E hënë, 6 Maj, 2024

ZGJEDHJE PARLAMENTARE NË KOHË PANDEMIE – SFIDË E INSTITUCIONEVE DHE AKTORËVE POLITIK

  • A është e gatshme RMV të organizojë zgjedhje korrekte dhe demokratike në kohë pandemie?
  • Sa do të arrijë të përmbushë Kriteret e Kopenhagës (politike, ekonomike, juridike)?
  • Kodi penal i Republikës së Maqedonisë së Veriut parasheh njëmbëdhjetë vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit.

 

Autor: Subhi JAKUPI

 

Mbështetja e procesit demokratik të zgjedhjeve është një çështje që ndihmon në zhvillimin e shtetit, avancimin e standardeve shoqërisë dhe demokratizimin e institucioneve përfaqësuese. Që të administrojmë zgjedhje të rregullta, të lira dhe demokratike nevojitet përfshirje e një numri të madh i njerëzve, e ku të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre në procesin zgjedhor dhe të japin llogari për veprime e veta në bazë të rregullave zgjedhore (ligjit). Autoritetet shtetërore duhet pasur kujdes edhe në administrimin financiar duke pasur për bazë përballjen me mjete që i ka në dispozicion. Zgjedhjet e suksesshme arrihen me anë të një administrate të plotësuar profesionale, të trajnuar mirë e në veçanti duke respektuar protokollet e mënyrës së votimit të parapara në kohë pandemie dhe duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e procesit që ato administrojnë.

 

ELEMENTET PËR ADMINISTRIMIN E ZGJEDHJEVE

 

Katër elemente që duhet plotësuar për administrim të zgjedhjeve, edhe atë:

– rregullativa zgjedhore e qartë dhe e zbatueshme për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta;

– administrata zgjedhore (organet zgjedhore) autonome;

– procedurë zgjedhore që garanton barabarësi (gjinore, racore etj), e njëkohësisht mundësi e ushtrimit të votimit të lirë dhe pa frikë;

– zgjedhësit (elektorati) që janë të vetëdijshëm për të drejtat dhe përgjegjësitë e veta.

Për të administruar mirë procesin zgjedhore të një vendi duhet të kesh njohuri për rrethanat historike dhe kulturore të vendit në fjalë, situatës financiare dhe politike dhe nivelit të arsimimit të zgjedhësve. Përvojat dhe standardet botërore na japin të dhëna që shpenzimet e zgjedhjeve në vendet me demokracitë e zhvilluara janë prej 4 deri më 6 dollarë Amerikan për votues (Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka 1.817.023 votues x 6 dollarë=10.902.138,00 dollarë) mund të jetë kostoja e zgjedhjeve. Në një administrim të mirëfillte të zgjedhjeve duhet një bashkëpunim i sinqertë në mes institucioneve shtetërore përgjegjëse, administratës (organeve) zgjedhore, partive politike, organizatave joqeveritare të vendit dhe ato vëzhguese ndërkombëtare.

Sa jemi të përgatitur të plotësojmë Kriteret e KopenhagëS (kriteret politike, ekonomike dhe legjislativ – “acquis”) ku ato janë rregullat që përcaktojnë nëse një vend ka të drejtë të anëtarësohet na Bashkimin Evropian, ku ato kërkojnë që një shtet të ketë institucionet për të ruajtur qeverisjen demokratike dhe të drejtat e njeriut, të ketë një ekonomi funksionale të tregut dhe të pranojë detyrimet dhe qëllimin e BE-së. Komisioni Evropian, OSBE/ODHIR dhe Këshilli i Evropës, ndikojnë në krijimin e politikës zgjedhore dhe vendosin rregulla sipas të cilave matet zhvillimi i zgjedhjeve të suksesshme si të lira, korrekte dhe demokratike, të tilla janë: “Kodi për sjellje të mirë dhe praktika në procesin zgjedhor” të Komisionit të Venedikut, dokumenti i KopenhagëS të OSBE-së (viti 1990), Karta e Parisit nga viti 1990 dhe dokumente tjera të OSBE-së lidhur me standardet zgjedhore.

Prandaj duhet shmangur parregullsive zgjedhore që kanë qenë recidiviste në ciklet e kaluara zgjedhore tek vendi ynë, edhe atë: mbushja e kutive të votimit, vjedhja e fletëvotimeve në vendvotim, nënshkrimi i më shumë zgjedhësve në listën e zgjedhësve nga një person, votimi i një personi në emër të tjetrit, presion dhe dëbim të detyruar të vëzhguesve dhe anëtarëve të këshillave zgjedhor nga vendvotimi, frikësimi i anëtarëve të këshillave zgjedhore, mospërputhje e numrit të rrethuar dhe numrit të listës së nënshkruar të votuesve me numrin e fletëve të votimit që gjenden në kutinë e votimit, procesverbale të panënshkruara për votim ose të falsifikuara, votimi familjar, blerja e votës, votimi i quajtur “treni Bullgar”, shkelja e fshehtësisë së votimit, etj.

Kundër të gjithave parregullsive të potencuara më lartë sistemi juridik  në Republikën e Maqedonisë së Veriut parasheh mekanizëm të caktuar  për mbrojtjen e të drejtës zgjedhore dhe sigurimin  korrekt dhe demokratik të procesit zgjedhor, siç është procedura për mbrojtjen e të drejtave zgjedhore e cila udhëhiqet para organeve zgjedhore që janë kompetente për sigurimin e ligjshmërisë së procesit zgjedhor. Gjithashtu, mekanizëm i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave zgjedhore është procedura kundërvajtëse e cila zhvillohet pranë gjykatave të rregullta. Ky kontekst është me rëndësi të veçantë dhe përgjigja juridiko-penale e parregullsive zgjedhore, i cili gjithashtu është edhe forma  mbrojtëse gjyqësore e të drejtave zgjedhore.

 

Kodi penal i Republikës së Maqedonisë së Veriut parasheh njëmbëdhjetë vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit:

 – Pengimi i zgjedhjeve dhe votimit ( neni 158);

 – Shkelja e të drejtës zgjedhore  ( neni 159 );

 – Shkelja e lirisë së përcaktimit të votueseve  ( neni 160 );

 – Keqpërdorimi i të drejtës zgjedhore ( neni 161 );

 – Ryshfeti gjatë zgjedhjeve dhe votimit ( neni 162 );

 – Shkelja e fshehtësisë së votimit  ( neni 163 );

 – Shkatërrimi i dokumenteve zgjedhore ( Neni 164);

– Mashtrimi zgjedhor ( neni 165 );

– Keqpërdorimi i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore ( neni 165 a );

– Imponim i detyrueshëm i dënimit ndalim për  kryerjen e profesionit veprimtarisë ose detyrës ( neni 165 – b );

– Disponimi kundërligjor me mjetet e buxhetit gjatë kohës së zgjedhjeve (neni 165- c).

 

Këto vepra janë sistematizuar  në kapitullin e veçantë  (Kapitulli i gjashtëmbëdhjetë) në Kodin penal të RMV, i cili  e mban titullin  “Vepra penale  kundër  zgjedhjeve dhe votuesit” dhe ajo që duhet potencuar se me këto vepra penale parashihen dënime efektive me burg deri më 10 -dhjetë vjet. Objekti i përbashkët grupor i mbrojtjes së veprave penale kundër zgjedhjeve  dhe votimit  është  sistemi zgjedhor i cili paraqet shumën e parimeve dhe procedurave me të cilat  duhet të sigurohen zgjedhje demokratike të lira të paanshme, të fshehta, që është vlera themelore e rendit kushtetues në Republikën e  Maqedonisë së Veriut.

Në realizimin e vlerave demokratike të sipërpërmendura rol dhe përgjegjësi kanë organet për zbatimin e zgjedhjeve, edhe ate: Komisioni shtetëror i zgjedhjeve (KSHZ) edhe pse përbërja është me propozim të partive politike duhet maksimalisht të koncentrohet në interpretimin profesional të kornizës ligjore, dhe shmangieve  të ndikimeve politike në këtë periudhë të rëndësishme për ardhmërinë e vendit. Komisionet komunale zgjedhore (KKZ) – (80+1) në përbërje prej Administratës profesionale publike që plotëson kushtin profesional nga aspekti teorik, por vlen të potencohet se ka shmangie nga zbatimi i drejtë i kornizës ligjore  që shpresojmë që në këtë kohë dhe kushte të zgjedhjeve do të kemi një qasje profesionale. Këshillat zgjedhore (3456) në përbërje mikse 3+3 prej administratës publike dhe 2+2 prej përfaqësuesve të partive politike në pozitë dhe opozitë që janë hallka kryesore e zbatimit të drejtë të kornizës ligjore të zgjedhjeve ku njëkohësisht paraqesin edhe organin zgjedhor nga rrjedhe burimi i parregullsive zgjedhore, prandaj këto organe duhet të reflektojnë në profesionalizëm dhe njëkohësisht shmangies nga përgjegjësia penale e të njëjtëve meqë potencuam më lartë edhe ndëshkueshmërinë që parashihen në veprat penale kundër zgjedhjeve.

Rol të veçantë dhe të rëndësishëm në mirëvajtjen e zgjedhjeve ka edhe regjistri i zgjedhësve në RMV ku votuesi që të mund në mënyrë aktive ta realizoj të drejtën e votës, ai duhet të jetë i regjistruar dhe i evidentuar në listën zgjedhore. Lista zgjedhore paraqet dokument publik e cila përmban emrat e gjithë shtetasve të cilët kanë të drejtë zgjedhore. Lista zgjedhore kryesisht formohet në bazë të regjistrimit të shtetasve dhe përmban emrin, mbiemrin, moshën, gjinin dhe adresën e banimit të qytetarit. Lista zgjedhore udhëhiqet sipas ndarjes administrative, në komuna, qytete dhe rajone dhe në njësi administrative. Lista zgjedhore është e përgjithshme dhe vlen për gjitha ciklet zgjedhore dhe për referendum dhe e njejta formohet edhe në formë elektronike.

Standardet ndërkombëtare rekomandojnë që evidencën e zgjedhësve duhet ta udhëheqin organet shtetërore që kanë kredibilitet përkatësisht administrata zgjedhore duhet të jetë politikisht neutrale, të ketë kompetenca përkatëse dhe kapacitet  që të  jetë e organizuar sipas parimit të decentralizimit. Si kritere më detale të zgjedhësve janë Kodeksi i praktikave të mirëfillta për çështje zgjedhore të miratuara nga ana e Komisionit të Vendedikut. Sipas këtij Kodeksi, përmbushja e kritereve vijuese ka rëndësi thelbësore që listat zgjedhore të jenë të sigurta:

  • Listat zgjedhore patjetër duhet të jenë të përhershme;
  • Patjetër duhet të ketë azhurnim të rregullt së paku njëherë në vit ku ata zgjedhës që nuk janë të regjistruar të ju bëhet e mundshme regjistrimi i tyre, për periudhën e ardhshme;
  • Listat zgjedhore patjetër duhen të shpallen;
  • Duhet të ketë procedurë administrative, procedurë gjyqësore që zgjedhësve të paregjistruar të ju mundësohet regjistrimi i tyre, që zgjedhësi në ditën e zgjedhjeve në vendvotim në mënyrë të pa penguar ta realizoj të drejtën e vetë zgjedhore.

 

Në Republikën e Maqedonisë në Kodin Zgjedhor, Neni 5, përcaktohet se  Lista zgjedhore është dokument publik dhe i njëjti udhëhiqet në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, në bazë të Listës zgjedhore realizohen zgjedhjet dhe referendumi në nivel shtetëror dhe lokal në tërë  Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në përputhje me Kodin zgjedhor, Listën zgjedhore e udhëheq Komisioni shtetëror i zgjedhjeve dhe i njëjti udhëhiqet sipas regjistrit të qytetarëve në formën e një regjistri.

 

METODOLOGJIA PËR SPASTRIMIN E LISTËS SË ZGJEDHËSVE

 

Kjo metodologji parasheh kryqëzimin e bazës së te dhënave nga 10 institucionet relevante, të cilat kanë të bëjnë me evidencë të të dhënave të qytetarëve dhe nga kjo KSHZ konstaton gjendjen e të dhënave ku te 172.505 votuesve nuk përputhen të dhënat meqë shumë prej tyre janë jashtë vendit me punë të përkohshme ose të shpërngulur. Nga analizat e kryera ndërmjet institucioneve kompetente për evidencat e të dhënave, me konsensus te partive parlamentare, Kuvendi i RMV solli ndryshimin dhe plotësimin e Kodit zgjedhor qe 39.505 votues jokonzistent të aplikohet regjistrim aktiv në afat pre 25 diteve te muajit gusht 2016, ku vetëm 8992 votues u paraqiten gjatë këtij procesi ndërsa të tjerëve u lejohet që gjatë inspektimit publik të paraparë para mbajtjes së zgjedhjeve 2016 të bëjnë regjistrimin.

Nga gjithë ky proces pritet në të ardhmen të bëhet edhe një analizë institucionale për korrektësinë e listës së zgjedhësve që me organizimin e zgjedhjeve 2016 do te japë rezultate edhe në pjesën e dilemave që u paraqiten gjate zbatimit te metodologjisë se aplikuar.

Meqë bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme dhe komplekse për të pasur një liste të zgjedhësve me evidence korrekte, nevojitet qe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve te ketë autorësinë e evidencës qendrore të këtij dokumenti publik. Nga ajo që kemi elaboruar ngelin dilemat që potencohen në lidhje me Listën zgjedhore edhe atë:

  1. Persona të vdekur që gjenden në listat zgjedhore
  2. Shumë banorë të paraqitur në adresë të njëjtë
  3. Banorë – votues që banojnë jashta vendit dhe janë në evidenca në listat zgjedhore pa yll (*), ku MPB ka evidencë për votues më yll (*) vetëm për 72000 mijë votues, ndërsa ekzistojnë të dhëna që ka mbi 350 000 mijë votues që janë jashtë vendit por MPB nuk ka evidencë. MPB duhet të njëjtit t’i regjistroje saktë me evidencë të votuesve me yll (*).
  4. Votues që janë të regjistruar në më shumë vendvotime
  • Raste të kësaj natyre përflitet por deri tash nuk kemi raste të argumentuara, partitë politike kanë të drejtën që të paraqesin kështu raste nëse posedojnë argumente por në institucionet zyrtare nuk kanë paraqitur raste të këtilla.
  1. Ka raste ku shumë personave u është dhënë vetëm pasaportë biometrike me adresë në vendet e jashtme, ku i njëjti punon e jo me adresë banimi në RMV, ku i njëjti nuk është evidentuar në listat zgjedhore dhe i është marrë e drejta e votës. Është në kundërshtim me ligjet pozitive, por MPB të njëjtën e ka praktikuar për shumë banorë shqiptarë. Duhet të njëjtëve t’u jepet letërnjoftime biometrike me vendbanim në RMV që të njëjtit të hyjnë në evidence në listat zgjedhore dhe të kenë të drejtën e votës.
  2. Ka dilema ku në disa komuna numri i banorëve është më i vogël se numri i votuesve dhe kemi shumë raste ku shumë votues jetojnë në komuna tjera por nuk kanë bërë ndryshimin e vendbanimit të paraparë me ligj dhe në listat zgjedhore është i evidentuar në vendin ku ka paraqitur vendbanimin e fundit. (Edhe pse ligji parasheh afat prej 15 ditëve të paraqesë ndryshimin e vendbanimit të ri dhe gjobë prej 100 EURO, por ka persona të pandërgjegjshëm dhe nuk veprojnë).

 

The current state of the voter list – chronology data for yearsList of registered voters:

Year Election Voter Difference
1990 (11,November) Parliamentary Elections 1.33.9021
1991 (9,September) The independence referendum 14.95.807 +156,786
1994 (16, October) Parliamentary & Presidential Elections 1.360.729 -135 080
1996 (November) Local Elections 1.498.653 +137,924
1998 (18, October) Parliamentary Elections 1.572.974 +74,321
1999 (14,November) Presidential Elections 1.610.340 +37,366
2000 (24,September) Local Elections 1.634.859 +24,519
2002 (15,September) Parliamentary Elections 1.664.296 +27,437
2004 (14,April) Presidential elections 1.695.103 +30,807
2004 (7,November) Referendum on territorial organization 1.709.536 +14,433
2005(10,September) Local Elections 1.711.293 +1757
2006 (5,July) Early Parliamentary Elections 1.741.449 +30156
2008 (1, June) Early Parliamentary Elections 1.779.116 +37,667
2009 (22, March) Presidential & Local Elections 1,792,082 +12,966
2011 (5, June) Early Parliamentary Elections 1.821.122 +29,040
2013 (24, March) Local Elections 1.743.403 -77 719
2014 (27,April) Presidential & Early Parliamentary Elections 1.756.346 +12,943
2016 (11,December) Early Parliamentary Elections 1.784.416 +28,070
2017 (15,Octomber) Local Elections 1.814.644 +30.228
2018 (30,September) Consultative referendum on approval agreement of bilateral with Greece 1.806.336 -8.308
2019 (5,May) Presidential Elections 1.808.131 +1.793
2020 (15,July) Early Parliamentary Elections 1.814.263 +6.132

 

FUSHATA ZGJEDHORE DHE FINANCIMI I SAJ

 

Partitë politike janë shtyllat e demokracive bashkëkohore nëpërmes së cilave shprehet vullneti politik i qytetarëve. Këto janë vendimtare për gjenerimin e aktorëve politik aktiv për krijimin e politikave të cilat nëpërmjet zgjedhjeve dhe qeverisjes legjitime shndërrohet në vendim politik. Nga kjo del se si kreatorë të jetës politike në një shoqëri, partitë politike potencialisht janë bartës jo vetëm të pushtetit, por edhe përgjegjësi për të nxitur parimet demokratike. Krejtësisht është e qartë se për realizimin e funksioneve themelore të partive e nevojshme është të ketë mjete përkatëse financiare, megjithatë sigurimi i tyre patjetër të jetë në kornizë ligjore, e cila megjithatë mundëson partner politik korrekt dhe demokratik në përmjet opsioneve dhe programeve të ndryshme politike.

Kampanja zgjedhore bazuar në dispozitat e kodit zgjedhorë në RMV mund të financohet nga:

– mjete nga llogaria e rregullt e partisë politike,

– anëtarësia e partisë politike,

– donacione të partisë politike,

– persona fizikë në vlerë deri më 3000 euro në kundërvlerë në denarë,

– persona juridik në vlerë deri më 30000 euro në kundërvlerë në denarë, dhe

– kredi të partisë politike të dedikuara për kampanjë zgjedhore.

Por vlen të potencohet se me ndryshimet e fundit të dispozitave të Kodit zgjedhor, e pikërisht neni 76-d paragrafi 4, mundëson kompensim të mjeteve financiarë të partive politike për reklamim politik nga Buxheti i RMV në vlerë jo më shumë se 2 euro për votues që arrijnë vlerë prej 3.628.000 euro në këto zgjedhje. Kjo dispozitë ligjore është diskutabile me parimin e ndarjes së partive politike nga shteti, meqë me një farë mënyre shteti paraqitet si donatorë me vlerë financiare të lartë.

Për të pasur transparencë dhe kontroll në mjetet financiare të kampanjës zgjedhore rol dhe kompetencë kanë vetë partitë politike, Komisioni për parandalim të korrupsionit, Enti shtetëror për revizion dhe KSHZ që kanë obligim ligjor në marrje të veprimeve dhe njëkohësisht edhe hapje të procedurave kundërvajtëse dhe penale për tu ndëshkuar nga organet kompetentë për mos respektimet e dispozitave ligjore.

Meqë potencuam fazat e rëndësishme të procesit zgjedhor bëhet pyetje a janë respektuar rregullat e parapara deri në këtë fazë të procesit zgjedhor në RMV, mund të konstatojmë që në pjesën e parë të fushatës parazgjedhore kemi sërë të parregullsi të dukshme: materiali propagandistik i partive politike i vendosur në vende jo të lejuara nga organet kompetente, mbajtja e tubimeve partiake zgjedhore në vende joadekuate dhe pa respektuar protokolet në kohë Pandemie e parapara me udhëzime të miratuara nga organet kompetente, prezent fushatë negative nga partitë politike, keqpërdorim i resurseve shtetërore dhe komunale nga strukturat që udhëheqin me institucionet e potencuara, shprehje politizimi tek anëtarët e KSHZ para fillimit të fushatës parazgjedhore, etj.

Sfidë e bashkëpunimit ndërinstitucional që janë kompetent e sidomos ndërmjet: Prokurorisë publike, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Entit Shtetëror për Revizion, Komisionit për Parandalim të Korrupsionit, Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele dhe KSHZ në ndërmarrjen të parandalimit të parregullsive zgjedhore nga kompetencat e tyre në fazën parazgjedhore, ditën e votimit dhe fazën e parashkresave, kundërshtimeve, ankesave, procedurave hetuese, kundërvajtje, procesuimi eventual i veprave penale dhe padive në Gjykatën administrative.

Për të shmangur dukurive negative në fazat paraprake të potencuara në organizimin e zgjedhjeve në kohë Pandemisë, mund të marrim praktikat e mira nga shtetet që veç kanë organizuar zgjedhje siç janë: Korea e Jugut (11 prill 2020), Serbia (21 qershor 2020), Franca (28 qershor 2020), Polonia (28 qershor 2020) dhe Kroacia (5 korrik 2020).

Meqë demokracia e një vendi matet sa zgjedhjet plotësojnë standardet demokratike të lartshënuara, prandaj duhet kuptuar se zgjedhjet që do të mbahen në korrik të këtij viti në Maqedoninë e Veriut janë më se të rëndësishme të administrohen mirë nga institucionet zyrtare në bashkëpunim me aktorët aktiv politik duke llogaritur në drejtimin që ka vendi ynë, edhe atë anëtarësimin në BE.

 

*Autori është profesor doktor i shkencave politike. Shkrimi është shkruar enkas për KDP. 

 

 

 

 

Të fundit