E mërkurë, 18 Shtator, 2024

FOLLOW THE MONEY- FITUESIT E TËRMETIT NË RRJETIN E PADUKSHËM NUMËR 1

“Ndiq paranë” (Follow the Money), është një parim që përdoret në gazetarinë hulumtuese, i cili të ndihmon të kuptosh kanalet e favorizuara të vendimarrësve duke ndjekur me përpikmëri destinacionin e parave.

 

Shkruan: Valmora Gogo

 

Për shembull, këtë parim mund ta ndjekim në gjetjen e përgjigjes për pyetjen se si po i menaxhon qeveria shqiptare paratë e Bashkimit Europian dhe qeverive të shteteve të tjera, të dhëna për zhdëmtimin pas lëkundjeve sizmike të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri.

Kësaj pyetjeje do t’i jepet përgjigje nëpërmjet këtij cikli shkrimesh gjatë këtyre muajve.

Por le ta nisim historinë me pak kontekst.

Fabula është e thjeshtë.

Bashkimi Europian i jep një qeverie të Europës Juglindore 115 milionë euro për ta ndihmuar të rikuperojë dëmet materiale nga lëkundjet sizmike.

Qeveria e këtij vendi, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, kryeministrit, i pranon publikisht paratë duke shfaqur edhe mahnitje në mes të Brukselit për shumën.

Me t’i marrë, kryeministri përmes vendimeve të qeverisë nis shpërndarjen e tyre me urgjencë duke kristalizuar dy kanale kryesore: një fond zhvillimi të vendit të tij dhe nëpërmjet bashkisë më të madhe në vend, asaj të kryeqytetit.

Skema 1-Shpërndarja e Fondit të Rindërtimit; Gogo.al

Pezull mbetet vetëm pjesa e rregullimit të dëmeve në monumentet kulturore, 50 milionë euro nga ndihma e BE-së, të cilat me gjasa do të ndiqen nga Ministria e Kulturës.

Përfaqësia e Bashkimit Europian në Tiranë, në prill bën publik vendimin se nga 115 milionë euro, 15 milionë euro do të jenë për të ristrukturuar shkollat në 5 rajone. Bashkimi Europian bashkë me UNDP-në vendosin të punojnë bashkë për ndërtimin dhe rehabilitimin e shkollave në Durrës, Kavajë, Kamëz, Krujë dhe Kurbin.

Por në korrik, ambasadori i BE-së Luigi Soreca specifikon se nga fondi 100 milionë euro të dhëna nga BE-ja, 50 milionë euro do të shkojnë për shkolla dhe 50 milionë euro të tjera për restaurimin e vendeve historike dhe kulturore të dëmtuara nga tërmeti, duke punuar ngushtësisht me Ministrinë e Kulturës.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama

Deri këtu, duket se kryeministri i vendit në Europën Juglindore, ka përmbushur rolin që ka, duke marrë paratë dhe duke kanalizuar sa më shpejt financimet pasi qytetarët e vendit të tij meqë flenë në qiell të hapur, në çadra ose në banesa provizore, presin shtëpitë.

Kështu, ai shpërndan 32 milionë euro për rindërtimin në 5 bashki: Tiranë, Durrës, Lezhë, Krujë dhe Kavajë dhe nis të përurojë shtëpitë e para individuale të ndërtuara.

Por hulumtimi 360 gradë në platformat që presupozojnë transparencë; në webin e kësaj qeverie dhe atë të prokurimeve publike si dhe në kanale alternative siç është ai i “Open Data”, duke i bashkangjitur edhe konsultimin me ekspertë të tenderave e ndërtimit, sjellin një tjetër rezultat për mënyrën se si po menaxhohen fondet.

Fituesit e tërmetit dhe “Rrjeti i Padukshëm Numër 1”

“Rrjeti i Padukshëm Numër 1” është ai që evidentohet përnjëherë, edhe pse mban këtë emërtim figurativ. Këtu gjejmë kompani, personazhe dhe lidhje që ekzistojnë mes Bashkisë së Tiranës si autoritet kontraktor dhe tyre.

Ky rrjet është pjesë e kategorisë së parë të tenderave: studime projektimi dhe mbikëqyrje, 27 të tilla. Kontratat variojnë në shumat e përafërta nga 3 milionë deri në 37 milionë lekë të vjetra. Shihet se një pjesë e madhe e kompanive kanë aktivitet financiar të aktivizuar vitet e fundit.

Skema 2- Rrjeti i Padukshëm Numër 1 në Fondin e Rindërtimit; Gogo.al

Aksionerët e këtyre kompanive njihen për lidhje të forta me pushtetin.

1.Erind Bejleri

Aksioner i “Son Engineering & Construction” Shpk, Erind Bejleri është lakuar së fundmi si një nga përfituesit e mëdhenj të tenderave në Bashkinë e Tiranës. Njihet si mik i Ditjon Baboçit, drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës dhe Endri Fugës, drejtorit të Komunikimit të Kryeministrisë.

Tenderi për tërmetin është fituar në bashkëpunim me “A&E Engineering” Shpk, kompani nën pronësinë e një emri tjetër, jo të panjohur. Entela Çano, inxhinierja e projektit të shatërvanit te Zogu i Zi në Tiranë ka qenë edhe përfaqësuese e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

2.Albana Koçollari

Albana Koçollari, arkitekte dhe aksionere e “ANK Architecture” Shpk është motra e Mirela Koçollarit, drejtoreshës së Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit në Bashkinë e Tiranës. Ajo e ka marrë tenderin nëpërmjet bashkimit me “ARENA MK” Shpk.

3.Gjergji Dushniku, Lorin Çekrezi, Rezart Struga  

Të tre aksionerët e “StudioArch4” janë lakuar në çështjen e projektit dhe ndërtimit të shkollës “Servete Maçi” në Tiranë. Një prej këtyre emrave është përfolur si ish-punonjës i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Gjergj Dushniku ka mbajtur në Bashkinë e Tiranë rolin e kreut të Departamentit të Arkitekturës dhe Projekteve Urbane.

Dushniku, Çekrezi dhe Struga e kanë marrë këtë tender në bashkëpunim me“NET-GROUP” Shpk (Ish “B-VAAL ENGINEERING” Shpk).

4.Gent Agolli

Agolli më parë ka kryer rolin e koordinatorit të projektit të parkimit nëntokësor në Sheshin Skënderbej. Tenderin për tërmetin e fiton me “ITM” shpk nëpërmjet kompanisë “I Ri”, në të cilën është aksioner 50 me 50 me “51N4E”, kompaninë që projektoi Sheshin Skënderbej .

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kreu i Bashkisë së Tiranës gjatë një takimi me banorë

5.Arben Dervishaj

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, që është edhe përgjegjës për investimet për infrastrukturën në këtë institucion si dhe përgjegjës për Arenën Kombëtare ka përfituar një tender nëpërmjet kompanisë së tij “AVE Consulting” Shpk, ku është ortak me 51% me Ervin Paçin. “AVE Consulting” Shpk është fituese e disa tenderave në bashkëpunim me kompani të tjera në Shqipëri.

6.Rais Petrela

I njohur jo vetëm për argumentimet e tij publike të tipit pse i duhej Tiranës ndërhyrja në Sheshin Skënderbej, Rais Petrela është i njohur edhe për tendera të fituar më parë.

Tenderi është marrë nëpërmjet kompanisë “ARCHISPACE” Shpk. Petrela ka fituar edhe 5 kontrata publike kohë më parë te Fondi Shqiptar i Zhvillimit, rreth 120 milionë lekë të vjetra.

7.Markel Baballëku

Aksioneri i “UTS – 01” Shpk është i njohur për mbështetjen publike dhënë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliajt si dhe aktivizimin e tij gjatë periudhës së tërmetit në studio televizive.

8.Andrea Zoto

Zoto është aksioner i kompanisë “HMK – Consulting” Shpk, i së cilës ka qenë edhe Hekuran Hoxhalli. Hoxhalli njihet për kthesën e tij në raport me mbështetjen e Partisë Demokratike, rivales së Partisë Socialiste, partisë në të cilën bën pjesë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Shënim: Ky është shkrimi i parë një cikli të gjatë shkrimesh për mënyrën se si po menaxhohen nga Qeveria Shqiptare fondet e dhëna për tërmetin e 26 nëntorit 2019 nga Bashkimi Europian dhe qeveri të shteteve të ndryshme.

 

Marrë nga Gogo.al. KDP mban të drejtën e ripublikimit.

Të fundit