kjo nga shkaku se zgjedhjet pritet të prodhojnë një qeveri me shumicë stabile, të nxisin reformimin rrënjësor të partive që do të ngelin në opozitë dhe të krijojnë një ambient më të përshtatshëm për arritjen e unitetit të nevojshëm.

Teksti fillimisht është botuar në Revistën SHENJA

Të fundit