E premte, 13 Dhjetor, 2024

OTA TIEFENBÖCK: PA NJË PERSPEKTIVË EVROPIANE KONFLIKTET BALLKANIKE MUND LEHTËSISHT TË RINGJALLEN

Ota Tiefenböck është një gazetar dhe ekspert danez me përvojë për Evropën Lindore dhe Qendrore, Ballkanin dhe Kaukazin. Në një intervistë për KDP-në (Klubi i Debatit Politik), ai theksoi rrezikun për konflikte të reja në Ballkan pas vendimit të Francës për të bllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. “Ka shumë konflikte potenciale në zonën e Ballkanit, të cilat lehtë mund të fillojnë një zinxhir reagimesh”, tha ai. 

“Vendimi është pak a shumë i njëjtë të themi, neve nuk na intereson për ju. Jep mundësi të reja për Rusinë, Turqinë dhe gjithashtu Kinën dhe ndoshta mund të rezultojë në një politikë të re të jashtme në vendet e Ballkanit ”.

Autor: Xhelal NEZIRI

KDP: Këshilli Evropian nuk arriti të marrë një vendim mbi fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Çfarë pasojash mund të ketë kjo për Ballkanin?

OTA TIEFENBÖCK: Kam frikë se mund të sjellë pasoja shumë të mëdha. Ballkani është pjesë e Evropës me shumë probleme dhe është një zonë shumë joeqetë. Perspektiva e anëtarësimit në BE duket për mua është mënyra e vetme se si të sigurohet progresi paqësor në Ballkan dhe të ardhmen e saj. Madje unë kam frikë të mendoj për pasojat që mund t’i ketë ky vendim. Ka shumë konflikte të mundshme përreth në zonën e Ballkanit, të cilat lehtë mund të fillojnë një zinxhir reagimesh. Shpresojmë se kjo nuk do të ndodhë, por rreziku i tij ekziston. Ndoshta vendimi do të nënkuptojë më shumë jostabilitet dhe do të rezultojë në atë që vendet e Ballkanit të kërkojnë mundësi të tjera. Ekzistojnë disa mundësi për, cilat mund të jenë këto mundësi të tjera, por asnjëra prej tyre nuk është shumë e mirë, qoftë për Ballkanin, as për Evropën.

KDP: Pse Franca vuri veton për të dy shtetet e Ballkanit, ndërsa Danimarka dhe Hollanda u renditën në mesin e vendeve që janë skeptikë për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor?

OTA TIEFENBÖCK:  Është një pyetje e mirë të cilën edhe unë e pyes vetëveten gjithashtu, se pse Franca dhe vendi im mund të kenë kaq shikim të shkurtër për politikën e jashtme. Shpjegimi zyrtar është se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë në të vërtetë të gatshme për anëtarësimin në BE. Sidoqoftë, vendimi nuk ishte për atë se nesër të dy vendet nuk do të bëhen anëtare të BE-së. Bëhej fjalë për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE dhe për atë që të ju jepej këtyre vendeve perspektivë për anëtarësim në BE. Në të vërtetë ende ekzistojnë shumë probleme në të dy vendet, Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, por perspektiva e anëtarësimit në BE ishte mënyra, si të angazhohen të dy vendet të punojnë për këto probleme. Për më tepër, vendimi ndoshta nuk është problem në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por përgjithësisht për më shumë probleme në BE-në. Ndoshta edhe përpjekjet e presidentit francez për t’u bërë njeriu i ri më i fortë i BE-së.

KDP:  A ekziston rreziku që të rritet ndikimin i huaj dhe i keq në Ballkan që mund të shkaktojë konflikte dhe luftëra të reja?

OTA TIEFENBÖCK:  Po, kam frikë është kështu. Shpresojmë se nuk do të ndodhë kjo, por siç përmenda edhe më parë, shumë probleme të mundshme në vendet e Ballkanit dhe siç e dimë nga historia, këto konflikte mund të përfundojnë lehtësisht në një vërshim.

KDP: Për një kohë të gjatë Rusia synon të hyjë në ujërat e ngrohta përmes Ballkanit, Kina synon ta shndërrojë këtë rajon në një poligon ekonomik dhe më pas në një zonë me ndikim politik, këtu është poashtu edhe Turqia, Irani, vendet e Gadishullit Arabik… A u ka ndihmuar vetoja e Francës kundërshtarëve perëndimorë të afrohen më lehtë drejt qëllimeve të tyre gjeopolitike dhe gjeostrategjike?

OTA TIEFENBÖCK:  Sigurisht. Vendimi është pak a shumë i njëjtë dhe dërgon porosinë se “neve nuk na intereson për ju”. Jep mundësi të reja për Rusinë, Turqinë dhe gjithashtu Kinën dhe ndoshta mund të rezultojë në politikë të re të jashtme në vendet e Ballkanit. Tashmë kemi një prani të fortë të ndikimit turk në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe madje edhe në zonën e Sanxhakut. Kemi ndikimin rus në Serbi dhe Republikën Srbe dhe gjithashtu kemi përpjekjen ekonomike të Kinës në këtë zonë. Këto aktivitete pa dyshim do të forcohen pas dritës së kuqe nga BE-ja.

 

KDP: Serbia u bë pjesë e Bashkimit Euroazian, një projekt i Moskës për të ofruar një alternative të integrimit Euro-Atlantik. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria morën një ofertë të ngjashme. Tani kur Ballkani nuk ka një perspektivë të qartë për integrim në BE, a mendoni se Bashkimi Euroazian mund të imponohet si një alternative?

OTA TIEFENBÖCK:  Nuk besoj kështu. Bashkimi Euroazian nuk është me të vërtetë një alternativë, as për Serbinë. Serbia ka një interes të vazhdojë bashkëpunimin ekonomik me Rusinë, por ndoshta nuk ka qëllim vetëm që të orientohet kundër Rusisë. As kjo nuk është e drejtë, që Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Euroazian. Serbia nuk është anëtare, por thjesht nënshkroi marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Euroazian. Lidhja e Rusisë dhe Serbisë është pragmatike. Ka të bëjë me Kosovën, historinë dhe furnizimin me energji. Unë besoj se Serbia e sheh vendin e vet si pjesë të Evropës dhe besoj se BE-ja duhet ti hap dyert edhe për Serbinë, për shembull duke mos kërkuar njohjen e Kosovës. Kemi edhe pesë vende të BE-së, të cilat nuk e njohin Kosovën, pse të kërkojmë që Serbia të veprojë kështu?

KDP:  Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi zgjedhjet e tetorit në Kosovë. Qeveria ende nuk është formuar, por Kurti tani shihet si kryeministri i ardhshëm. Çfarë mund të sjellë qeveria e Kurtit në Kosovë dhe rajon?

OTA TIEFENBÖCK: Kam frikë se vendimi i BE-së për të mos filluar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ketë ndikim në politikën e Kurtit dhe përpjekjet për ta afruar Kosovën me Shqipërinë. Ka mjaft probleme për tu zgjidhur në Kosovë, por përpjekjet për lidhje më të ngushtë, apo edhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë do të japin më shumë pikë politike për të. E panevojshme që të thuhet por nëse kjo ndodh nuk do të sjellë më shumë stabilitet në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe tërë Ballkanin.

KDP: A mendoni se Kurti do të ketë guximin të arrijë një marrëveshje historike me Serbinë?

OTA TIEFENBÖCK:  Sigurisht që jo, sidoqoftë mrekullitë ndodhin ndonjëherë, kështu që le të shohim, çfarë do të ndodhë. Do të ishte mirë të ketë një surprizë pozitive, por personalisht jam skeptik.

KDP:  Maqedonia e Veriut në Prill 2020 shkon në zgjedhje të parakohshme pikërisht për shkak të vetos franceze. Çfarë mund të sjellin këto zgjedhje – një energji të re për zbatimin e reformave dhe marrëveshjeve me fqinjët, apo një pengesë?

OTA TIEFENBÖCK: Unë nuk di shumë për situatën e tanishme në Maqedoninë e Veriut. Unë mendoj se ishte një vendim mjaft i guximshëm dhe demokratik i qeverisë suaj dhe në shumë mënyra një dëshmi se politikanët e Maqedonisë së Veriut e marrin seriozisht demokracinë. Ata me shpresë do të tregojnë të njëjtën pjekuri demokratike dhe respekt pas zgjedhjeve. Çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve duhet të presim.

KDP:  Shqipëria është gjithashtu në një krizë të thellë politike, me një parlament pa opozitë, me zgjedhje vendore të kontestuara dhe me sistem gjyqësor të pakompletuar dhe të paformuar. A mund që Shqipëria e tillë të devijojë nga përpjekjet e saj të integrimit në BE?

OTA TIEFENBÖCK:  Ekzistojnë shumë probleme në Shqipëri, dhe ndoshta nuk ishte shumë mirë që Maqedonia e Veriut të vendoset së bashku me Shqipërinë, kur u mor vendimi për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE. Shqipëria në sytë e Evropës ka shumë probleme dhe shumë evropianë nuk mund të shohin mundësinë e anëtarësimit të shqiptarëve në BE. Nuk është problem evropian, por problem shqiptar. Ndryshimi duhet të vijë nga Shqipëria dhe politikanët shqiptarë. Siç përmenda më herët, unë mendoj se BE-ja duhet të kishte dhënë dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por dua të them gjithashtu, Shqipëria nuk është aspak e gatshme për anëtarësim në BE. Një ditë nëse vendi do të jetë gati, varet vetëm nga politikanët shqiptarë.

 

Të fundit