E diel, 19 Maj, 2024

BE I DËRGON MASKA FFP2 MAQEDONISË SË VERIUT

Autore: Erisa Zykaj / Bruksel

Komisioni Europian ka njoftuar përmes një komunikate për shtyp dërgimin e maskave të tjera FFP2 në Kroaci, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Komisioneri për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič ka anonçuar se bëhet fjalë për 65,000 maska mbrojtëse shtesë për Kroacinë dhe tre vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Ndihma e sotme vjen në vijim të 370,000 maskave tashmë të dorëzuara nga rezerva e shpëtimit të Bashkimit Europian (rescEU)., si dhe asistenca  që është dhënë përmes mekanizmit të mbrojtjes civile të Bashkimit Europian dhe përmes ofertave bilaterale nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Rezerva e përbashkët evropiane e pajisjeve mjekësore (rescEU) është krijuar për të ndihmuar vendet e prekura nga shpërthimi i koronavirusit.

Për komisionerin Lenarçiç, pavarësisht evolucionit pozitiv të shkallës së infeksionit më të ulët në disa zona, duhet të punohet më shumë për të parandaluar një përhapje të mëtejshme ose përsëritëse të koronavirusit. “Maska mbrojtëse janë thelbësore në këtë luftë” konsideron komisioneri Lenarçiç. Rumania është shteti anëtar që ka luajtur një rol kryesor në grumbullimin dhe transportimin e pajisjeve mjekësore në kuadrin e pandemisë COVID-19 në shtetet e Ballkanit, Rumania dhe Gjermania janë vendet e para anëtare që strehojnë rezervën e shpëtimit të BE-së dhe janë përgjegjës për blerjen e pajisejeve mjekësore siç janë pajisjet mbrojtëse personale. Komisioni financon 100% të kostove të prokurimit, mirëmbajtjes dhe dorëzimit të këtyre pajisjeve.

 

*Autorja është korrespondente e Tv Klan Maqedoni nga Brukseli

Të fundit