Një bllokadë e mundshme e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin e saj drejt BE-së do t’i krijonte sërish hapësirë manovrimi Rusisë. Autoritetet në Moskë nuk ishin aq të lumtura me Marrëveshjen e Prespës, andaj tentuan të minojnë referendumin dhe ndryshimet kushtetuese për miratimin e saj. Kjo nga shkaku se zhbllokohej integrimi i Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike, gjë që minimizon ndikimin rus në vend.
Autor: Xhelal Neziri
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës më 17 qershor të vitit 2017, e cila përcaktoi emrin e ri të shtetit për përdorim të përgjithshëm, Maqedoni e Veriut nuk kishte mënjanuar të gjitha pengesat në rrugën e saj drejt përfshirjes në Bashkimin Evropian (BE). U nevojitën gati tre dekada që të mbyllet kjo çështje që mbante të ngrira raportet Shkup-Athinë që nga vitet e 90-ta, kur ish-republika jugosllave shpalli pavarësinë.
Por, një mosmarrëveshje me Bullgarinë, e cila po ashtu ka rrënjë në të kaluarën jo të largët të vendit, e mban vendin në ankth nëse do të arrijë të nisë bisedimet e shumëpritura për anëtarësim në BE, të parapara për në fundvit. Në mars të po këtij viti Këshilli Evropian i dha dritë jeshile fillimit të procesit bisedues, me çrast ndërpreu pritjen dhjetëvjeçare të zhbllokimit të procesit të anëtarësimit të vendit në BE, që ishte bllokuar nga vetoja greke e përdorur që nga viti 2008.
TRAKTATI
Nëse problemi me Greqinë kishte të bëjë vetëm me identitetin shtetëror, pra kontestohej vetëm emri i shtetit për shkak të kontekstit historik, problemi me Bullgarinë është etno-kulturor dhe prek drejtpërdrejt vetëm etninë maqedonase. Traktati i Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë, i nënshkruar një vit para Marrëveshjes së Prespës, nuk e zgjodhi problemin maqedonaso-bullgar por vetëm se i obligoi Shkupin dhe Sofjen që nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse të tejkalojnë kontestin. Në fakt, Bullgaria ka njohur ndër të parat pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, por ka kontestuar ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe historisë së popullit maqedonas para vitit 1944.
Neni 8 i Traktatit ka të bëjë drejtpërdrejt me zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve nga një Komision i përbashkët i përbërë nga historianë dhe ekspertë, duke u bazuar vetëm në të dhënat historike dhe ma qasje shkencore. Paragrafi i parë i nenit thotë se “të dy Palët Kontraktuese do të inkurajojnë bashkëpunimin e tyre aktiv dhe të papenguar në fushat e kulturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, politikës sociale dhe sporteve”. Paragrafi i dytë qartëson se “me qëllim forcimin e besimit të tyre të ndërsjellë, jo më vonë se tre muaj nga hyrja në fuqi e këtij Traktati, të dy Palët Kontraktuese do të krijojnë, mbi baza pariteti, një Komision të Përbashkët Ekspertësh për Çështjet Historike dhe të Edukimit, që synon të kontribuojnë në interpretimin objektiv, shkencor të ngjarjeve historike, të bazuara në burime historike autentike dhe të bazuara në prova. Komisioni do të paraqesë një raport vjetor për punën e tij qeverive të të dy Palëve Kontraktuese.” Ndërkaq, paragrafi i tretë i këtij neni thotë: “Me një marrëveshje të ndërsjellë, të dy Palët Kontraktuese do të organizojnë kremtime të përbashkëta të ngjarjeve dhe personaliteteve të përbashkëta historike, me qëllim forcimin e marrëdhënieve të tyre të fqinjësisë së mirë, në frymën e vlerave evropiane.”.
Me këtë dokument palët janë obliguar të mos mbështesin aksione dhe propagandë armiqësore ndaj njëra-tjetrës, me çrast Bullgaria obligohet të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në përmbushjen e qëllimit të saj për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së. Madje, është formuar edhe një Komision ndër-ministror i nivelit të lartë, i cili obligohet të mblidhet një herë në vit për ta vlerësuar dinamikën e implementimit të Traktatit.
Menjëherë pas ratifikimit të Traktatit në dy parlamentet përfaqësuese, kryeministrat e dy vendeve – Bojko Borisov dhe Zoran Zaev – në gusht të vitit 2018 kremtuan bashkë festën e Ilindenit dhe nderuan figurën e Goce Dellçevit. Ishte hera e parë që kryeministrat e dy vendeve të nderojnë ngjarje dhe figura historike, për të cilat secila palë mëton se i takojnë ekskluzivisht asaj.
MEMORANDUMI
Në kohën kur mendohej se problemi me Bullgarinë i takon së kaluarës, Parlamenti në Sofje njëzëri ka miratuar një Memorandum që i dërgohet BE-së, ku kërkohet nga Shkupi të respektojë Traktatin. Bullgaria kërkon që obligimet e marra nga Traktati të jenë pjesë e kornizës biseduese të BE-së në takimin e parë ndërministror midis Brukselit dhe Shkupit, që pritet të mbahet në dhjetor.
Në këtë dokument Sofja këmbëngul se gjuha maqedonase është prodhim politik i Jugosllavisë dhe se gjatë përdorimit të këtij termi të përdoret me asterisk (yll), i cili do të qartësonte se kjo gjuhë është “…në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Bullgaria pretendon se termi “Maqedoni” është përdorur vetëm për të shënuar një rajon gjeografik, i cili sot shtrihet në tri shtete – Greqi, Maqedoni të Veriut dhe Bullgari. Në Memorandum gjithashtu shkruhet se para formimit të Jugosllavisë e gjithë popullsia sllovene në këtë rajon është vet-identifikuar me përkatësi etnike Bullgare, ka folur në një nga shtatë dialektet e kodifikuara bullgare ndërsa gjuha maqedonase, mbi të cilat konstruktohet edhe etnia, kanë qenë prodhim i Beogradit dhe Serbisë.
Kjo dërgesë e Sofjes në Bruksel është pranuar me zemërim në Shkup, por nuk ka shkaktuar ndonjë kundërpërgjigje konkrete. Kryeministri Zaev ka thënë se ka ende hapësirë të thellohen marrëdhëniet e mira me Bullgarinë, ndërkohë që zv/kryeministri Nikolla Dimitrov ka qenë më i ashpër në përgjigje. Gjatë një emisioni në AlsatM, Dimitrov tha se gjuha maqedonase dhe populli maqedonas janë realitet si brenda ashtu edhe jashtë dhe se këtu nuk ka vend për negociata. Për heronjtë dhe ngjarjet historike, ai la të kuptohet se mund të ketë një kompromis që nënkupton të drejtë të kremtimit nga të dyja shtetet.
PRAPAVIJA
Reagimi i ashpër i Sofjes nëpërmjet këtij Memorandumi të dërguar në BE në prag të hapjes së bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, vjen pas bllokimit të punës së Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve. Qeveria bullgare kohëve të fundit ka bërë shtypje që puna e Komisionit të prodhojë rezultate konkrete, gjë që nuk ka ndodhur. Pengesë kryesore është mungesa e ujdisë për atë se kujt i takon Goce Dellçev, të cilin edhe maqedonasit edhe bullgarët e vlerësojnë si një nga figurat kryesore historike që udhëhoqi kryengritjen kundër Perandorisë Osmane në fillim të shekullit XX.
Rezultatet nga Traktati me Maqedoninë e Veriut mbase do t’i ndihmonin qeverisë së Borisovit që të përmirësojë shkallën e mbështetjes, në një kohë kur ballafaqohet me protesta masive në gati tërë Bullgarinë. Mijëra protestues e akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe mbrojtje të oligarkëve. Gjithçka filloi më 7 gusht, kur Hristo Ivanov – lider i një partie të vogël centriste – u ndalua të shkojë në një nga plazhet e Detit të Zi pas qeveria ia kushte dhënë me koncesion ish-politikanit nga pakica turke, Ahmet Dogan. Reagimi i Ivanovit mori edhe mbështetjen e presidenti i shtetit, Rumen Radev, i cili në këtë posti u zgjodh në vitin 2016 si kandidat i Partisë Socialiste Bullgare, që aktualisht është opozitë e GERB-it djathtist të Borisovit. Pas këtij reagimi, prokurori publik bullgar Ivan Geshev ndërmerr aksion duke u futur në kabinetin e presidentit dhe duke arrestuar dy anëtarë të tij. Ky aksion u pa si hakmarrje politike e Borisovit ndaj Radevit, gjë që motivoi edhe më shumë protestuesit. Kriza politike u thellua kur u publikuan të dhëna se prokurori Geshev ka lidhje me Dogan dhe se përfiton nga mbështetja që i jep GERB-it.
Ndërkohë që protestat rrumbullakojnë një periudhë dymujorëshe, Borisov ka pranuar dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme me kusht që Parlamenti të miratojë pakon e ndryshimeve kushtetuese, ku propozon reforma të Kodit zgjedhor dhe në gjyqësor. Kjo ofertë është hedhur poshtë si nga protestuesit poashtu edhe nga presidenti i shtetit, Radev, i cili ka përkrahur iniciativat kundër Borisovit. Radev dhe Partia Socialiste Bullgare, që përbën opozitën, shquhet për lidhje të mira me Moskën. Borisov, i cili drejton të djathtën GERB, ka preferuar më shumë lidhjen me Gjermaninë dhe SHBA-të, edhe pse shpesh ka ditur të kalkulojë edhe me Rusinë.
Një punë më efektive e Komisionit të Përbashkët mbase do t’i jepte mundësi Borisovit ta neutralizojë pakënaqësinë e brendshme dhe të fitojë pozicione më të mira në prag të zgjedhjeve të rregullta parlamentare, të parapara për më 28 mars të vitit 2020. Hapja e temave që ndërlidhen me kontestet me shtetet fqinje është një mënyrë efikase për mobilizim votuesish. Gjatë tri dekadave të kaluara ndër temat kryesore të zgjedhjeve në Greqi dhe Maqedoni të Veriut ishte pikërisht problemi i emrit. Nea Demokratia e Kirijakos Micotakis i fitoi zgjedhjet e vitit të kaluar në Greqi, midis tjerash, edhe duke kundërshtuar Marrëveshjen e Prespës.
RUSIA
Sidoqoftë, një bllokadë e mundshme e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin e saj drejt BE-së do t’i krijonte sërish hapësirë manovrimi Rusisë. Autoritetet në Moskë nuk ishin aq të lumtura me Marrëveshjen e Prespës, andaj tentuan të minojnë referendumin dhe ndryshimet kushtetuese për miratimin e saj. Kjo nga shkaku se zhbllokohej integrimi i Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike, gjë që minimizon ndikimin rus në vend.
Para nënshkrimit të Traktatit Shkup-Sofje, presidenti i Rusisë Vlladimir Putin doli me një deklaratë që ngjalli reagime të shumta në Bullgari. “Sot në Rusi është një ditë festive sepse shënohet Dita e Alfabetit Cirilik, i cili na erdhi nga toka maqedonase”, tha Putin gjatë një ceremonie në Moskë të ndarjes së një çmimi për presidentin e atëhershëm të Maqedonisë së Veriut, Gjorgje Ivanov. Por, Sofja pretendon se misionarët e shekullit të 9-të të cilët shpikën alfabetin cirilik, – Shën Kirilli dhe Metodij – ishin bullgarë.
Putin e dha këtë deklaratë në maj të vitit 2017, vetëm një javë para votimit të qeverisë së re pro-perëndimore, të udhëhequr nga Zoran Zaev. Theksimi i lidhjeve kulturore dhe fetare me maqedonasit është vlerësuar si një mënyrë efikase të shtrirjes së ndikimit në Maqedoninë e Veriut.