Gazetarja investigative Serbeze Haxhiaj thotë se raportimi i krimeve të luftës në formën dhe trajtën e duhur është ende një tabu në Kosovë që do të rëndojë për një kohë të gjatë mbi supet e shoqërisë sepse krimet e Serbisë në kufijtë e gjenocidit, nuk janë ndëshkuar. Në një intervistë me kolegen Rudina Dervishi, zonja Haxhiaj që po merr pjesë në një program trajnimi të Departamentit të Shtetit, flet edhe për lirinë e medias dhe pavarësinë e gazetarëve në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Zonja Haxhiaj në se do ta përkufizonit situatën e gazetarisë në Kosovë, si paraqitet ajo sot?
Serbeze Haxhiaj: Përkufizimi im në fakt nuk dallon shumë prej asaj që kanë dhënë një pjesë e mirë e raporteve të organizatave më kredibile që masin lirinë e mediave. Kosova është një vend pjesërisht i lirë. Tregu medial i Kosovës vuan jo vetëm nga problemet financiare, është një prej tregjeve më joformal aktualisht, sikur shumica e vendeve të Ballkanit edhe Kosova ka një treg goxha shumë joformal të mediave me burime shpesh herë të dyshimta financiare por ajo që vuan më tepër është liria e medias, është presioni, është censura, janë sulmet mbi mediat. Në se flasim për sulme direkte ndaj gazetarëve, ky nuk është një matës real sepse kërcënimi dhe presioni janë shumë më të sofistikuar sesa ajo që paraqitet në dukje.
Zëri i Amerikës: Sa e vështirë është të jesh një gazetar i pavarur në Kosovë?
Serbeze Haxhiaj: Është shumë e vështirë. Jo vetëm çështjet që duhet të hulumtosh, ajo që ndërlidhet me çështjet më sensitive ose më të rëndësishme siç është mbajtja llogari-dhënëse e pushtetit, raportet kritike për qeverinë, hulumtimet për krim dhe korrupsion, kjo është pjesa më e vështirë e secilit gazetar dhe për këtë arsye niveli i gazetarisë hulumtuese në Kosovë është në nivelet më të pakënaqshme do të thoja aktualisht. Të bësh gazetari, sidomos gazetari hulumtuese në Kosovë është tepër e vështirë, sidomos për gratë të cilat kanë një barrë shtesë ose një problem shtesë, siç është diskriminimi gjinor, seksizmi dhe probleme të tjera.
Zëri i Amerikës: Kosova ka një kulturë në fakt të mos-ndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve dhe zgjidhjes së paktë të rasteve të sulmeve ndaj tyre. A shpresoni se me ardhjen e qeverisë së re kjo frymë do të ndryshojë?
Serbeze Haxhiaj: Në fakt po, vrasjet e gazetarëve, sulmet ndaj gazetarëve nuk kanë lënë vetëm shijen e hidhur, kanë lënë thjesht pasojën psikologjike tek gazetarët të cilët druajnë të merren me probleme ose me hulumtime që janë më të rënda ose më problematike për arsye sepse ajo që është palca e një shteti, e funksionimit të një shteti siç është sistemi gjyqësor, nuk funksionon në Kosovë. Personalisht kam marrë kërcënime me vrasje dhe deri tani nuk kam parë që rastet të jenë zgjidhur. Kjo ka qënë tipar për shumë raste të tjera, jo vetëm për gazetarë që janë vrarë gjatë luftës ose menjëherë pas luftës. Mund ta imagjinoni një grua shtatëzanë që plagoset në muajin e tetë të shtatëzanisë siç ishte rasti i koleges sonë Fatmire Tërdevci dhe sot e kësaj dite s’ka asnjë hap në hetimin e këtij rasti apo rasteve të tjera.
Zëri i Amerikës: Krimet e luftës dhe mos-ndëshkimi i krimeve të luftës shihen si pengesa për pajtimin në rajonin e Ballkanit. Ju e keni trajtuar këtë çështje dhe keni marrë pjesë në disa debate. Cila është fryma mes kolegëve?
Serbeze Haxhiaj: Në fakt raportimi i krimeve të luftës në formën e duhur ose në trajtën e duhur është ende një tabu në Kosovë, sidomos përsa i përket prekjes së gjërave që prek të dy palët, edhe anën shqiptare të krimeve të luftës. Ne po presim që shumë shpejt, gjykata e re që është themeluar për Kosovën në Hagë të merret me akt-akuzat e para. Është një periudhë e vështirë sepse krimet e luftës rëndojnë fort në supet e njerëzve në Kosovë, janë barra e shoqërisë kosovare aktualisht dhe duket që do të jenë problem për një kohë të gjatë sepse krimet e Serbisë në kufijtë e gjenocidit nuk janë ndëshkuar ndërkohë që ekziston një frostrim brenda në Kosovë për gjykatën e re për shkak se paragjykimi është i gatshëm, për shkak se do të trajtojë pjesëtarët e një etniteti ndërkohë që shumica e atyre që kanë qënë në zinxhirin e lartë komandues të Serbisë nuk janë dënuar dhe nuk janë dënuar as të tjerët. Domethënë shoqëria serbe ende është një strehë e mirë për kriminelët e luftës. Nuk po them që kjo nuk ka ndodhur edhe në Kosovë, sepse në shumë raste të gjykimeve të krimeve të luftës ka pas frikësim të dëshmitarëve ose vrasje të dëshmitarëve por problemi i krimeve të luftës është një problem definitivisht shumë i madh edhe për Kosovën i cili vazhdon të rëndojë mbi supet e të dyja shteteve dhe që kam frikë se do të vazhdojë për një kohë të gjatë.
Zëri i Amerikës: Në fillim të vitit 2018, autoritetet në Kosovë hapën procesin e verifikiimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës. Sa ka ndihmuar ky proces në rehabilitimin e këtyre viktimave?
Serbeze Haxhiaj: Në fakt ka qënë një lëvizje e vogël por që ka pas një peshë shumë të madhe për jetët dhe gjendjen e shumë viktimave të dhunës seksuale në luftë. Personalisht kam hulumtuar shumë raste që ndërlidhen me këtë problem, një prej kapitujve më të errët të luftës së Kosovës siç janë fëmijët e lindur prej dhunimet. Ky veprim, në dallim nga vendet e tjera të ish Jugosllavisë ka sjell një numër më të madh të të interesuarve për ta marë këtë status. Në elementin psikologjik-social është një lehtësim për viktimat sepse më në fund pas vite e vite heshtjesh, stigmatizimi dhe përjashtimit, po njihen, po njihen dalëngadalë. Por përsa i përket stigmës, ne kemi shumë pak raste që kanë qënë të gatshme për të dalë dhe për të folur në publik. Shumica e tyre janë ende atje ku kanë qenë, duke u përballur me atë errësirën e dramës së tyre personale dhe pa pasur mundësinë të dalin të kenë qasje jo vetëm në arsim, shëndetësi apo përsa i përket çështjes së kujdesit shëndetësor por edhe debatit të përgjithshëm për to. Edhe janë si në një vend ku u është hedhur një batanije dhe ato janë atje dhe ndërkohë debati zhvillohet diku tjetër, pak më i zhvendosur. Kemi shumë pak gra që kanë dalë dhe kanë folur. Shumica mbesin në atë dramën e tyre të heshtjes.