E shtunë, 18 Maj, 2024

SPROVA RRËQETHËSE E PËRHERSHMËRISË DEMOKRATIKE

Pavarësisht nga këto sulme në Kapitol, që u cilësuan si të shëmtura, institucionet amerikane e dhanë edhe njëherë provimin e demokracisë. Ngjarjet e fundit atje treguan se sa e brishtë mund të jetë demokracia, por edhe sa këmëngulës mund të jetë sistemi, legacia që performohet institucionalisht si frymë lirie e vendosur në pentagramin e legjitimitetit demokratik dhe paradigmës për të ruajtur esencën e demokracisë.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

 

Zbrazëtia e festave ka filluar të mbushet tek-tuk me ngjarje. Zgjatime ngjarjesh që vijnë nga viti i mbrapshtë që me tërsëllimë e lamë pas. Vazhdon akoma të shtrihet mbi ne hija e pandemisë, por edhe do hije tjera që vijnë prej vitesh. Janari si zakonisht vjen hijerëndë dhe me shumë ngrica shpirti. Ngjarjet pushojnë në melankoli. Rëndë lëvizin gjymtyrët e ngurtësuara të gjallnisë. Edhe kacagjelimet politike pushojnë në një apati gati se misterioze. Vetëm ndonjë deklaratë e vakët mund të dëgjohet në ajrin e acartë të janarit. Çdo gjë pranë në një fund të molisur dhe në një fillim që përpiqet të gjejë zjarret e brendshme të lëvizjes.
Sidoqoftë, ky janar shënoi edhe një ngjarje të pazakonshme, sulmin në Kapitol, ndaj tempullit të demokracisë nga ithtarë, siç thuhet, të presidentit Donald Trump. Bota u trondit nga ky sulm dhune, nga kjo vërshimë njerëzish të mbarsur me ideologji populliste në tempullin që përhershmërisht ka kultivuar esencat e lirisë dhe demokracisë. Pavarësisht nga këto trazira që u cilësuan si të shëmtura, institucionet amerikane e dhanë edhe njëherë provimin e demokracisë. Ngjarjet e fundit atje treguan se sa e brishtë mund të jetë demokracia, por edhe sa këmëngulës mund të jetë sistemi, legacia që performohet institucionalisht si frymë lirie e vendosur në pentagramin e legjitimitetit demokratik dhe paradigmës për të ruajtur esencën e demokracisë. Pavarësisht nga ato pamje të pazakonshme SHBA-të treguan se kanë kapacitete për të menaxhuar me situata kundërthënëse ekstreme, treguan se vlera dhe dinamikat demokratike mund të mbijetojnë edhe në situata tërësisht jonormale për logjikën demokratike. Dhe me gjasë ky konflktualitet kompleks në vetvete do tē gjejë zgjidhjd pikërisht në rrugë intitucionale dhe demokratike. Vetëm shtetet që kanë predispozita të fuqishme demokratike mund të menaxhojnë tërësisht në rrugë demokratike situata të këtilla që rrezikojnë të godasin esencat e sistemit demokratik siç janë legjitimiteti dhe legaliteti. Pikërisht mbi këto kondita që prodhojnë përhershmërisht vlera demokratike ka marrë udhë për t’u zgjidhur antagonozmi i thellë politik në SHBA, gjithë ajo që në shikim të parë dukej e pamenaxhueshme. Në fakt, kjo ngjarje planetare, na rikujton se beteja për demokracinë dhe vlerat e saj është e përhershme dhe nuj është një gjë e dhënë njëherë e përgjithmonë.
Ky është një mësim për të gjitha vendet që pretendojnë të përbrendësojnë principet demokratike, një mësim për betejën e pandërprerë demokratike dhe një mësim se sa shpejtë diskurset populliste mund të prodhojnë dhunë ndaj institucioneve demokratike. Sigurisht, kjo ngjarje tashmë do të prodhojë një momenrum tjetër shndërrimi dhe afirmimi demokratik në SHBA dhe në të gjitha ato vende në të cilat demokracia shihet si sistem dinamik i rregullimit të jetës njerëzore.

Të fundit