E diel, 23 Mars, 2025

KUR RRENA DHE GJUHA E URREJTJES SHITET SI ” ARSIM I REFORMUAR”

Shprazja e mllefeve personale në tekstet shkollore nuk është rruga e reformimit të sistemit arsimor aq më pak e teksteve që prekin në identitetin historik dhe kulturor të nxënësve. Kjo gjuhë e urrejtjes, e stigmatizmit etnik e shpërfaqur në këtë tekst dhe në tekste të ngjashme tregon sa larg mund të shkojë ideologjia agresive e autorëve, por njëkohësisht tregon për mungesën totale të politikave arsimore në botimin e teksteve në një shtet multikulturor.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

 

Disa media, por edhe në rrjetet sociale, brenda kohës ka qarkulluar një tekst nga lënda e gjeografisë për arsimin e reformuar, nëpērmjet të cilit shqiptarët në Maqedoninë e Veriut paraqiten si ardhacakë dhe me prejardhje nga romët, turqit dhe vllehët. Libri është i botuar në vitin 2015, ndërkohë që gjuha e urrejtjes shkon përtej çdo logjike deri në një lloj çmendurie absurde për të afishuar idenë se ky ” okupim” i Maqedonisë së Veriut nga shqiptarët ka vazhduar edhe gjatë shemullit 21.
Ky tekst, por edhe shumë tekste tjera tendencioze të përpiluar nga autorë të mbasur me mendësi plot urrejtje shpērfaqin një tendencë të përhershme që në sistemin arsimor të instalojnë tekste të njëanshme që drejtohen kundër tjetrit si ekzistencë, si identitet kulturor e gjuhësor dhe si dinjitet.
Është nën çdo nivel që nxënësit shqiptarë të mësojnë nga tekste të tilla fyese të mbushura me të pavërteta historike dhe që gatuhen nga autorë në esencë shovenistë që në asnjë rast nuk kanë të bëjnë me arsimin këtë përndritje humane që kērkon kultivim, tolerancë dhe njohjen dhe respektimin e tjetrit.
Shprazja e mllefeve personale në tekstet shkollore nuk është rruga e reformimit të sistemit arsimor aq më pak e teksteve që prekin në identitetin historik dhe kulturor të nxënësve. Kjo gjuhë e urrejtjes, e stigmatizmit etnik e shpërfaqur në këtë tekst dhe në tekste të ngjashme tregon sa larg mund të shkojë ideologjia agresive e aitorëve, por njëkohësisht tregon për mungesën totale të politikave arsimore në botimin e teksteve në një shtet multikulturor.
Edhe pse ishte paralajmëruar pastrimi i teksteve shkollore duket se çdo gjë mbetet sipërfaqësore dhe pa u futur thellë në atë që nënkupton politik e botimit të teksteve shkollore që duhet të njoh një qasje diverse interkulturore duke respektuar historinë, kulturën dhe identitetin e tjetrit.
Ky tekst dhe tekste të tjera të ngjashme fyese shtrojnë nevojën e një debati substancial mbi tekstet shkollore nën paradigmën e modeleve interkulturore. Gjithashtu shtrohet nevoja e deidologjizimit të teksteve shkollore të cilat vijnë nga mendësitë anakronike e kohërave më të hershme që në vend të dijeve të mirëfillta dhe specifike që duhet të marrin nxënësit në lëndë të caktuara, atyre iu ofrohen frustracione autorësh të mbushur me mllefe dhe urrejtje patalogjike.
Këta autorë nuk e kanë vendin në entet botuese. Ata duhet flakur bsshkë me urrejtjen e tyre, sepse nxisin padurime dhe urrejtje. Është absurde dhe tërësisht e ulët që këta autorë tekstesh të jenë të përfshirë në ” arsim reformuese” që në fakt vetëm i tillë nuk është. Gjithashtu mbetet absurde dhe e pafalshme nga ana e mësimdhënësve shqiptarë të mos reagojnë ndaj teksteve të tilla fyese.

Të fundit