E shtunë, 18 Maj, 2024

FJALORTH I ZBËRTHIMIT TË POLITIKËS- PJESA E PARË

Për të zbërthyer politikën dhe mënyrën se si na sheh, na përdor apo si na merr në patronazh lind nevoja të rikthehemi edhe njëherë te disa koncepte.

 

Shkruan: Valmora Gogo

 

Politika funksionon përmes tyre dhe vetëm duke kuptuar këto “paterica” të saj mund t’ia dalim të kuptojmë qëllimet e saj të fshehta, ato që shpesh vishen me frazën “Unë përfaqësoj votuesit” apo “1 milion votues më kanë dhënë votën”.

Kjo është pjesa e parë e një cikli të gjatë shkrimesh për qartësimin e audiencës mbi përditshmërinë e politikanëve dhe punonjësve të tyre.

1.Propaganda

Babai i Marrëdhënieve Publike Edward Bernays e përcakton me një fjali, në shumësinë e mijëra të tjerave në librin e tij “Propaganda” se çfarë është ajo.

Sipas tij propaganda është dora e fuqishme. “Propaganda është dora e fuqishme e qeverisë së padukshme”, shkruan Bernays. Po cila është qeveria e padukshme sipas tij? Për çfarë e ka fjalën Bernays? Qeveria e padukshme janë njerëzit që realizojnë një manipulim të ndërgjegjshëm dhe të mirëmenduar të zakoneve të përditshme dhe të opinioneve të turmave. Bernays shkruan se pikërisht këta njerëz përbëjnë në vetvete qeverinë e padukshme, që është në fakt pushteti i vërtetë sundues.

2.Opinioni Publik

Jurgen Habermas nënkupton me “sferën publike” para së gjithash një sferë të jetës sonë shoqërore, në të cilën mund të formohet diçka që i afrohet opinionit publik. Sipas autorit aksesi është i garantuar për gjithë qytetarët ndërsa një pjesë e sferës publike fillon të ekzistojë në çdo bisedë që bëjnë individët privatë teksa mblidhen për të formuar një organ publik.

Sipas Giovanni Sartorit opinioni publik është kryesisht dhe në radhë të parë një koncept politik. ’…opinioni publik mund të përcaktohet si vijon: një publik ose një shumësi publiku, gjendja shpirtërore e shpërndarë (opinionet) e të cilit ndërvepron, me rrjedhën e informacionit më lidhje me gjendjen e res publica’’, shkruan ai.

Po si formësohen opinionet publike? Sartori thekson se ato nuk janë të lindura, por kalojnë nëpërmjet tri proceseve: rrjedhja e opinioneve nga nivelet e elitave, zierja e opinioneve nga baza dhe njëjtësimet e grupeve të referimit. Opinioni publik krijohet dhe përhapet nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv dhe drejtuesve të opinioneve (5-10% e publikut).

A ecën paralel procesi i informimit me procesin e formësimit të opinionit publik? Sartori mendon që jo. Këtu hyn në lojë politika, besimet fetare, bindjet ideologjike, ndjenjat etnike etj. Autori pikërisht në këtë moment bën një lidhje shumë të rëndësishme me mjetet e informimit masiv dhe manipulimin. ‘’Sa më shumë ‘’merr’’ nga mjetet e informacionit masiv, aq më shumë je potencialisht i ekspozuar ndaj manipulimeve të mjeteve të informacionit masiv.’’, argumenton ai. Sartori sugjeron në të bërit kujdes në diferencimin mes opinionit publik që formësohet nga publiku vetë dhe atij që është përhapur mes publikut.

Bernays në librin ”Kristalizimi i opinionit publik” shkruan se opinioni publik është rezultati i opinioneve individuale, tani të uniformizuara, që konfliktohen, të burrave dhe grave që formojnë shoqërinë ose një grup shoqëror.

Ndërsa sipas Walter Lippmanit, autorit që i ka studiuar deri në detaj problematikat e opinionit publik nuk ekziston zëri i opinionit publik pa aksesin te lajmet. Dy nga çështjet më të rëndësishme të rrokura fuqishëm nga Lippmani janë koncepti i opinionit publik dhe raporti i lajmit me të vërtetën. A është i barazvlefshëm nocioni ‘’lajm’’ me nocionin ‘’e së vërtetës’’? Dhe nëse do ta zgjeronim këtë këndvështrim, a ka vetëm një të vërtetë? Duket se jo dhe për Lippmanin është e qartë: lajmi dhe e vërteta nuk janë e njëjta gjë. ‘’Hipoteza, që më duket mua më pjellorja, është që lajmi dhe e vërteta nuk janë e njëjta gjë, dhe duhet të dallohen qartësisht…Funksioni i lajmit është sinjalizimi i një ngjarje, funksioni i së vërtetës është të nxjerrë në dritë fakte të fshehura, t’i lidhë ato më njëri-tjetrin dhe të bëjë një pikturë të realitetit në të cilin njerëzit mund të veprojnë. Vetëm në këtë pikë, kur kushtet sociale marrin formë të dallueshme dhe të matshme përbëjnë trupin e së vërtetës dhe trupin e rastësisë së lajmit.’’, shkruan ai. Pra, Lippman flet për lajmin, që rastësisht, për koecidencë, mund t’i afrohet edhe të vërtetës. Dhe në betejën e vazhdueshme të shtypit për të mbijetuar del në pah një ‘’krijesë’’ e rrallë, që qëndron gjithnjë aty për të ndërvepruar, përjetuar, rënë dakord e kundërshtuar çdo lajm, çdo opinion, çdo mesazh. ‘’Krijesa’’ quhet ‘’Opinioni Publik’’. Është pikërisht në emër të të cilit shtypi mendon se po vepron: kur kritikon qeverinë, kur e mban në kontroll atë, kur nxjerr fakte rreth institucioneve etj.

Dhe si përfundim, është opinioni publik ai, që më mirë se të gjithë, e di se çfarë përbën në të vërtetë interes për të. Shpesh në emër të këtij interesi, media shkon drejt të vërtetave por edhe manipulon. Pas këtij qëllimi mund të fshihet edhe politika.

Skicë politike “Listat e hapura sipas kryetarëve”, një nga çështjet me të cilat u përball opinioni publik së fundmi. Copyright Gogo.al

3.Turma

Politika na sheh ne si turmë që duhet “duhet vënë në shina” sipas interesit të saj. Po çfarë është turma?

Gustave le Bon shkruan se në kuptimin e zakonshëm nënkuptojmë një grumbull individësh të çfarëdo kombësie, gjinie apo profesioni por ai kujdeset që ta përkufizojë turmën në pikëpamjen psikologjike sepse merr një kuptim krejt tjetër. Sipas tij grumbullimi merr tipare krejt të ndryshme nga tiparet e individëve që mblidhen aty, teksa del në pah ai që quhet shpirti i turmës.

“Një person i vetëdijshëm zhduket dhe ndjenjat dhe idetë e të gjithë atyre personave të veçantë që formojnë turmën marrin një drejtim të njëjtë. Formohet kështu një shpirt kolektiv që ka sigurisht një karakter të përkohshëm por edhe tipare shumë të përcaktuara. Në raste të tilla grumbulli bëhet diçka që unë duke mos pasur shprehje tjetër do ta quaja turmë e organizuar ose turmë e frymëzuar që përbën një qënie të vetme e që i bindet ligjit të unitetit shpirtëror të turmës”, shkruan Le Bon te “Psikologjia e popujve dhe e turmave”. Turmat besojnë lehtë thekson autori, ndërsa me një frazë tregon se brenda turmës zhduket ndryshimi mes shkencëtarit dhe budallait.

4.Udhëheqësit e turmave dhe liderët e opinionit publik

Njerëzit në turmë sipas Le Bonit i nënshtrohen pushtetit të udhëheqësit të tyre. Turma në vetvete përfaqëson “një kope të nënshtruar që nuk mund t’ia dalë dot pa një zot”. Zakonisht udhëheqësi ka qenë një nga ata, njerëzit e turmës, por me të marrë këtë pushtet situata ndryshon. Ai përdor mënyra të tilla për udhëheqjen si miratimi, përsëritja dhe infektimi por ajo që është interesante është edhe pasazhi që Le Bon përshkruan me përpikmëri lidhur me atë se çfarë karakteristikash kanë udhëheqësit.

“Më shpesh udhëheqësit janë njerëz psiqikisht të paekuilibruar, gjysmë të çmendur që ndodhen në kufijtë e çmendurisë. Sado e çuditshme dhe e pabesueshme të jetë ideja që ata mbrojnë dhe qëllimi ku ata synojnë, bindjet e tyre nuk mund t’i lëkundësh me asnjë lloj arsyetimi. Përbuzja dhe përndjekja nuk u bëjnë atyre përshtypje ose i nxisin ata edhe më shumë në rrugën e tyre. Interesin personal dhe familjar, të gjitha këto ata i sakrifikojnë. Instikti i vetëruajtjes te ta zhduket deri në atë shkallë saqë i vetmi shpërblim për ta është vuajtja për ideal. Tensionimi i besimit të tyre vetjak u jep fjalëve të tyre një fuqi kolosale sugjestionimi. Turma është gjithmonë e gatshme të dëgjojë  një njeri që është i pajisur me vullnet të fortë dhe që di të veprojë mbi të duke e sugjestionuar. Njerëzit e turmës e humbasin vullnetin e tyre dhe kthehen instiktivisht drejt atij që e ka ruajtur këtë vullnet”, argumenton Le Bon.

Lazarsfeld dhe Katz flasin edhe për liderët e opinionit publik, ku disa syresh, nëse do të bëjmë një paralelizim me situatën në Shqipëri, janë edhe influencuesit e thjeshtë të rrjeteve sociale për blerje produktesh. Në këtë kënd liderët e opinionit publik janë ura lidhëse midis mediave dhe audiencave. Karakteristikë e tyre është përvoja, statusi ekonomik dhe shoqëror si dhe aftësia për të pasur përmasë sociale dhe komunikuese.

Liderët e opinionit janë “ekspertë” të fushave respektive, të cilëve u kërkohen këshilla nga anëtarë të tjerë të rrjetit të tyre të komunikimit gjatë përditshmërisë. Liderët e opinionit mund të përdoren edhe nga politika.

5. Komunikimi dhe menaxhimi i krizës-Palët e Interesit

Shkollat e biznesit na vijnë në ndihmë të kuptojmë se si presupozohet që të menaxhohen dhe komunikohen krizat në teori dhe praktikë. Joep Cornelissen në librin e tij “Komunikimi Korporativ”, sjell të integruar konceptet teorike me shembuj praktikë, duke e nisur me bazikun: “Komunikimi korporativ është një funksion i menaxhimit që ofron një kornizë për koordinimin efektiv të të gjithë komunikimit të jashtëm dhe të brendshëm me qëllimin e përgjithshëm për të vendosur dhe për të mirëmbajtur një reputacion të favorshëm me grupet e palëve të interesit nga të cilat varet organizata”.

Si vepron një parti politike, një kandidat, një lider apo një grup lobimi në politikë kur ndeshet me një krizë? Supozojmë sikur kandidatit i është publikuar në media një skandal apo sikur kryeministrit i është publikuar afera e fundit korruptive.

Këtu në lojë hyn një nga skemat që përdoret edhe në korporata; modeli i spikatjes së palëve të interesit me qëllim që të menaxhojmë me efektivitet situatën drejt një rezultati të favorshëm për ne. Kriza, shkruan Cornelissen përkufizohet si një ngjarje apo çështje që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të vendosur nga organizata. Edward Freeman përcakton se një palë interesi është çdo grup apo individ që mund të ndikojë ose që është ndikuar nga arritja e qëllimeve dhe objektivave të organizatës.

Modeli i Spikatjes na garanton identifikimin, komunikimin dhe menaxhimin e palëve të interesit. Me kë duhet të merret më parë kryeministri një vendi, të cilit i është botuar afera e fundit korruptive në 5 media?! Me 5 mediat? Me gazetarin që ka investiguar? Me protestuesit para Kryeministrisë? Me deputetët e opozitës në parlament? Modeli i spikatjes na jep një orientim se me cilin duhet të merret sa më shpejt menaxhuesi i krizës, bazuar në tre karakteristika: cilat palë interesi kanë pushtet dhe fuqi, cilat legjitimitet dhe cilat gëzojnë karakteristikat e urgjencës.

6.Spini

Spini është një formë e propagandës nëpërmjet të cilit mblidhen në mënyrë selektive faktet dhe i jepet formë mbështetjes së një këndvështrimi të veçantë të një ngjarjeje, çështjeje apo historie.

Gjatë spinit përdoren shpesh metoda manipuluese dhe mashtruese. Qëllimi? Ndikimi i opinionit publik. Ata që vënë në funksion këtë lloj propagande quhen Spin Doctors. Ata supozohet ta kryejnë funksionin e spinit në mënyrë profesionale.

7. Strategjitë e Diversionit

Diversioni është një term me origjinë ushtarake që përdoret për çorientimin e kundërshtarit.

Noam Chomsky në shkrimin e tij “10 strategji të diversionit”, rendit rregullat bazë të manipulimit mbi të cilat bazohen pushtetet në krizë legjitimiteti.

I fokusuar te largimi i vëmendjes së popullit, autori liston 10 strategjitë që përdor politika, duke nisur që nga “Populli duhet ta ketë gjithnjë mendjen të zënë me tjetër gjësend dhe jo me problemet e vërteta”, te “Populli duhet t’i perceptojë udhëheqësit si shpëtimtarë të vërtetë të kombit”, “Populli duhet përgatitur vijimisht për më të keqen”, “Populli duhet të besojë që gjithë sa qeveritë i përgatisin për të jetuar më keq është, po për të mirën e tij”, “Populli duhet katandisur në një gjendje mendore që të mos i lejojë të përkapë lidhjet mes shkaqeve dhe pasojave”, “Populli duhet çmësuar nga të problematizuarit e realitetit dhe duhet mësuar të veprojë nën shtysën e emocioneve”, “Populli duhet mësuar me kënaqësira çmimlira, që t’ia zënë kohën dhe ta çmotivojnë në mbërritjen e idealeve më të larta”, “Populli nuk duhet të ketë në mjetet e informimit qasje të plotë, të saktë, korrekte dhe objektive”, “Popullit i duhet induktuar fryma e turmës” e deri te “Populli nuk duhet të besojë në ekzistimin e strategjive dhe mjeteve zyrtare të manipulimit”.

Lexo më shumë për strategjitë e diversionit duke klikuar KËTU.

 

Marrë nga Gogo.al. KDP mban të drejtën e ripublikimit.

Të fundit