E shtunë, 18 Maj, 2024

ZIGZAG: HESAPET ÇATRAFILÇE

Kosova voton javën e ardhme…Nejse, duhet pritur mbrëmjen e 14 shkurtit. Sondazhet e parashikimet janë ato çfarë janë. A do të ketë ndonjë befasi, ndonjë përmbysje të projeksioneve, kjo mbetet të shihet, ama pyetja bosht është: Si do t’i dilet në fund ‘dialogut’, apo do vazhdojmë të ndërsejmë kundër njëri-tjetrit duke i dhënë epërsi ‘bashkimit me Nënën’ e duke shpërfillur ‘hapjen e Urës mbi Ibër’…

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Na iku shikueshmëria, më thotë një mik, duke më pyetur pastaj nëse kam shikuar filan e filan televizionin nga Kosova, atë se kush kujt çfarë i tha, kush – sa ka për të fituar e kush ka për ta bërë Qeverinë! Nuk ka asgjë të keqe këtu pse, për shkak të lidhjeve nga e shkuara, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë bërë sy e vesh për atë çka po thuhet aktualisht në Kosovë e për Kosovën – në këtë kohë fushate. Ata të cilët mund të cilësohen si ‘kafshë politike’ japin e marrin për të arkëtuar në mbrëmjen e 14 frorit sa më shumë vota, ama shikoni se ç’shkruan miku im, Rrahman Paçarizi, për atmosferën në prag të ‘Natës së madhe’! Për të vënë gisht në mendje!

Rrahmani, në një postim në rrjetet sociale, në fakt, flet për një rënie të klasës politike kosovare e cila, kush më shumë e kush më pak, e ka gojën plotë për mirëqenie, për shtet të së drejtës, po pse jo edhe për respektimin e ligjit!
‘Kam frikë se në mbrëmjen e 14 shkurtit festa do të na zihet në grykë dhe bashkë me krizën eventuale institucionale do ta përjetojmë një krizë më të rëndë – krizën shëndetësore në përmasa apokaliptike për një vend kaq të vogël, kaq të varfër e kaq të lodhur nga gjithçka. Liderët politikë i kemi pa në ditën e tyre të parë e të dytë të fushatës në mesin e turmave pafund të njerëzve. I kemi pa në fushata ku premtohet jetë më e mirë, u premtohet sundim i ligjit. Dhe, jeta më e mirë u premtohet në ambiente ku ata mund të infektohen me virusin vdekjeprurës, potencialisht duke mos arritë me e pritë përmbushjen e premtimeve për jetë më të mirë. U premtohet sundim i ligjit, duke e shkelë atë me të dyja këmbët. Në Kosovë ende janë në fuqi masat me të cilat ndalohet mbledhja e grupeve të mëdha të njerëzve, qytetarët obligohen të bartin maska dhe ta ruajnë distancën, si dhe ka kufizim të lëvizjes në orar të caktuar e nuk lejohen dasmat e ahengjet në ambiente të mbyllura dhe më pjesëmarrje të madhe të njerëzve. Qysh me besu se i kanë seriozisht frazat për sundimin e ligjit, pra?!
Në fund të fundit, me çfarë të drejte e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve? Mund të thonë se ata dalin vullnetarisht. Mos bëni hajgare!
Pse pati nevojë me dalë Ambasada Britanike me na këshillu që të mos e rrezikojmë shëndetin e qytetarëve? Pse ankoheshin a thua kur menjëherë pas luftës organizata të ndryshme na mësonin se misri, gruri e hardhia u mbjellkan në tokë dhe që lopa paska katër këmbë. A s’i paskemi meritu edhe një herë këto njësi mësimore? Shumë madje, madje edhe shpesh…,’- kështu shkruan profesor Rrahman Paçarizi për të cilin çuditem se si nuk u bë pjesë e ‘merkatos’ së kalimit edhe të gazetarëve e analistëve, figura të njohura nga ekranet, në ndonjërin nga tre-katër taborret kryesore politike partiake!

Jam prej atyre të cilët mendojnë se në këtë kohë pandemie, ruajtja e shëndetit duhet të jetë – mbi të gjitha. Po a nuk na thotë edhe feja se nuk rrihet në atë vendbanim ku nuk ka doktor, apo politikanët tanë duan të na bindin se jo të gjithë njerëzit janë ‘kafshë politike’, se parapëlqejnë më shumë atë njohurën sipas së cilës ‘bëje atë që thotë e jo atë që bën hoxha’, se punët të dalin çatrafilçe!

Dhe, pak para përfundimit, edhe një ‘plagjiaturë’ nga një mik imi, jo vtëm i facebook-ut, Ibrahim Berisha. Flet për një mesele indiane të marrë nga Paula Coelho: ‘Njëherë moti një indian i vjetër, Cherokee, i rrëfu nipit një histori jetësore: Në shpirtin e çdo njeriu bëhet betejë e vazhdueshme, si një luftë midis dy ujqërve. Një ujk përfaqëson të keqen, zemërimin, zilinë, xhelozinë, urrejtjen, lakminë, arrogancën, gënjeshtrën, fajin, zemërimin, keqdashjen, egoizmin, talljen…
Ujku i dytë përfaqëson paqen, dashurinë, shpresën, qetësinë, mirësinë, përzemërsinë, bujarinë, të vërtetën, dhembshurinë, lumturinë, besimin.
Nipi u mendua disa çaste. Ai me përkushtim mendimin e thelloi në fjalët që ia tha gjyshi i tij dhe pastaj e pyeti:
Gjysh, cili ujk fiton në fund të fundit?
Indiani i vjetër shikoi nipin e tij dhe u përgjigj: Fiton ai që ti vetë e ushqen!’

Nejse, duhet pritur mbrëmjen e 14 shkurtit. Sondazhet e parashikimet janë ato çfarë janë. A do të ketë ndonjë befasi, ndonjë përmbysje të projeksioneve, kjo mbetet të shihet, ama pyetja bosht është: Si do t’i dilet në fund ‘dialogut’, apo do vazhdojmë të ndërsejmë kundër njëri-tjetrit duke i dhënë epërsi ‘bashkimit me Nënën’ e duke shpërfillur ‘hapjen e Urës mbi Ibër’! Mirë e kanë thënë të moçmit: ‘Mat shtatë herë e pre një herë’!

Të fundit