E enjte, 2 Maj, 2024

Intervistë me Laura Kondën – Vdekja e tim eti, tronditje e madhe mes shkrimtarësh

Aktualitet

Intervistë me Laura Kondën – Vdekja e tim eti, tronditje e madhe mes shkrimtarësh

Me Laura Kondën, gazetare e Zërit të Amerikës, bija e poetit, shkrimtarit, gazetarit dhe botuesit të njohur, të ndjerit Drago Siliqi.

Bashkëbisedoi Mark Simoni

 E nderuar, a mund të na bëni një panoramë rreth dinastisë së Siliqëve, historisë së tyre kulturologjike, e vendosur në kohë dhe hapësirë.

Është e vështirë të shkosh mbrapa në kohë. Por mesa dimë, familja Siliqi e ka origjinën e hershme nga Peja. Në këtë qytet ende ndodhen disa rrënoja muresh që sipas rrëfimeve të banorëve, jane muret e shtëpisë së Siliqëve.  Në shekullin e 19-të, rreth vitit 1850, Siliqët u shpërngulën në Shkodër. Stërgjyshi Llazar dhe stërgjyshja Marie Siliqi kishin gjashtë fëmijë, katër djem dhe dy vajza. Gjyshi im, Bllazho Siliqi, i lindur në Shkodër (1893-1970), është vëllai i vogël i rilindasit Risto Siliqi(1882-1936). Ristoja e pati filluar veprimtarinë atdhetare që gjatë viteve kur ishte student në “Mejtep Ruzhdije”. Në atë kohë,  sipas kujtimeve të familjarëve, disa miq e patën paralajmëruar se qeveria turke donte ta arrestonte. Për këtë arsye, e gjithë familja u zhvendos me urgjencë në Cetinë, ku qëndroi për rreth 10 vjet. Ristoja do ta shkrinte pasurinë e familjes për çështjen kombëtare dhe ai nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë e tij patriotike edhe në mërgim. Kjo do t’u binte në sy autoriteteve malazeze, të cilët e dënuan Riston me vdekje. Disa miq e lajmëruan familjen  Siliqi, e cila largohet fshehurazi dhe rivendoset në Shkodër. Në vitet 1910-1911, Ristoja mori pjesë në Kryengritjen e Kosovës e të Malësisë së Madhe, duke qenë edhe anëtar i Komitetit Shqiptar për përgatitjen dhe drejtimin e kryengritjes. Në vitet 1913-1914, ai ishte Kryeredaktor i revistës “Shqypnija e re”, me drejtor Hilë Mosin, ku botoi artikuj dhe poezi të fuqishme kushtuar çështjes kombëtare shqiptare. Ai ishte i diplomuar në Austri si jurist dhe vitet e fundit të jetës i kaloi së bashku me familjen në Shkodër, ku punoi deri në fund të jetës si avokat. Bashkëkohësit e përshkruajnë kështu varrimin e Risto Siliqit: “Në krye të funeralit që kaloi nëpër rrugët e Shkodrës vinte kurora tre metërshe e përgatitur nga djelmënia shkodrane, dyqanet ishin mbyllur në shenjë nderimi. Në emër të djelmënisë shkodrane, Ernest Koliqi mbajti një fjalim të fuqishëm, ku theksoi veprimtarinë patriotike të Risto Siliqit në Shqipëri dhe në mërgim.” Ristoja pati botuar disa libra. Një përmbjedhje e shkrimeve të tij e titulluar “Rreze agimi”, u botua në vitin 1998 nga djali i tij Teodor Siliqi, me redaktor birin tjetër, poeti Llazar Siliqi. Gjyshi im, Bllazho Siliqi, ishte poet e njeri idealist. Gjatë viteve që jetoi në Cetinë ai botoi një libër me poezi lirike. Vëllimin e dytë me poezi “Valët e mija”, e botoi në Tiranë në vitin 1943, me një parathënie nga Lasgush Poradeci. Pas kthimit nga Cetina, gjyshi u vendos në Tiranë. Fëmijët e familjes Siliqi morën pjesë aktive në Luftën Antifashiste. Tre nga fëmijët e Ristos: Llazari, Maria e Despina u arrestuan dhe internuan në kampin nazist të Prishtinës dhe katër fëmijët e mëdhenj të Bllazhos u lidhën në moshë të re me luftën. Nga kjo familje vinte edhe babai im Drago Siliqi

Na flisni për babain tuaj të nderuar Drago Siliqi, si një zë origjinal i letërsisë së viteve 60.

Babai im, Drago Siliqi, lindi në Tiranë më 9 qershor të vitit 1930. Ai ishte i katërti i familjes me shtatë fëmijë të Bllazho dhe Darinka Siliqit. Pas largimit nga Cetina, gjyshi u vendos në Tiranë ku hapi një bar-kafe, me të cilën mbante famijen e tij të madhe. I lindur në një familje me tradita patriotike, babai im u lidh shumë i ri me Luftën Antifashiste dhe doli partizan kur ishte vetëm 14 vjeç. Që në moshë shumë të re ai pati një pasion të veçantë për letërsinë dhe në fillim të viteve 1950 filloi të botojë vjershat e para. Por pjekurinë e tij të plotë si poet ai e fitoi pas kthimit nga Moska, ku kreu studimet universitare në vitet 1952-1957 në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki”. Ai ka shkruar një numër të madh poezish lirike mjaft të ndjera, si “Atdheu”, “Nana”, “Dashunia”, por unë do të veçoja si arritje të veçantë të tij poemën filozofike “Kangë e re për dashuninë e vjetër”. Kjo vepër është vlerësuar nga kritika për analizën psikologjike të personazheve dhe gjuhën e zgjedhur poetike. Poema solli nota të reja, origjinale e realiste në mënyrën e trajtimit të temës së kurbetit në letërsinë shqipe, që ishte trajtuar edhe më parë. Unë do të thoja se roli si kritik letrar mbetet më i spikaturi në aktivitetin krijues të Drago Siliqit. Në kushtet kur letërsia shqipe ishte e ndrydhur brenda kornizave të caktuara ideologjike të realizmit socialist, im atë ishte një kritik letrar mendjehapur që luftoi shabllonizmin në letërsi, mbrojti brezin e ri të shkrimtareve dhe të renë në letërsi, duke bërë një kritikë të drejtpërdrejtë e të ndershme në vlerësimin e veprave të kolegëve të tij shkrimtarë. Idetë e tij të guximshme ai i përcolli përmes shkrimeve të botuara në shtypin letrar në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60. Duke qenë njëkohësisht drejtor i shtëpisë së vetme botuese të asaj kohe në Shqipëri, ai mbështeti botimin e veprave me vlerë artistike, siç ishin ato të një brezi të ri shkrimtarësh të talentuar, që sollën një frymë të re në letërsinë shqipe, si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Vangjush Ziko, Fatos Arapi, Dhori Qiriazi, Vehbi Skënderi, Agim Shehu… Në fillim të viteve ’60, Shtëpia Botuese “Naim Fashëri” e drejtuar nga im atë, botoi kryeveprat e letërsisë botërore si ato të autorëve Gollsuorth, Drajzer, Heminguei, Eluar, Remark, për të përmendur vetëm disa prej tyre, që erdhën në shqip nga përkthyes të shquar, si Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Vedat Kokona, Sotir Caci, Klio Evangjeli, Gjon Shllaku, Robert Shvarc e të tjerë. Ai jo vetëm që i aktivizoi këta përkthyes, por siç kujtojnë një pjesë e tyre, i trajtoi ata me dinjitetin e merituar. “Na qeshi fati…”,- kujtonte Lasgush Poradeci, – për ato vite, kur Dragoja ishte drejtori i shtëpisë botuese dhe i kishte vënë punët për mbarë.” Nuk po zgjatem më tepër, pasi lexuesi do të mund të gjejë në librin “Një jetë në fluturim” që është një përmbledhje e veprës së babait e ku janë përfshirë edhe kujtime të disa prej përkthyesve e ish-kolegëve shkrimtarë të babait.

A na prezantoni me situatën dhe pas situatën tragjike të katastrofës ajrore ku qe dhe babai juaj Drago Siliqi, jehonat dhe post jehonat e kësaj ngjarjeje dhe boshin letar që la ky krijues me shumë talent dhe të ardhme.

Im atë humbi jetën në një aksident ajror në Irkutsk të Rusisë, më 13 korrik të vitit 1963, kur ishte vetëm 33 vjeç. La pas mamanë time Drita Siliqi, motrën time 5 vjeçe Darinën dhe mua. Ai po kthehej nga një vizitë në Kinë, ku kishte shkuar me ftesë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kinës. Unë nuk mund ta përshkruaj bazuar në përjetimet e mija atë ngjarje të rëndë për familjen tonë, pasi isha shumë e vogël në atë kohë, pa mbushur 2 vjeç. Mësova më vonë, që kjo ngjarje pati shkaktuar një tronditje të madhe në mesin e shkrimtarëve dhe njerëzve të kulturës të asaj kohe, pasi kam lexuar kujtimet e tyre të botuara në shtypin e kohës.

Ç’mund të dijmë rreth librit të ri, përmbledhjes së pjesës më të rëndësishme të krijimtarisë së shkrimtarit Drago Siliqi, që mendoj se është një dëshmi e gjerë e dimensionit letrar të Siliqit, dhe si një një ngjarje për letërsinë tonë të traditës.

Poezitë dhe kritikat e babait janë botuar disa herë nën kujdesin e nënës sime, Drita Siliqi, për herë të fundit në vitin 2000. Ajo, me shumë përkushtim, pati mbledhur  shkrimet e shkruara ndër vite për tim atë në gazetat dhe revistat letrare. Unë mendova të përgatis për botim një  përmbledhje të veprës së tij. Në librin “Një jetë në fluturim” me një parathënie të shkruar nga unë,  përfshihen edhe disa shkrime të botuara kohët e fundit për të. Ky botim i Shtëpisë Botuese të njohur Toena, që do të jetë këto ditë në duart e lexuesit, del me rastin e 90-vjetorit të lindjes së babait. Botimi është një përmbledhje e veprës së Drago Siliqit, poezive dhe artikujve kritikë. Kam përfshirë gjithashtu shkrime të studjuesve të letërsisë dhe shkrimtarëve për veprën e tij, kujtime të miqve dhe kolegëve, poezi kushtuar tim eti të mbledhura nga nëna. Në libër është përfshirë edhe një pjesë e vogël e letërkëmbimit të tim eti me nënën time gjatë viteve 1952-1957, kur ai ishte student në Moskë. Në këto letra mes të tjerash ka fragmente nga analizat që ai bën për shkrimtarë të traditës si Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Asdreni, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda e Migjeni. Kopertina e librit është realizuar nga piktori i njohur Buron Kaceli, i cili ka ditur të kapë me mjeshtëri kredon e Drago Siliqit, të përmbledhur nga vetë ai në pak vargje “Ka zogj që gjithë jetën fluturojnë,/ edhe vdesin duke fluturuar./ Ka dhe zogj që plehrave rrëmojnë/ dhe në çerdhe ngordhin të harruar”.

Revista Mapo

Të fundit