“Eshtë lëvizja më e rrezikshme që Ameërika ka bërë në Lindjen e Mesme, që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003”. Kështu e ka përmbledhur Nju Jork Tajms vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani, kreu ushtarak iranian që u eleminua me urdhër të Donald Trumpit. Reagimi nga Teherani është kaq kanosës, saqë edhe vetë Trumpi duket në kërkim të justifikimeve, apo një çtensionimi që gjithësesi është i pamundur. Thotë se vendimi i tij ishte i domosdoshëm, “sepse Soleimani po përgatiste sulme kundër diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë”. Ky motivim zyrtar është përgjigja ndaj akuzave të opozitës demokratike amerikane. Trumpi ka shtuar: “E mora ketë vendim për të ndalur një luftë, jo për ta filluar”. Po vërtetë Shtëpia e Bardhë është e befasuar nga reagimi i Iranit, të cilit i eleminoi një prej krerëve ushtarakë kryesorë?
Tani Uashingtoni i trembet një hakmarrjeje shumë të fortë: Departamenti i Shtetit u ka bërë thirrje amerikanëve të largohen nga Iraku, domethënë një shtet aleat, ku Amerika ka investuar mijëra jetë njerëzore dhe burime ekonomike të pafundme. Eleminimi i një armiku të vetëm, sado i rëndësishëm, a mund të vlejë sa humbja e influencës në Irak?
Faktori Gjiri Persik
Për të shpjeguar atë që shtyu drejt eleminimit të një luftëtari të atij niveli, ndërkohë që gjendej në territor iraken “i ftuar si konsulent” nga qeveria e Bagdadit, duhet që të rindërtohen pjesët e fundit të një tensioni në rritje. Sulmet e iranianëve ndaj anijeve naftëtransportuese të kombësive të ndryshme, në Gjirin Persik: një sfidë direkte ndaj rolit të SHBA si garante e lirisë së lundrimit në atë pjesë të botës (edhe pse nafta që kalon tranzit nuk importohet më nga amerikanët, të cilët tashmë e nxjerrin vetë sasinë që konsumojnë, e megjithatë duhet për aleatët si Evropa, India dhe Japonia, apo rivalë si Kina). Shkatërrimi i një droni nga ana e iranianëve. Sulmi paralizues, nga ana e dronëve iranianë, që nxorri jashtë përdorimi impiante të rëndësishme naftënxjerrëse të Arabisë Saudite: një goditje e rëndë ndaj një aleati strategjik të Uashingtonit, jo aq për dëmin ekonomik se sa për rënien e madhe të besueshmërisë ushtarake të Riadit. Dhe së fundi, vrasja e një qytetari amerikan në Irak dhe sulmi e rrethimi i ambasadës së SHBA në Bagdad, për të cilin janë akuzuar grupe filoiraniane të kontrolluara nga ajatollahët dhe ndoshta nga Soleimani. Prej muajsh Irani po sfidonte Amerikën, goditje pas goditjeje i dobësonte ndikimin në të gjithë Lindjen e Mesme. Kjo sfidë i përgjigjet një skenari përkeqësimi të prrogamuarr të marrëdhënieve: ishte Trumpi që grisi marrëveshjen e arritur nga paraardhësi i tij Obama, që kishte ofruar fundin e embargos ndaj Iranit në këmbim të ngrirjes së planit bërthamor. Ajo marrëveshje sipas Trumpit ishte një gabim i rëndë. Duke u reshtuar me shqetësimet e Izraelit dhe Arabisë Saudite, dy “mentorët” e tij në Lindjen e Mesme, Trumpi zgjodhi që të punojë për ndryshim regjimi: teokracia shiite në Teheran duhet të përmbyset, nëse nuk pendohet tërësisht për krimet e veta dhe nuk heq dorë plotësisht nga ambiciet hegjemoniste në disa zona kufitare (Libani, Siria, Jemeni). Duke forcuar sanksionet, Trumpi shpresonte të dobësonte Khamenein dhe fajkonjtë iranianë: ndoshta mori të kundërtën, duke dobësuar të moderuarit e regjimit, si presidenti Rohani. Ekonomia iraniane futet në një krizë të rëndë, popullsia revoltohet kundër regjimit; ky i fundit nuk heziton të përgjigjet me një represion gjithnjë e më të përgjakshëm (me qindra të vdekur).
Acarimi
Si njëra palë, ashtu edhe tjetra duken se janë futur në një spirale të rrezikshme, e përforcuar prej dy rrëfimeve të kundërvëna, luftëdashëse të dyja. Uashingtoni është i bindur që regjimi iranian kërkon luftën për të larguar vëmendjen nga keq-qeverisja dhe vështirësitë e brendshme; përballimi i Armikut të Madh amerikan justifikon ligjet luftënxitëse si dhe zero tolerancën ndaj protestave. Teherani përgjigjet duke përshkruar një Trump që e kërkon luftën për t’i shpëtuar impeachment-it, apo shtuar shanset për rizgjedhjen e tij.
Në frontin e brendshëm amerikan, godet ndarja. Kjo nuk është një Amerikë kompakte përballë një konflikti ndërkombëtar. Nga presidentja e Kongresit Nancy Pelosi e poshtë, udhëheqësit e partisë demokratike kritikojnë apo dënojnë Trumpin; disa përmendin paligjshmërinë e ekzekutimit të Soleimanit, dhe të tjerë denoncojnë shmangien e Kongresit. Eshtë i largët uniteti kombëtar, që pas 11 shtatorit i lejoi Bushit të tërhiqte vendin drejt pushtimit të Irakut. Një tjetër ndarje e brendshme dobëson SHBA: ajo mes Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit. Ushtarakët nuk duan aspak që të tërhiqen nga Lindja e Mesme, shtrëngojnë këtë president për një stop-and-go, në fillim tërhiqet nga Siria dhe pastaj dërgon trupa në Arabinë Saudite. Më shumë se luftëdashëse, kjo Amerikë duket e pavendosur për gjithçka, dhe duke vepruar kështu inkurajon çdo lloj aventure. Edhe një herë, ashtu si në kohën e Jimmy Carter 40 vjet më parë, fati i një presidence amerikane mund të varet nga sjellja e Iranit. / La Repubblica – Bota.al