E shtunë, 12 Tetor, 2024

Trump miraton projektligjin mbi 8 miliardë dollarë për luftim të koronavirusit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar një projektligj emergjent për ndarjen e 8.3 miliardë dollarëve me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri, që ka infektuar më shumë se 100,000 persona në gjithë botën.

Këto të holla synojnë të rrisin kapacitetin e Shteteve të Bashkuara për të testuar sëmundjet e frymëmarrjes.

Marrë parasysh 233 personat e infektuar në Shtetet e Bashkuara dhe 14 të vdekurit nga ky virus, Trump ka bërë thirrje për qetësi, duke thënë: Do të largohet.

Shtëpia e Bardhë është përballur me kritika për përgjigjjen që ka pasur ndaj virusit, dhe ka pranuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë mjaftueshëm pajisje për të kryer testime, bazuar në kërkesën në rritje.

Në gjithë botën nga koronavirusi i ri janë prekur mbi 100,000 persona, derisa 3,400 janë raportuar të vdekur.

Shumica e vdekjeve janë regjistruar në Kinë, ku ka shpërthyer fillimisht virusi.

Në Gjenevë, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se epidemia është “duke u zgjeruar gjeografikisht çka është thellësisht shqetësuese”.

“Ne po vazhdojmë t’u rekomandojmë të gjitha shteteve që parandalimin ta bëjnë prioritetin e tyre kryesor”, u ka thënë ai gazetarëve.

Të fundit